Kremtimi i Pashkës
1 Ezekia i dërgoi lajm mbarë Izraelit dhe Judës, madje dërgoi letra edhe në Efraim e në Manase, që të vinin në Jerusalem në tempullin e Zotit për të kremtuar Pashkën në nder të Zotit, Perëndisë së Izraelit. 2 Mbreti, prijësit e mbarë kuvendi në Jerusalem, u këshilluan dhe vendosën ta kremtonin Pashkën në muajin e dytë. 3 Deri në atë kohë nuk kishin mundur ta kremtonin Pashkën, sepse nuk kishte pasur mjaft priftërinj të shenjtëruar për kremtimin dhe populli nuk ishte mbledhur në Jerusalem. 4 Kjo gjë i pëlqeu mbretit e mbarë kuvendit. 5 Atëherë vendosën ta shpallin lajmin në mbarë Izraelin, nga Bersheba deri në Dan, që të vinin e të kremtonin në Jerusalem Pashkën e Zotit, Perëndisë së Izraelit, sepse ata që e kishin kremtuar sipas rregullave të shkruara ishin të paktë. 6 Lajmëtarët morën letrat e nënshkruara nga mbreti dhe prijësit e tij, shkuan në mbarë Izraelin e Judën, dhe, sipas urdhrit të mbretit, shpallën: «Bij të Izraelit, të gjithë ju që i shpëtuat zgjedhës së mbretit të Asirisë! Kthehuni te Zoti, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, që edhe ai të kthehet te ju. 7 Mos u bëni si etërit dhe si vëllezërit tuaj, që vepruan me paudhësi kundër Zotit, Perëndisë së etërve të tyre, i cili i la të bien në mjerim, siç e shihni vetë. 8 Mos u bëni kokëfortë si etërit tuaj! Zgjatini, pra, duart tani drejt Zotit dhe ejani në shenjtëroren e tij, që ai e shenjtëroi në amshim, e shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, që të largohet prej jush zemërimi i tij i zjarrtë. 9 Nëse ktheheni te Zoti, vëllezërit dhe bijtë tuaj do të gjejnë mëshirë para atyre që i kanë robëruar e do të kthehen në këtë vend, sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm e i dhembshur dhe nuk do të largohet nga ju, nëse ktheheni tek ai».
10 Lajmëtarët kaluan qytet më qytet në tokën e Efraimit dhe të Manaseut deri në Zabulon, por njerëzit i përqeshën e u tallën me ta. 11 Megjithatë, disa prej fisit të Asherit, Manaseut dhe Zabulonit u përulën dhe erdhën në Jerusalem. 12 Në Judë veproi dora e Perëndisë dhe i bëri të gjithë t’i binden me një zemër urdhrit të mbretit e të prijësve, sipas fjalës së Zotit.
13 Kështu, në muajin e dytë në Jerusalem u mblodh një turmë e madhe për të kremtuar festën e Bukëve të ndorme. Bashkësia e mbledhur ishte shumë e madhe. 14 Si fillim u ngritën e hoqën altarët që ishin nëpër Jerusalem, si dhe altarët ku kushtohej temjan, dhe i hodhën në përroin e Kidronit. 15 Qengjin e Pashkës e therën në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe levitët, të turpëruar, u shenjtëruan dhe kushtuan fli shkrumbimi në tempullin e Zotit. 16 Ata qëndruan në vendet e tyre sipas rregullave dhe ligjit të Moisiut, njeriut të Perëndisë. Priftërinjtë spërkatnin me gjakun që e merrnin nga duart e levitëve. 17 Meqenëse shumë prej bashkësisë nuk ishin pastruar, levitët kushtonin flitë e Pashkës për të gjithë ata që nuk ishin pastruar për t’i kushtuar fli Zotit. 18 Një pjesë shumë e madhe e atyre që erdhën nga Efraimi, Manaseu, Isahari e Zabuloni nuk ishin pastruar dhe nuk e hëngrën Pashkën sipas rregullave të shkruara. Por Ezekia u lut për ta e tha: «Zoti i mirë faltë 19 cilindo që ka vendosur në zemrën e vet të kërkojë Perëndinë, Zotin, Perëndinë e etërve të tij, edhe pa kryer pastrimin që kërkon shenjtërorja». 20 Zoti e dëgjoi Ezekinë dhe pati dhembshuri për popullin. 21 Izraelitët, që u ndodhën në Jerusalem, e kremtuan festën e Bukëve të ndorme për shtatë ditë me shumë gëzim, duke përlëvduar Zotin. Çdo ditë levitët dhe priftërinjtë e përlëvdonin Zotin me vegla muzikore. 22 Ezekia i përgëzoi të gjithë levitët për njohuritë dhe kujdesin e treguar ndaj Zotit. Për të shtatë ditët e së kremtes kishin ngrënë, kishin kushtuar fli paqtimi dhe kishin falënderuar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.
23 Mbarë bashkësia vendosi atëherë të kremtonte edhe shtatë ditë të tjera. Kështu, kremtuan edhe për shtatë ditë tërë gëzim, 24 sepse Ezekia, mbreti i Judës, i kishte dhuruar bashkësisë një mijë mëzetër dhe shtatë mijë dele, ndërsa prijësit i kishin dhuruar bashkësisë një mijë mëzetër dhe dhjetë mijë dele. U shenjtëruan edhe shumë priftërinj. 25 U gëzua mbarë bashkësia e Judës, priftërinjtë, levitët, të gjithë ata që kishin ardhur nga Izraeli, si edhe të huajt që kishin ardhur nga Izraeli apo që banonin në Judë. 26 Gëzimi qe shumë i madh në Jerusalem, sepse që nga koha e Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit, nuk ishte parë një kremtim i tillë. 27 Pastaj priftërinjtë u ngritën dhe bekuan popullin. Zëri dhe lutja e tyre u dëgjua deri në qiell, në banesën e shenjtë.