Udhëzimet për tempullin
1 Davidi mblodhi në Jerusalem të gjithë prijësit e Izraelit, prijësit e fiseve, prijësit e rendeve në shërbim të mbretit, kryemijësit e kryeqindësit, kujdestarët e të gjitha bagëtive dhe pasurive të mbretit e të bijve të tij, bashkë me oborrtarët, trimat dhe të gjithë ushtarët e fuqishëm. 2 Davidi u ngrit në këmbë e tha: «Dëgjomëni, o vëllezërit e mi e populli im. E kisha për zemër të ndërtoja një shtëpi ku të prehet arka e besëlidhjes së Zotit dhe shtroja e këmbëve të Perëndisë tonë, prandaj i bëra përgatitjet për ndërtim. 3 Por Perëndia më tha: “Nuk do të ndërtosh shtëpi për emrin tim, sepse je luftëtar e ke derdhur gjak”. 4 Zoti, Perëndia i Izraelit, më zgjodhi mua nga mbarë shtëpia e tim eti, për të më bërë mbret mbi Izraelin përgjithmonë, sepse ai zgjodhi Judën si prijës dhe, në shtëpinë e Judës, shtëpinë e atit tim. Ndër bijtë e atit tim, i pëlqeu të më bënte mua mbret mbi mbarë Izraelin. 5 Prej të gjithë bijve të mi, sepse Zoti më ka dhënë shumë bij, ai zgjodhi Solomonin, birin tim, që të ulet në fronin e mbretërisë së Zotit në Izrael. 6 Ai më tha: “Solomoni, biri yt, do të ndërtojë shtëpinë time dhe tremet e mia, sepse unë e zgjodha për bir e unë do të jem ati i tij. 7 Do ta caktoj mbretërinë e tij deri në amshim, nëse do të jetë i fortë në zbatimin e urdhërimeve dhe të vendimeve të mia, si sot”. 8 Tani, në sytë e mbarë Izraelit, bashkësisë së Zotit, dhe para Perëndisë që po na dëgjon, zbatojini e hetojini të gjitha urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, që të zotëroni këtë tokë të mirë e t’ua lini trashëgim bijve tuaj pas jush në amshim».
Detyrat e Solomonit
9 «Ndërsa ti, Solomon, biri im, njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër e me gjithë dëshirën e shpirtit, sepse Zoti i heton të gjitha zemrat dhe i kupton të gjitha prirjet e mendimet. Nëse e kërkon, bëhet i gjindshëm, por nëse e shpërfill, do të të flakë tej përgjithmonë. 10 Shiko, tani, se Zoti të zgjodhi të ndërtosh një shtëpi për shenjtëroren. Ji i fortë e kryeje!».
11 Pastaj Davidi i dha Solomonit, të birit, gjedhen e portikut, të tempullit, të qilarëve, të dhomave të epërme, të dhomave të brendshme dhe të sallës së pajtimores, 12 gjedhen e gjithçkaje që kishte në mendje për tremet e shtëpisë së Zotit e për të gjitha dhomat anësore, për qilarët e shtëpisë së Perëndisë e për qilarët e dhuratave të shenjta, 13 për rendet e priftërinjve e të levitëve dhe të gjithë veprimtarisë së shërbesës në shtëpinë e Zotit, si edhe për të gjitha enët e shërbesës në shtëpinë e Zotit, 14 sasinë e arit për të gjitha enët e arta për secilën shërbesë, sasinë e argjendit për enët e secilës shërbesë, 15 sasinë e arit për shandanët e llambat e tyre, sipas përdorimit të secilit shandan e të llambave të tyre, si edhe sasinë e argjendit për shandanët, sipas përdorimit të secilit shandan në shërbesë, 16 sasinë e arit për secilën tryezë të bukës së paraqitjes, argjendin për tryezat e argjendta, 17 pirunët, kupat, brokat prej ari të kulluar, sasinë e arit për kupat, për secilën kupë të artë, dhe sasinë e argjendit për secilën kupë, 18 sasinë e arit të kulluar për altarin e temjanit dhe gjedhen për karrocën e artë të kerubëve me krahët e shpalosur që mbulonin arkën e besëlidhjes së Zotit. 19 Gjithçka ishte shkruar për mua me dorën e Zotit dhe sqaronte zbatimet e asaj trajte.
20 Pastaj Davidi i tha Solomonit, të birit: «Bëhu i fortë e guximtar. Puno pa u trembur e pa frikë, sepse Zoti Perëndi, Perëndia im, është me ty. Nuk do të të braktisë e nuk do të të lërë vetëm derisa ta kryesh tërë punën për shtëpinë e Zotit. 21 Ja rendet e priftërinjve dhe të levitëve për të gjithë shërbesën e shtëpisë së Perëndisë. Për çdo punim do të kesh me vete zejtarë plot vullnet. Prijësit e mbarë populli janë nën urdhrat e tu».