Mbretëresha e Shebës
1 Mbretëresha e Shebës kishte dëgjuar për emrin që kishte fituar Solomoni në saje të emrit të Zotit dhe erdhi për ta vënë në provë me pyetje të vështira. 2 Ajo mbërriti në Jerusalem me një shpurë të madhe, me deve të ngarkuara me erëra të mira, me shumë ar e me gurë të çmuar dhe shkoi te Solomoni e bisedoi me të për gjithçka që kishte në zemër. 3 Solomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve dhe asnjë nga pyetjet nuk ishte e panjohur për mbretin, që të mos i jepte përgjigje. 4 Kur mbretëresha e Shebës pa gjithë urtinë e Solomonit, pallatin mbretëror, që ai kishte ndërtuar, 5 gjellët që shtroheshin në tryezën e tij, banesat e zyrtarëve të tij, fisnikërinë e shërbëtorëve të tij, veshjet e kupëmbajtësve të tij dhe flitë e shkrumbimit, që ai kushtonte në tempullin e Zotit, mbeti pa fjalë.
6 Atëherë ajo i tha mbretit: «Paskan qenë të vërteta fjalët që kisha dëgjuar në vendin tim për ty, për veprat e tua dhe për urtinë tënde. 7 Nuk u besoja fjalëve derisa erdha dhe e pashë me sytë e mi. Po shoh se nuk më paskan thënë as gjysmën. Urtia dhe pasuria jote është më e madhe nga ç’kisha dëgjuar unë. 8 Lum njerëzit e tu e lum shërbëtorët e tu që gjenden përherë pranë teje e që dëgjojnë urtinë tënde. 9 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që të ka për zemër e të ka vënë në fronin e Izraelit. Zoti e do Izraelin në amshim, prandaj të caktoi mbret, që të gjykosh drejt e të bësh drejtësi». 10 Ajo i dhuroi mbretit tre tonë e gjysmë ar, erëra të mira me shumicë dhe gurë të çmuar. Në Izrael nuk solli më njeri kurrë aq shumë erëra të mira sa i dha mbretëresha e Shebës mbretit Solomon.
11 Anijet e Hiramit, që kishin sjellë ar nga Ofiri, sollën prej andej edhe dru rrëshinorë me shumicë dhe gurë të çmuar. 12 Me drurët rrëshinorë mbreti bëri trarë mbështetës për tempullin e Zotit dhe për pallatin mbretëror, qeste dhe harpa për këngëtarët. Drurë të tillë rrëshinorë nuk janë sjellë e nuk janë parë më në Izrael deri sot e kësaj dite.
13 Mbreti Solomon, përveç dhuratave mbretërore, i dha mbretëreshës së Shebës gjithçka që ajo kishte dëshiruar e kërkuar. Pastaj ajo bashkë me shërbëtorët u nis për t’u kthyer në vendin e saj.
Pasuria e Solomonit
14 Pesha e arit, që i vinte çdo vit Solomonit, ishte njëzet tonë, 15 përveç arit që mblidhej nga tagrat për hyrjen e mallrave në vend, nga tregtia, nga të gjithë mbretërit e Arabisë dhe nga qeveritarët e vendit. 16 Mbreti Solomon farkëtoi dyqind shqyte prej ari me nga gjashtë kilogramë ar secila 17 dhe treqind shqyte të tjera, po prej ari të rrahur, me nga një kilogram e gjysmë ar secila. Mbreti i vuri shqytet në pallatin e quajtur «Pylli i Libanit». 18 Mbreti Solomon bëri edhe një fron të madh fildishi dhe e veshi me ar të pastër. 19 Froni kishte gjashtë shkallë dhe shpinëzën e kishte me majë të rrumbullakët. Në të dyja anët e fronit kishte mbështetëse për krahët dhe në anë të mbështetëseve gjendej nga një luan i gdhendur. 20 Në gjashtë shkallët e fronit kishte dymbëdhjetë luanë të gdhendur. Një fron i tillë nuk ishte ndërtuar në asnjë mbretëri. 21 Të gjitha kupat, me të cilat pinte mbreti Solomon, ishin prej ari. Edhe enët e pallatit «Pylli i Libanit» ishin prej ari të pastër. Asgjë nuk ishte prej argjendi. Në ditët e mbretit Solomon argjendi nuk kishte asnjë vlerë. 22 Mbreti Solomon kishte në det anijet e Tarshishit bashkë me flotën e Hiramit dhe një herë në tre vjet ato ktheheshin e sillnin ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.
23 Kështu, mbreti Solomon u bë mbreti më i pasur e më i urtë ndër gjithë mbretërit e tokës. 24 Mbarë bota dëshironte ta shihte Solomonin, për të dëgjuar urtinë që i kishte vënë në zemër Perëndia. 25 Të gjithë i sillnin dhurata, sende argjendi e ari, veshje, armë, erëra të mira, kuaj e mushka dhe kjo ndodhte çdo vit.
26 Solomoni mblodhi edhe karroca e kalorës. Ai kishte një mijë e katërqind karroca lufte dhe dymbëdhjetë mijë kalorës. Disa kalorës i mbajti pranë vetes në Jerusalem, ndërsa të tjerët i shpërndau nëpër qytetet ku rrinin karrocat. 27 Mbreti ia kishte dalë ta bënte në Jerusalem argjendin të begatë sa gurin. Druri i cedrit, po ashtu, gjendej me shumicë sa fiku që rritej në Shefelah. 28 Solomonit ia sillnin kuajt nga Egjipti dhe Keveja. Vetë tregtarët e mbretit i blinin kuajt në Keve. 29 Karrocat e luftës që vinin nga Egjipti kushtonin gjashtëqind sikla argjendi secila, ndërsa një kalë njëqind e pesëdhjetë. Ata u shisnin karroca e kuaj edhe të gjithë mbretërve të hititëve e mbretërve të Aramit.