Mbretërimi i Joshafatit
1 Pas Asait mbretëroi i biri, Joshafati. Joshafati u bë edhe më i fortë kundër Izraelit. 2 Ai vendosi ushtri në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe vuri njësi ushtarake anekënd vendit të Judës, si edhe në qytetet e Efraimit, që kishte pushtuar i ati, Asai. 3 Zoti ishte me Joshafatin, sepse ai u soll si Davidi, paraardhësi i tij, në fillimet e mbretërimit të tij, dhe nuk u dha pas Baalëve. 4 Ai i shërbeu Perëndisë së atit të tij dhe u soll sipas urdhërimeve të tij e jo sipas veprave të Izraelit. 5 Zoti e bëri mbretërimin e Joshafatit të qëndrueshëm dhe i gjithë populli i Judës i solli dhurata. Kështu, Joshafati fitoi shumë lavdi e pasuri. 6 Ai eci me gjithë zemër sipas udhëve të Zotit dhe i hoqi përsëri nga Juda faltoret në vende të larta dhe shtyllat e Asherasë.
7 Në vitin e tretë të mbretërimit të tij, Joshafati dërgoi zyrtarët e tij, Benhailin, Abdinë, Zakarinë, Netanelin dhe Mikahun për të mësuar popullin e qyteteve të Judës. 8 Bashkë me ta dërgoi edhe levitët Shemajah, Netanjah, Zebadjah, Asahel, Shemiramot, Jonatan, Adonjah, Tobi dhe Tob Adonjah, si edhe priftërinjtë Elishama dhe Jehoram. 9 Ata shkuan në të gjitha qytetet e Judës për të mësuar popullin dhe morën me vete librin e ligjit të Zotit.
10 Frika e Zotit i pushtoi të gjitha mbretëritë e vendeve në kufi me Judën dhe askush nuk u ngrit për të luftuar kundër Joshafatit. 11 Disa filistinë i sollën Joshafatit dhurata dhe tagra argjendi, ndërsa arabët i sollën shtatë mijë e shtatëqind desh dhe shtatë mijë e shtatëqind cjep nga bagëtitë e tyre. 12 Joshafati bëhej gjithnjë e më i fortë. Ai ndërtoi fortesa në Judë dhe qytetet ku grumbulloheshin tëmotjet. 13 Në qytetet e Judës ai kishte grumbulluar tëmotje të shumtac dhe në Jerusalem mbante luftëtarë të fortë e trima. 14 Luftëtarët ishin ndarë në këto njësi sipas familjeve të Judës: nga fisi i Judës kryemijësi Adnah u printe treqind mijë luftëtarëve trima. 15 Mandej vinin Jehohanani, që u printe dyqind e tetëdhjetë mijë luftëtarëve, 16 dhe Amasjahu, biri i Zikriut, që i ishte përkushtuar Zotit e që u printe dyqind mijë luftëtarëve trima. 17 Prej fisit të Benjaminit ishte luftëtari trim Eliadai, i cili u printe dyqind mijë luftëtarëve të armatosur me harqe e me shqyte, 18 dhe Jehozabadi që u printe njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarëve të armatosur. 19 Të gjithë këta ishin në shërbim të mbretit, pa përfshirë luftëtarët që mbreti kishte caktuar në qytetet e fortifikuara anembanë Judës.