Arka në Jerusalem
1 Davidi ndërtoi për vete një shtëpi në Qytetin e Davidit, përgatiti vendin për arkën e Perëndisë dhe nguli për të një tendë. 2 Atëherë Davidi tha: «Askush përveç levitëve nuk mund ta mbartë arkën e Perëndisë, sepse Zoti zgjodhi ata për të bartur arkën e Zotit e për t’i shërbyer atij përgjithmonë». 3 Davidi e mblodhi mbarë Izraelin në Jerusalem, për të ngjitur arkën e Zotit në vendin që kishte përgatitur për të. 4 Ai mblodhi bijtë e Aronit dhe levitët. 5 Prej bijve të Kohatit ishin prijësi Uriel me njëqind e njëzet vëllezër; 6 prej bijve të Merarit, prijësi Asajah me dyqind e njëzet vëllezër; 7 prej bijve të Gershomit, prijësi Joel me njëqind e tridhjetë vëllezër; 8 prej bijve të Elicafanit, prijësi Shemajah me dyqind vëllezër; 9 prej bijve të Hebronit, prijësi Eliel me tetëdhjetë vëllezër; 10 dhe prej bijve të Uzielit, prijësi Aminadab me njëqind e dymbëdhjetë vëllezër. 11 Davidi thirri priftërinjtë Cadok e Abiatar, si edhe levitët Uriel, Asajah, Joel, Shemajah, Eliel e Aminadab, 12 të cilëve u tha: «Ju jeni krerët e fiseve levite. Shenjtërohuni ju vetë e vëllezërit tuaj, që të ngrini arkën e Zotit, Perëndisë së Izraelit, në vendin që unë përgatita për të. 13 Meqë në fillim nuk e mbartët ju, Zoti, Perëndia ynë, u zemërua me ne, sepse nuk iu drejtuam sipas rregullores». 14 Atëherë priftërinjtë dhe levitët u shenjtëruan për të ngritur arkën e Zotit, Perëndisë së Izraelit. 15 Bijtë e Levit e bartën me shkopinj mbi supe arkën e Perëndisë, siç i kishte urdhëruar Moisiu, sipas porosisë së Zotit.
16 Davidi i urdhëroi prijësit e levitëve t’i caktonin vëllezërit e vet këngëtarë me vegla muzikore, me lira, harpa e cimbale, që të jehonin tingujt e haresë. 17 Levitët caktuan Hemanin, birin e Joelit dhe, prej vëllezërve të tij, Asafin, birin e Berekjahut dhe, prej bijve të Merarit, vëllezërit e tyre, Etanin e Kushajahun. 18 Me ta ishin edhe kushërinjtë e dytë, Zakaria, biri i Jazielit, Shemiramoti, Jehieli, Uniu, Eliabi, Benajahu, Masejahu, Matitjahu, Elifelehu, Miknejahu dhe derëtarët Obed Edomi e Jejeli. 19 Këngëtarët, Hemani, Asafi dhe Etani duhej t’u binin cimbaleve të bronztë. 20 Zakaria, Azieli, Shemiramoti, Jehieli, Uniu, Eliabi, Masejahu e Benajahu duhej t’u binin lirave në melodinë e virgjëreshave. 21 Matitjahu, Elifelehu, Miknejahu, Obed Edomi, Jejeli e Azazjahu duhej t’u prinin harpave me tetë korda. 22 Kenanjahu, prijësi i levitëve në muzikë, duhej të drejtonte muzikën, sepse e njihte mirë. 23 Berakjahu dhe Elkanahu ishin derëtarët e arkës. 24 Shebanjahu, Joshafati, Netaneli, Amasai, Zakaria, Benajahu dhe Eliezeri, priftërinj, duhej t’u binin borive para arkës së Perëndisë. Obed Edomi e Jehijahu ishin derëtarë të arkës.
25 Davidi, pleqtë e Izraelit e krerët e të njëmijëve shkuan për ta ngritur me gëzim arkën e besëlidhjes së Zotit nga shtëpia e Obed Edomit. 26 Meqë Perëndia i ndihmoi levitët që bartnin arkën e besëlidhjes së Zotit, u flijuan shtatë mëzetër e shtatë desh. 27 Davidi ishte mbështjellë me një gunë liri të hollë, si gjithë levitët që bartnin arkën, si edhe këngëtarët dhe Kenanjahu, i cili u printe këngëtarëve bartës. Davidi kishte edhe një efod të linjtë. 28 Mbarë Izraeli e ngriti arkën e besëlidhjes së Zotit me brohoritje, me tingujt e bririt, të borive e të cimbaleve, duke u rënë lirave e harpave.
29 Kur arka e besëlidhjes së Zotit mbërriti në qytetin e Davidit, Mikala, bija e Saulit, që po përgjonte nga dritarja, pa mbretin David duke kërcyer e duke ngazëlluar dhe e përçmoi në zemrën e vet.