Pleqëria e Mbretit David
1 Mbreti David ishte plakur tashmë e ishte në moshë të thyer. Megjithëse e mbulonin trashë, ai nuk ngrohej dot. 2 Atëherë shërbëtorët i thanë: «Le të gjejmë një vashëz të virgjër për mbretin, zotërinë tonë, që të rrijë me mbretin, të kujdeset për të e të flejë përqafuar me të për ta ngrohur». 3 Kërkuan një vashëz të bukur në të gjitha trojet e Izraelit. Gjetën Abishagën, shunamiten, e ia sollën mbretit. 4 Vashëza ishte shumë e bukur. Ajo kujdesej për mbretin e i shërbente, por mbreti nuk pati marrëdhënie me të.
Adonjahu vetëshpallet mbret
5 Adonjahut, birit të Hagitës, i ishte rritur mendja e thoshte: «Do të bëhem unë mbret!». Ai gjeti një karrocë, disa kalorës dhe pesëdhjetë burra, që rendnin para tij. 6 I ati, Davidi, nuk e kishte qortuar kurrë të birin e nuk i kishte thënë ndonjëherë: «Përse sillesh kështu?». Adonjahu ishte shumë i pashëm, por kishte lindur pas Absalomit. 7 Ai ishte marrë vesh me Joabin, birin e Cerujahut, dhe me priftin Abiatar, që ta ndihmonin. 8 Por prifti Cadok, Benajahu, biri i Jehojadait, profeti Natan, Shimei, Rei dhe luftëtarët e Davidit nuk ishin me Adonjahun.
9 Një ditë Adonjahu kushtoi dele, qe dhe viça pranë shkëmbit të Zoheletit, që ndodhet pranë En Rogelit. Ai ftoi të gjithë vëllezërit e tij, bijtë e mbretit, dhe të gjithë burrat e Judës, që ishin në shërbim të mbretit, 10 por nuk ftoi profetin Natan, Benajahun, luftëtarët trima dhe Solomonin, vëllanë e tij.
Mbreti David njoftohet për Adonjahun
11 Atëherë Natani i tha Batshebës, nënës së Solomonit: «A e ke marrë vesh se Adonjahu, biri i Hagitës, është bërë mbret dhe se zotëria ynë, Davidi, nuk di gjë? 12 Tani, dëgjo këshillën time, që të shpëtosh jetën tënde dhe jetën e birit tënd, Solomonit. 13 Shko te mbreti David e thuaji: “Imzot, mbret, a nuk iu betove shërbëtores sate se pas teje do të jetë mbret biri yt, Solomoni, dhe se ai do të ulet mbi fronin tënd? Pse u bë mbret Adonjahu?”. 14 Ndërkohë që ti do të jesh duke folur me mbretin, do të hyj edhe unë pas teje e do t’i vërtetoj fjalët e tua».
15 Kështu, Batsheba shkoi te mbreti dhe hyri në dhomën e tij. Mbreti qe plakur shumë dhe i shërbente Abishaga, shunamitja. 16 Batsheba u përkul para mbretit dhe mbreti e pyeti: «Çfarë do?». 17 Ajo i tha: «Imzot, i je betuar shërbëtores sate, para Zotit, Perëndisë tënd, se mbret do të bëhet Solomoni, biri im, dhe se ai do të ulet në fronin tënd. 18 Por mbret është bërë Adonjahu dhe ti, imzot, mbreti im, nuk e di. 19 Ai ka kushtuar qe, viça të majmë e dele me shumicë dhe ka ftuar të gjithë bijtë e mbretit, priftin Abiatar, kreun e ushtrisë Joabin, por Solomonin, shërbëtorin tënd, nuk e ka ftuar. 20 I gjithë Izraeli i ka drejtuar sytë te ti, o imzot, mbreti im, që të dëftosh se kush do të ulet pas teje në fronin e timzoti, mbretit tim. 21 Përndryshe, kur imzoti, mbreti im, të ketë gjetur prehje bashkë me etërit e tij, unë dhe biri im, Solomoni, do të trajtohemi si tradhtarë».
22 Ajo po fliste ende me mbretin, kur ia behu profeti Natan. 23 E lajmëruan mbretin e i thanë: «Ka ardhur profeti Natan». Profeti Natan shkoi te mbreti, u përkul para tij deri në tokë 24 e i tha: «Imzot, mbreti im, mos ke thënë se mbret pas teje do të jetë Adonjahu dhe se në fronin tënd do të ulet ai? 25 Sot ai ka shkuar e ka kushtuar qe, viça të majmë e dele me shumicë dhe ka ftuar të gjithë bijtë e mbretit, krerët e ushtrisë dhe priftin Abiatar. Ja, ata po hanë e po pinë me të dhe po brohorasin: “Rroftë mbreti Adonjah!”. 26 Por nuk na ftoi as mua, shërbëtorin tënd, as priftin Cadok, as Benajahun, birin e Jehojadait, dhe as Solomonin, shërbëtorin tënd. 27 A mos e ka dhënë këtë urdhër imzot, mbreti im, pa i bërë me dije shërbëtorit të tij, se kush do të ulet pas tij në fronin e timzoti, mbretit tim?».
