2 Mbretërve 9

Jehu vajoset mbret i Izraelit

Profeti Elise thirri një nga bijtë e profetëve e i tha: «Ngjishe brezin, merr këtë enë me vaj e shko në Ramot të Gileadit. Kur të kesh mbërritur atje, kërko Jehun, birin e Joshafatit, të birit të Nimshit. Hyr në shtëpinë e tij, thirre mënjanë nga vëllezërit e vet dhe shko vetëm me të në një dhomë. Pastaj merr enën me vaj, derdhja mbi kokë e thuaji: “Kështu thotë Zoti: po të vajos mbret të Izraelit”. Mandej hap derën dhe largohu pa u vonuar».

Djaloshi, shërbëtori i profetit, shkoi në Ramot Gilead. Kur mbërriti atje, i gjeti prijësit e ushtrisë tek rrinin ulur. Djaloshi tha: «Kam një fjalë me ty, o prijës». Jehu e pyeti: «Me cilin prej nesh?». Djaloshi iu përgjigj: «Me ty, o prijës». Jehu u ngrit dhe hyri në shtëpi. Atëherë djaloshi i derdhi vajin mbi kokë e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Po të vajos mbret për popullin e Zotit, Izraelin. Do të vrasësh shtëpinë e Ahabit, zotërisë tënd, që të marrësh hak për gjakun e profetëve, shërbëtorëve të mi, dhe për gjakun e të gjithë shërbëtorëve të Zotit, që ka derdhur Izebela. Shtëpia e Ahabit do të zhduket e unë do t’i shfaros të gjithë meshkujt e saj në Izrael, qofshin skllevër apo të lirë. Do të veproj me shtëpinë e Ahabit si me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe me shtëpinë e Bashait, birit të Ahijahut. 10 Izebelën do ta hanë qentë në fushat e Izrelit dhe askush s’ka për ta varrosur”». Pastaj djaloshi hapi derën e iku.

11 Jehu u kthye te shërbëtorët e zotërisë së tij e njëri prej tyre e pyeti: «Je mirë? Përse erdhi te ti ai i marrë?». Jehu iu përgjigj: «Ju e njihni atë lloj njeriu dhe përçartjet e tij». 12 Ata i thanë: «Po gënjen. Na trego!». Jehu u tha: «Ai më tha kështu e ashtu. Më tha se Zoti thotë: po të vajos mbret të Izraelit». 13 Atëherë ata i hoqën shpejt e shpejt gunat, i shtruan nëpër shkallë nën këmbët e Jehut, u ranë borive dhe brohoritën: «Jehu është mbret!».

Jehu vret Joramin

14 Jehu, biri i Joshafatit, të birit të Nimshit, doli kundër Joramit. Në atë kohë Jorami me mbarë Izraelin ishin duke mbrojtur Ramotin e Gileadit prej Hazaelit, mbretit të Aramit. 15 Mandej mbreti Jehoram ishte kthyer në Izrel për t’u shëruar nga plagët që i kishin shkaktuar arameasit gjatë betejës me Hazaelin, mbretin e Aramit. Kështu, Jehu u tha atyre që ishin me të: «Nëse, pra, jeni me mua, të mos dalë askush nga qyteti, që të mos shkojë e të tregojë në Izrel». 16 Mandej Jehu i hipi karrocës dhe u nis për në Izrel se atje dergjej Jorami. Ahazjahu, mbreti i Judës, kishte shkuar për ta parë.

17 Roja që vrojtonte nga kulla e Izrelit pa trupën e Jehut duke ardhur e tha: «Po shoh një turmë njerëzish!». Jehorami i tha: «Dërgo një kalorës t’i takojë e t’i pyesë: “Vini në paqe?”». 18 Kalorësi shkoi të takojë Jehun dhe e pyeti: «Kështu thotë mbreti: “Vini në paqe?”». Jehu iu përgjigj: «Ç’punë ke ti me paqen? Kalo mbrapa e më ndiq!». Rojtari lajmëroi sërish: «I dërguari mbërriti tek ata, por nuk u kthye pas». 19 Atëherë mbreti dërgoi një kalorës të dytë. Edhe kur kalorësi i dytë mbërriti tek ata, u tha: «Kështu thotë mbreti: “Vini në paqe?”». Jehu i tha: «Ç’punë ke ti me paqen? Kalo mbrapa e më ndiq». 20 Roja lajmëroi e tha: «Kalorësi mbërriti tek ata, por nuk u kthye pas. Nga të ngarët e karrocës duket si Jehu, biri i Nimshit, sepse ai nget si i marrë».

