2 Kronikave 1

Solomoni kërkon urti

Solomoni, biri i Davidit, e forcoi mbretërimin e tij. Zoti, Perëndia i tij, ishte me të dhe e bëri të madhërishëm.

Solomoni foli me mbarë Izraelin, me kryemijësat e me kryeqindësit ushtarakë, me gjyqtarët, me të gjithë prijësit e mbarë Izraelit dhe me krerët e familjeve. Ai dhe gjithë kuvendi që ishte me të, shkuan në faltoren në vend të lartë, që ndodhej në Gibeon, sepse atje ishte tenda e takimit të Perëndisë, që e kishte punuar Moisiu, shërbëtori i Zotit, në shkretëtirë. Por Arkën e Perëndisë Davidi e kishte sjellë nga Kirjat Jearimi në vendin që kishte përgatitur për të, në tendën që kishte ngritur në Jerusalem. Altarin prej bronzi që kishte punuar Becaleli, biri i Uriut, të birit të Hurit, e kishte vendosur para tendës së Zotit në Gibeon. Atje kishte shkuar të këshillohej Solomoni me tërë kuvendin e Izraelit. Solomoni shkoi, pra, para Zotit, tek altari prej bronzi, që ndodhej te tenda e takimit, dhe mbi të kushtoi një mijë fli shkrumbimi.

Atë natë, Perëndia iu shfaq Solomonit e i tha: «Kërko ç’të duash e unë do të ta jap». Solomoni i tha: «Ti ke treguar mirësi të madhe me atin tim, Davidin dhe më ke bërë mbret në vend të tij. E tani, o Zot, Perëndi, le të përmbushet premtimi që i bëre Davidit, atit tim. Më ke vënë të mbretëroj mbi një popull të madh sa rëra e tokës. 10 Më jep, pra, urtinë dhe dijen për ta udhëhequr këtë popull, sepse kush mund ta udhëheqë popullin tënd kaq të madh?». 11 Perëndia i tha Solomonit: «Fole me gjithë zemër dhe nuk më kërkove as pasuri, as prona, as lavdi, as vdekjen e armiqve e as jetë të gjatë për veten tënde, por më kërkove urti e dije për të udhëhequr popullin tim, mbi të cilin të vura të mbretërosh. 12 Prandaj po të jap urti e dije, dhe madje, edhe pasuri, prona e nder që nuk i ka pasur asnjë prej mbretërve para teje e nuk do t’i ketë askush pas teje». 13 Atëherë Solomoni u largua nga vendi i lartë në Gibeon, ku ndodhej tenda e takimit, dhe u kthye në Jerusalem për të mbretëruar mbi Izraelin.

Pasuritë e Solomonit

14 Solomoni mblodhi edhe qerre e kalorës. Ai kishte një mijë e katërqind qerre lufte dhe dymbëdhjetë mijë kalorës. Disa qerre e kalorës ai i mbajti pranë vetes në Jerusalem, ndërsa të tjerat i shpërndau nëpër qytetet ku rrinin qerret. 15 Mbreti ia kishte dalë t’i bënte argjendin e arin në Jerusalem të begatë sa gurin. Druri i cedrit, po ashtu, ishte me shumicë sa fiku që rritej në Shefelah. 16 Kuajt Solomonit ia sillnin nga Egjipti dhe Keveja. Vetë tregtarët e mbretit i blinin kuajt në Keve. 17 Qerret e luftës i sillnin nga Egjipti dhe një qerre kushtonte gjashtëqind sikla argjendi, ndërsa një kalë njëqind e pesëdhjetë. Tregtarët e mbretit u shisnin nga këto qerre e kuaj edhe të gjithë mbretërve të hititëve dhe mbretërve të Aramit.

Përgatitjet për ndërtimin e tempullit

18 a Solomoni vendosi të ndërtojë një tempull për nder të emrit të Zotit dhe një pallat mbretëror.


 a1.18 të tjerë e rendisin si 2.1