Solomoni vajoset mbret
28 Atëherë mbreti David tha: «Thirreni Batshebën të vijë tek unë». Batsheba shkoi te mbreti e qëndroi para tij. 29 Mbreti u betua e tha: «Pasha Zotin, që më ka shpëtuar jetën nga çdo fatkeqësi, 30 sot do të bëj ashtu siç të jam betuar para Zotit, Perëndisë së Izraelit, kur të kam thënë se Solomoni, biri yt, do të mbretërojë pas meje dhe se ai do të ulet në fronin tim». 31 Batsheba u përkul deri në tokë para mbretit e tha: «Rroftë përjetë imzot, mbreti im Davidi!».
32 Pastaj mbreti David tha: «Thirrni priftin Cadok, profetin Natan dhe Benajahun, birin e Jehojadait». Ata erdhën e u paraqitën para mbretit. 33 Mbreti u tha: «Merrni shërbëtorët e zotërisë suaj, hipni Solomonin, birin tim, mbi mushkën time e çojeni në Gihon. 34 Atje, prifti Cadok dhe profeti Natan ta vajosin mbret të Izraelit. Pastaj bjeruni borive e brohoritni: “Rroftë mbreti Solomon!”. 35 Mandej ejani këtu pas tij e ai do të ulet në fronin tim. Ai do të mbretërojë në vendin tim, sepse atë kam caktuar për të sunduar në Izrael dhe në Judë». 36 Benajahu, biri i Jehojadait, iu përgjigj mbretit e i tha: «Amen! Ashtu e bëftë Zoti, Perëndia i timzoti, mbretit! 37 Siç ka qenë Zoti me timzot, mbretin, ashtu qoftë edhe me Solomonin. Fronin e tij e bëftë më të madhërishëm se fronin i timzoti, mbretit David!».
38 Atëherë prifti Cadok, profeti Natan dhe Benajahu, biri i Jehojadait, u nisën bashkë me keretitët dhe peletitët. E hipën Solomonin mbi mushkën e mbretit David dhe e sollën në Gihon. 39 Prifti Cadok mori bririn e vajit nga Tenda dhe vajosi Solomonin. Atëherë u ranë brirëve të dashit e populli brohoriti: «Rroftë mbreti Solomon!». 40 Mbarë populli shkoi pas mbretit Solomon, duke u rënë fyejve e duke ngazëlluar aq shumë, saqë u trand toka prej brohoritjeve të tyre.
41 Adonjahu dhe të gjithë të ftuarit e tij i dëgjuan brohoritjet teksa po mbaronin gostinë. Kur dëgjoi jehonën e brirëve të dashit, Joabi pyeti: «Përse gjithë kjo zhurmë në qytet?». 42 Ai ende po fliste, kur ia behu Jonatani, biri i priftit Abiatar. Adonjahu i tha: «Eja, sepse ti je burrë trim e sjell lajme të mira». 43 Jonatani iu përgjigj: «Aspak! Zotëria ynë, mbreti David, bëri mbret Solomonin. 44 Bashkë me të, mbreti David dërgoi priftin Cadok, profetin Natan, Benajahun, birin e Jehojadait, keretitët dhe peletitët. Ata e vunë Solomonin të kalëronte mbi mushkën e mbretit 45 dhe prifti Cadok, bashkë me profetin Natan, e vajosën mbret në Gihon. Tani po kthehen prej Gihonit të ngazëlluar dhe tërë qyteti oshtin nga zhurma që dëgjoni. 46 Për më tepër, Solomoni është ulur në fronin e mbretërisë. 47 Po ashtu, ata që janë në shërbim të mbretit shkuan para zotërisë sonë, mbretit David, për ta uruar e i thanë: “Perëndia yt e bëftë emrin e Solomonit më të madhërishëm se emri yt dhe fronin e tij më të fortë se fronin tënd”. Pastaj mbreti David u përkul mbi shtratin e vet 48 e tha: “Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, i cili vuri dikë mbi fronin tim e më lejoi ta shoh me sytë e mi”».
49 Të ftuarit e Adonjahut u ngritën të tmerruar e shkuan nëpër shtëpitë e tyre. 50 Adonjahu shkoi e u kap pas brirëve të altarit nga frika e Solomonit. 51 Solomonin e lajmëruan e i thanë: «Adonjahu, nga frika e mbretit Solomon, është kapur pas brirëve të altarit e thotë: “Të më betohet sot mbreti Solomon se nuk do ta vrasë me shpatë shërbëtorin e tij”». 52 Solomoni u përgjigj: «Nëse tregohet njeri i ndershëm, nuk ka për t’iu prekur asnjë qime floku, por nëse i gjendet ndonjë ligësi, ka për të vdekur». 53 Mbreti Solomon dërgoi disa njerëz që ta merrnin nga altari. Adonjahu erdhi e u përkul para mbretit Solomon. Mbreti Solomon i tha: «Shko në shtëpi».