Fjalët e fundit të Davidit
1 Këto janë fjalët e fundit të Davidit:
«Kumt i Davidit, birit të Jeseut,
kumt i burrit që shumë u madhërua,
të vajosurit të Perëndisë së Jakobit,
këngëtarit të ëmbël të Izraelit!
2 Shpirti i Zotit foli përmes meje,
fjalët e tij i kam në gjuhë.
3 Perëndia i Izraelit më foli,
shkëmbi i Izraelit më tha:
“Ai që i sundon njerëzit me drejtësi,
ai që sundon me drojë Perëndie,
4 është si drita e agimit kur lind dielli,
si mëngjesi pa re,
si shkëlqimi dhe si shiu,
që bimësinë e bën të çelë”.
5 A s’është kështu shtëpia ime me Perëndinë?
Besëlidhje të amshuar lidhi ai me mua,
të shkoqitur mirë e fort të qëndrueshme.
Ai do të ma japë përherë shpëtimin,
çdo dëshirë timen do ta plotësojë.
6 Të paudhët do të hidhen të gjithë si ferrat,
që me dorë nuk i kap askush.
7 Kush i prek, përdor hekur apo heshtë,
me zjarr i shkrumbojnë atje ku janë».
Trimat e Davidit
8 Emrat e trimave të Davidit janë këta: Josheb Bashebet Tahkemoniti, kryetari i tre trimave. Ai e vringëlloi heshtën kundër treqind vetëve dhe i vrau njëherësh.
9 Pas tij vjen Eleazari, biri i Dodo Ahohitit, njëri ndër tre trimat. Ai ishte me Davidin, kur burrat e Izraelit u mblodhën për luftë kundër filistinëve dhe u nisën për betejë. 10 Ai u ngrit dhe i goditi filistinët derisa iu lodh dora e iu ngjit pas shpatës. Atë ditë Zoti solli një fitore të madhe. Populli u kthye tek Eleazari vetëm për të plaçkitur kufomat.
11 Pas tij vjen Shamai, biri i Age Hararitit. Filistinët ishin mbledhur në Hajë. Aty gjendej një arë plot me thjerrëza, ku njerëzia mori arratinë prej filistinëve. 12 Atëherë zuri vend në mes të arës dhe e mbrojti. I goditi filistinët dhe Zoti solli shpëtimin në mënyrë të madhërishme.
13 Tre prej tridhjetë kryetarëve zbritën në kohën e korrjes te shkëmbi, pranë Davidit, te shpella e Adulamit. Fushimi i filistinëve ishte vendosur në luginën e Refaitëve. 14 Në atë kohë Davidi gjendej në fortesë, ndërsa çeta e filistinëve ishte në Betlehem. 15 Davidi shprehu një dëshirë: «Kush mund të më japë të pi nga pusi që është te porta e Betlehemit?». 16 Këta të tre luftëtarë çanë fushimin e filistinëve dhe nxorën ujë nga pusi që ishte te porta e Betlehemit. E morën dhe ia sollën Davidit për ta pirë, por ai nuk deshi ta pinte dhe e stërpiku për Zotin. 17 Pastaj tha: «Larg qoftë ta bëj këtë gjë para Zotit! A duhet ta pi gjakun e jetës së këtyre burrave?». Prandaj nuk pranoi ta pinte. Kështu vepruan ata tre trima.
18 Abishai, vëllai i Joabit dhe biri i Cerujahut, ishte kryetari i tridhjetë vetëve. Ai e vringëlloi heshtën kundër treqind vetëve, i vrau dhe bëri emër bashkë me këta të tre. 19 Ai ishte më i njohuri ndër të tre dhe u bë prijësi i tyre, megjithatë nuk i arriti dot.
20 Benajahu, biri i Jehojadait, burrë i guximshëm e punëmadh, ishte nga Kabceli. Ai vrau dy njerëz të Ariel Moabit. Pastaj, një ditë me borë, zbriti në një pus dhe vrau një luan. 21 Ai vrau edhe një egjiptian, një burrë të pashëm, i cili mbante në dorë një heshtë. Iu sul me një shkop, ia hoqi heshtën nga dora dhe e vrau me heshtën e vet. 22 Këto gjëra bëri Benajahu, biri i Jehojadait, dhe bëri emër ndër këta të tre. 23 U bë i lavdishëm bashkë me ata të tre, megjithatë nuk i arriti dot. Davidi e vuri në krye të truprojës së vet.
24 Ndër të tridhjetët ishin Asaheli, vëllai i Joabit, Elhanani, biri i Dodoit nga Betlehemi, 25 Shamah Haroditi, Elika Haroditi, 26 Halec Paltiti, Irai, biri i Ikesh Tekoitit, 27 Abiezer Anatotiti, Mebuna Hushatiti, 28 Calmon Ahohiti, Mahara Netofatiti, 29 Helebi, biri i Banah Netofatitit, Itai, biri i Ribait nga Gibeahu i bijve të Benjaminit, 30 Benajah Piratoniti, Hidai nga vau i Gashit, 31 Abialbon Arbatiti, Azmavet Barhumiti, 32 Eliakba Shalboniti, bijtë e Jashenit, Jonatani, 33 Shamah Harariti, Ahiami, biri i Sharar Hararitit, 34 Elifeleti, biri i Ahasbajit, të birit të Makatitit, Eliami, biri i Ahitofel Gilonitit, 35 Hecro Karmeliti, Para Arbiti, 36 Igali, biri i Natanit nga Cobahu, Bani Gaditi, 37 Celek Amonitit, Nahra Berotitit, armëmbajtësi i Joabit, të birit të Cerujahut, 38 Ira Hitriti, Gareb Hitriti, 39 Urjah Hititi, gjithsej tridhjetë e shtatë.