Arka në tendë
1 E sollën arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tendës që kishte ngulur për të Davidi. Pastaj kushtuan fli shkrumbimi e paqtimi para Perëndisë. 2 Kur Davidi e kreu kushtimin e flisë së shkrumbimit e të paqtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit 3 dhe u shpërndau të gjithë izraelitëve, burra e gra, nga një rrotull buke, nga një kulaç hurmash e nga një kulaç rrushi të thatë.
4 Pastaj disa nga levitët i caktoi të shërbenin pranë arkës së Zotit, që të përkujtonin, të falënderonin e të lëvdonin Zotin, Perëndinë e Izraelit. 5 Kryetari ishte Asafi e pas tij vinin Zakaria, Jejeli, Shemiramoti, Jehieli, Matitjahu, Eliabi, Benajahu, Obed Edomi e Jejeli, të cilët u binin lirave e harpave, ndërsa Asafi u binte cimbaleve. 6 Priftërinjtë Benajah e Jahaziel u binin borive përherë para arkës së besëlidhjes së Perëndisë. 7 Atë ditë Davidi caktoi së pari që Asafi e vëllezërit e tij t’i thurnin Zotit këto falënderime:
Himni i Davidit
8 Përlëvdoni Zotin, thirreni emrin e tij,
shpallni mes popujve veprat e tij.
9 Këndojini atij e thurini lavde,
kumtoni të gjitha mrekullitë e tij.
10 Krenohuni me emrin e tij të shenjtë,
e zemra i ngazëlleftë kujtdo që kërkon Zotin.
11 Kërkojeni Zotin e fuqinë e tij,
kërkoni përherë fytyrën e tij.
12 Kujtoni mrekullitë që bëri,
çuditë e gjykimet e gojës së tij,
13 o pasardhës të Izraelit, shërbëtorit të tij,
bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij.
14 Ai është Zoti, Perëndia ynë,
mbi mbarë dheun vendimet e tij.
15 Kujtojeni përherë besëlidhjen e tij,
fjalën që urdhëroi për një mijë brezni,
16 besëlidhjen që bëri me Abrahamin,
premtimin që i dha Isakut.
17 Ia caktoi si rregull Jakobit,
Izraelit si besëlidhje përjetë,
18 kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit
si pjesë të trashëgimisë suaj»,
19 kur ishit të hequr në numër,
të paktë e ardhacakë,
20 tek endeshin nga një komb te tjetri,
nga një mbretëri te një tjetër popull.
21 Nuk lejoi t’i shtypte askush,
mbretërit për hir të tyre i qortoi:
22 «Mos m’i prekni të vajosurit,
profetët e mi mos i lëndoni».
23 Le t’i këndojë Zotit dheu mbarë,
shpëtimin e tij përditë kumtoni.
24 Ndër kombe rrëfejeni lavdinë e tij,
mrekullitë e tij ndër popuj mbarë,
25 se i madh është Zoti e fort i lavdërueshëm,
më i tmerrshëm se të gjithë perënditë.
26 Se mbarë perënditë e popujve janë të kotë,
por Zoti bëri qiejt.
27 Shkëlqim e madhështi para tij,
në vendin e tij fuqi e hare.
28 Jepini Zotit, o familjet e popujve,
jepini Zotit lavdi e fuqi,
29 jepini Zotit lavdinë e emrit të tij!
Kushtojini fli e dilni para tij,
adhuroni Zotin veshur me shkëlqim.
30 Le të dridhet para tij mbarë toka,
se botës i vë themel
e ajo nuk do të trandet.
31 Le të ngazëllejë qielli e të gëzojë toka,
le të thuhet ndër popuj: «Zoti mbretëron».
32 Le të ushtojë deti me gjithçka në të,
e fusha me gjithçka në të le të galdojë.
33 Atëherë do të brohorasin pemët e pyllit para Zotit
që vjen për ta gjykuar tokën.
34 Përlëvdoni Zotin, se është i mirë,
se mirësia e tij mbetet përjetë.
35 Thoni: «Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë,
mblidhna e çlirona nga kombet,
që ta falënderojmë emrin tënd të shenjtë,
të mburremi duke të të lavdëruar.
36 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit,
nga mot e përgjithmonë!».
Mbarë populli u përgjigj: «Amen» e «Lavdi Zotit».
Adhurimi para arkës
37 Davidi la Asafin e vëllezërit e tij aty, para arkës së besëlidhjes së Zotit, që të shërbenin gjithnjë para arkës, sipas rendit të përditshëm 38 me Obed Edomin dhe gjashtëdhjetë e tetë vëllezërit e tij. Obed Edomin, birin e Jedutunit, e Hosahun, i caktoi derëtarë. 39 Priftin Cadok e vëllezërit e tij priftërinj i la para tendës së Zotit, në rrafshnaltën e Gibeonit, 40 që t’i kushtonin Zotit fli shkrumbimi në altarin e shkrumbimit pa pushim, mëngjes e mbrëmje, siç është shkruar në ligjin që Zoti i dha Izraelit. 41 Me ta ishin Hemani e Jedutuni, si edhe të tjerët, që ishin zgjedhur e caktuar me emër për të falënderuar Zotin, se i amshuar është përdëllimi i tij. 42 Hemani e Jedutuni kishin bori e cimbale për t’u rënë, si dhe vegla për muzikë hyjnore. Bijtë e Jedutunit ishin caktuar te dera.
43 Atëherë mbarë populli u nis, secili në shtëpinë e vet, ndërsa Davidi u kthye për të bekuar familjen e vet.