Vreshti i Nabotit
1 Pas këtyre ngjarjeve ndodhi kështu: Nabot Izreliti kishte një vresht në Izrel, pranë pallatit mbretëror të Ahabit, mbretit të Samarisë. 2 Ahabi i tha Nabotit: «Ma jep mua vreshtin për pronë, që ta bëj kopsht perimesh, sepse e kam pranë shtëpisë. Në këmbim të jap një vresht më të mirë, ose, po të duash, të jap aq para sa vlen». 3 Naboti i tha Ahabit: «Mos e dhëntë Zoti të të jap trashëgiminë e të parëve të mi!». 4 Ahabi u kthye në shtëpi i pikëlluar e i zemëruar nga fjalët e Nabot Izrelitit, që i kishte thënë se nuk do t’ia jepte trashëgiminë e të parëve. Ahabi ra në shtrat, u kthye nga muri dhe nuk hëngri as bukë.
5 Atëherë Izebela, e shoqja, shkoi tek ai dhe e pyeti: «Përse je kaq i pikëlluar e nuk ha bukë?». 6 Ahabi i tha: «Fola me Nabot Izrelitin dhe i kërkova vreshtin për t’ia blerë me para, ose t’ia këmbeja me një vresht tjetër, po të donte, por ai më tha se nuk donte të ma jepte vreshtin». 7 Izebela, e shoqja, i tha: «Ç’bën kështu? A nuk je mbreti i Izraelit? Ngrihu e ha dhe mos të të pikëllohet zemra. Vreshtin e Nabot Izrelitit do të ta jap unë».
8 Izebela shkroi disa letra në emër të Ahabit, i vulosi me vulën e tij dhe ia nisi pleqësisë dhe fisnikëve të qytetit ku banonte Naboti. 9 Ajo shkroi: «Shpallni një agjërim dhe caktoni Nabotin t’i prijë popullit. 10 I vini përballë dy njerëz të poshtër të dëshmojnë kundër tij e të thonë se Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin. Mandej nxirreni jashtë qytetit dhe vriteni me gurë». 11 Pleqësia, fisnikët dhe banorët e qytetit, ku banonte Naboti, bënë siç i kishte urdhëruar Izebela dhe siç ishte shkruar në letrat që kishte dërguar ajo. 12 Shpallën agjërimin dhe caktuan Nabotin në krye të popullit. 13 Dy njerëz të poshtër erdhën dhe u ulën përballë tij. Ata dëshmuan kundër tij para popullit e thanë: «Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin». Atëherë e nxorën Nabotin nga qyteti dhe e vranë me gurë. 14 Mandej i dërguan fjalë Izebelës dhe i thanë se Naboti ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur.
15 Kur Izebela mori lajmin e vrasjes me gurë të Nabotit, i tha Ahabit: «Shko e merre për pronë vreshtin e Nabot Izrelitit, i cili nuk donte të ta shiste. Naboti nuk është më gjallë, vdiq». 16 Kur Ahabi dëgjoi se Naboti kishte vdekur, u ngrit, shkoi te vreshti i Nabot Izrelitit dhe e mori në pronësi.
Elia dënon Ahabin
17 Ndërkohë fjala e Zotit iu drejtua Eli Tishbitit e i tha: 18 «Ngrihu e shko në Samari të takosh Ahabin, mbretin e Izraelit. Ja, do ta gjesh te vreshti i Nabotit, që Ahabi ka shkuar ta marrë në pronësi. 19 Do të flasësh me të e do t’i thuash: “Kështu thotë Zoti: vrave e tani po plaçkit?”. Mandej thuaji: “Kështu thotë Zoti: në vendin ku qentë lëpinë gjakun e Nabotit, do të lëpijnë edhe gjakun tënd”».
20 Ahabi i tha Elisë: «Më gjete, o armiku im?». Elia i tha: «Të gjeta, sepse shite shpirtin për të bërë ligësi në sytë e Zotit. 21 Do të sjell fatkeqësi mbi ty dhe do t’i zhduk e do t’i shfaros të gjithë meshkujt e shtëpisë së Ahabit në Izrael, skllevër apo të lirë. 22 Do ta bëj shtëpinë tënde si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe si shtëpinë e Bashait, birit të Ahijahut, sepse ke shkaktuar zemërim e ke shtyrë në mëkat Izraelin. 23 Sa për Izebelën, qentë do ta hanë trupin e saj në fushat e Izrelit, thotë Zoti. 24 Qentë do t’i hanë ata të shtëpisë së Ahabit, që do të vdesin në qytet, dhe grabitqarët e qiellit ata që do të vdesin nëpër ara».
Pendimi i Ahabit
25 Në të vërtetë, para Ahabit askush nuk e kishte shitur shpirtin si ai, për të bërë çka është keq në sytë e Zotit, por e nxiti Izebela, gruaja e tij. 26 Ahabi bëri gjëra shumë të pështira dhe u dha pas idhujve, ashtu siç kishin bërë amoritët, që Zoti kishte dëbuar para syve të izraelitëve.
27 Kur dëgjoi fjalët e Elisë, Ahabi shqeu rrobat, u vesh me grathore dhe agjëroi. Flinte i veshur me grathore dhe ecte kokulur. 28 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Eli Tishbitit e i tha: 29 «A e ke parë sa është përulur Ahabi para meje? Për hir të përuljes së tij para meje, nuk do ta dërgoj fatkeqësinë mbi shtëpinë e tij sa të jetë ai gjallë, por do ta sjell gjatë mbretërimit të të birit».