Shërimi i Namanit
1 Namani, kreu i ushtrisë së mbretit të Aramit, ishte njeri me peshë dhe i nderuar prej zotërisë së vet, sepse me anë të tij Zoti e kishte shpëtuar Aramin, por, ndonëse luftëtar trim e i fuqishëm, ai vuante nga lebra. 2 Gjatë një sulmi që kishin bërë disa çeta nga Arami në tokat e Izraelit, kishin rrëmbyer një vajzë të vogël, e cila ishte bërë shërbyesja e gruas së Namanit. 3 Një ditë vajza i tha zonjës së saj: «Sikur imzot të shkonte te profeti që është në Samari, ai do ta kishte shëruar nga lebra». 4 Namani shkoi e foli me mbretin, zotërinë e tij, e i tha: «Kështu e kështu më ka thënë një vajzë nga Izraeli». 5 Mbreti i Aramit i tha Namanit: «Nisu për udhë e unë do t’i dërgoj një letër mbretit të Izraelit». Namani u nis dhe me vete mori treqind kilogramë argjend, gjashtëdhjetë kilogramë ar dhe dhjetë palë ndërresash. 6 Kur mbërriti, i dha mbretit të Izraelit letrën, në të cilën thuhej: «Bashkë me këtë letër po të dërgoj edhe shërbëtorin tim, Namanin, që ta shërosh nga lebra». 7 Kur e lexoi letrën, mbreti i Izraelit shqeu rrobat e tha: «Mos jam gjë perëndia unë, i cili ka pushtetin për të sjellë vdekjen apo jetën, që ky më dërgon këtë njeri për ta shëruar nga lebra? Shihni, ai po kërkon shkak për t’u ngatërruar me mua».
8 Kur Eliseu, njeriu i Perëndisë, dëgjoi se mbreti i Izraelit kishte shqyer rrobat, i çoi fjalë mbretit e i tha: «Përse i shqeve rrobat? Lëre të vijë tek unë, që ta dijë se në Izrael ka profet». 9 Namani shkoi me kuaj e me karroca e u ndal te dera e shtëpisë së Eliseut. 10 Por Eliseu i dërgoi një lajmëtar e i tha: «Shko e lahu shtatë herë në lumin Jordan dhe trupi yt do të shërohet e do të pastrohet nga lebra». 11 Namani u zemërua e iku duke thënë: «Ja, unë prisja që ai të dilte për të më takuar, të qëndronte para meje, të thërriste emrin e Zotit, Perëndisë së tij, të vinte dorën në plagë e të më shëronte nga lebra. 12 A nuk janë lumenjtë e Damaskut, Abana e Farfari, më të mirë se të gjithë ujërat e Izraelit? Pse, nuk mund të lahesha në to e të shërohesha?». Kështu, ai u kthye e u largua tejet i zemëruar. 13 Por shërbëtorët iu afruan e i thanë: «Imzot, po të të kishte kërkuar profeti një gjë të vështirë, a nuk do ta bëje? Përse të mos bësh çfarë të tha dhe të shkosh të lahesh e të pastrohesh?». 14 Atëherë Namani shkoi në Jordan, u la shtatë herë, siç e kishte urdhëruar njeriu i Perëndisë, dhe trupi iu shërua e iu bë i pastër si trupi i një djaloshi.
15 Menjëherë Namani u kthye te njeriu i Perëndisë me gjithë shpurën e tij, qëndroi përpara tij e i tha: «Ja, tani unë e di se nuk ka Perëndi tjetër në mbarë dheun, përveçse në Izrael. E tani prano, të lutem, një dhuratë nga shërbëtori yt». 16 Eliseu i tha: «Pasha Zotin, të cilit i shërbej, nuk e marr». Namani iu përgjërua të pranonte, por Eliseu nuk pranoi. 17 Atëherë Namani i tha: «Meqenëse nuk pranon, të lutem, më lejo të marr pak dhe, aq sa mbajnë dy mushka. Shërbëtori yt nuk do t’i kushtojë më as fli shkrumbimi e as ndonjë fli tjetër perëndive të tjerë, përveç Zotit. 18 Por, Zoti ta falë shërbëtorin tënd, kur të shkojë me zotërinë e tij në tempullin e Rimonit. Kur zotëria im shkon atje, mbështetet mbi dorën time, e unë duhet të përkulem për të adhuruar në tempullin e Rimonit. Zoti e faltë shërbëtorin tënd për këtë gjë». 19 Eliseu i tha: «Shko në paqe!».
Lakmia e Gehazit
Namani nuk ishte larguar shumë, 20 kur Gehazi, shërbëtori i Eliseut, njeriut të Perëndisë, tha me vete: «Imzot e kurseu Namanin, këtë arameasin, dhe nuk ia mori dhuratat që kishte sjellë me vete. Pasha Zotin, po shkoj me vrap pas tij e po i marr ndonjë gjë». 21 Kështu, Gehazi e ndoqi pas Namanin. Namani e pa që po vraponte, prandaj zbriti nga karroca për ta takuar e i tha: «Je mirë?». 22 Gehazi iu përgjigj: «Mirë jam! Imzot më dërgoi të të them se sapo mbërritën për ta parë dy djelmosha nga malësia e Efraimit, bij të profetëve, e të lutet t’u japësh atyre tridhjetë kilogramë argjend dhe dy palë ndërresa». 23 Namani i tha: «Merr më mirë gjashtëdhjetë kilogramë» dhe nguli këmbë që t’i merrte. Gjashtëdhjetë kilogramët i futi në dy thasë, vuri edhe dy palë ndërresa dhe ua dha dy prej shërbëtorëve të tij që t’i mbanin, duke ecur para Gehazit. 24 Kur mbërritën te kodra, Gehazi i mori dhuratat nga shërbëtorët e Namanit dhe i futi në shtëpi. Pastaj i nisi dy shërbëtorët e ata ikën. 25 Mandej Gehazi shkoi e u paraqit tek Eliseu, zotëria i vet, i cili e pyeti: «Ku ishe, Gehaz?». Gehazi iu përgjigj: «Shërbëtori yt nuk ishte askund». 26 Eliseu i tha: «Unë isha aty me shpirt, kur ai njeri zbriti nga karroca për t’u takuar me ty. Vallë, tani ishte çasti për të marrë argjend, rroba, ullishta, vreshta, dele, lopë, shërbëtorë e shërbëtore? 27 Prandaj, lebra e Namanit do të bjerë mbi ty e mbi pasardhësit e tu përjetë». Gehazi doli nga shtëpia e Eliseut i zbardhur si dëbora, prej lebrës.