21 Atëherë Jehorami urdhëroi: «Bëni gati karrocën!». Si i bënë gati karrocën, Jehorami, mbreti i Izraelit, doli bashkë me Ahazjahun, mbretin e Judës. Secili kishte hipur në karrocën e vet. Ata shkuan për të takuar Jehun dhe e ndeshën në pronën e Nabot Izrelitit. 22 Kur pa Jehun, Jehorami e pyeti: «Vjen në paqe, Jehu?». Jehu iu përgjigj: «Çfarë paqeje, kur ende vazhdojnë kurvëritë dhe magjitë e shumta të nënës sate, Izebelës?». 23 Atëherë Jehorami u kthye pas dhe, duke ia mbathur, i tha Ahazjahut: «Tradhti, Ahazjah!». 24 Por Jehu rrëmbeu harkun dhe e goditi Jehoramin midis shpatullave. Shigjeta i shpoi zemrën tejpërtej dhe Jehorami u plandos i vdekur mbi karrocë. 25 Atëherë Jehu i tha Bidcarit, prijësit ushtarak: «Merre dhe hidhe në pronën e Nabot Izrelitit, sepse më kujtohet fjala që tha Zoti, kur unë dhe ti shoqëronim me kuaj Ahabin, të atin: 26 “Gjakun e Nabotit dhe gjakun e bijve të tij, që pashë të derdhej dje, kumton Zoti, do ta marr prej teje po në këtë arë, kumton Zoti”. Prandaj, merre dhe hidhe në arë, sipas fjalës së Zotit».

27 Kur pa këtë, Ahazjahu, mbreti i Judës, ia mbathi në drejtim të Bet Haganit, por Jehu e ndoqi nga pas. Ai kishte dhënë urdhër ta godisnin edhe Ahazjahun. Ahazjahun e plagosën në karrocën e tij përpjetës për në Gur, pranë Ibleamit, por ai ia doli të ikte në Megido, ku edhe vdiq. 28 Shërbëtorët e çuan Ahazjahun me karrocë në Jerusalem dhe e varrosën me paraardhësit e tij në qytetin e Davidit.

29 Ahazjahu ishte bërë mbret i Judës në vitin e njëmbëdhjetë të mbretërimit të Joramit.

Vdekja e Izebelës

30 Kur mbërriti Jehu në Izrel, Izebela e mori vesh, prandaj leu sytë, stolisi kokën dhe doli në dritare për të parë. 31 Kur Jehu po kalonte portën e qytetit, ajo i tha: «Vjen në paqe, o Zimri, vrasësi i zotërisë tënd?». 32 Jehu ngriti sytë për nga dritarja e tha: «Kush është me mua? Kush? Dy a tre eunukë u përkulën nga dritarja për të parë Jehun». 33 Ai i urdhëroi: «Hidheni poshtë!». Ata e hodhën poshtë dhe gjaku i saj stërpiku muret dhe kuajt. Mandej Jehu kaloi me karrocë mbi kufomën e sajc34 Ai hyri brenda, hëngri e piu dhe tha: «Shkoni e merruni me atë grua të mallkuar dhe varroseni, sepse është bijë mbreti». 35 Kur shkuan për ta varrosur, nuk i gjetën gjë tjetër veç kafkës, këmbëve dhe pëllëmbëve të duarve. 36 U kthyen e i treguan Jehut. Atëherë ai tha: «Kjo ishte fjala që Zoti tha përmes profetit Eli Tishbitit: qentë do ta hanë mishin e Izebelës në fushat e Izrelit. 37 Kufoma e Izebelës do të shpërndahet si pleh anekënd fushave të Izrelit e askush nuk do të mund të thotë: “Kjo është Izebela”».


 c9.33 të tjerë: dhe kuajt që e shkelmuan