1 Në ato ditë filistinët mblodhën ushtritë për të sulmuar Izraelin. Akishi i tha Davidit: «Dije mirë se ti e njerëzit e tu do të dalin në luftë bashkë me mua». 2 Davidi i tha: «Do ta marrësh vesh se çfarë mund të bëjë shërbëtori yt». Akishi ia ktheu: «Do të jesh truproja ime përgjithmonë».
Sauli dhe shortarja
3 Samueli kishte vdekur dhe tërë Izraeli e kishte vajtuar. E kishin varrosur në Ramah, në qytetin e vet. Sauli i kishte dëbuar nga vendi shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish.
4 Filistinët u mblodhën e fushuan në Shunem. Sauli bashkë me tërë Izraelin fushoi në Gilboa. 5 Kur Sauli pa fushimin e filistinëve, u frikësua e iu drodh zemra fort. 6 Ai pyeti Zotin, por Zoti nuk iu përgjigj as në ëndrra, as me Urimë, as përmes profetëve. 7 Atëherë u tha shërbëtorëve: «Më gjeni një grua që thërret shpirtra të vdekurish. Do të shkoj tek ajo për ta pyetur». Shërbëtorët i thanë: «Në Endor është një grua që thërret shpirtra të vdekurish!».
8 Sauli ndërroi rrobat, që të mos njihej, e shkoi atje me dy burra. Kur mbërritën te gruaja, ishte natë. Ai i tha: «Thirr shpirtrat e të vdekurve e ngri atë që të them unë». 9 Gruaja iu përgjigj: «Ti e di mirë çfarë ka bërë Sauli. Ai i ka zhbirë nga faqja e dheut shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. Përse po më ngre kurth? Që të më vrasin?». 10 Sauli iu betua për Zotin e i tha: «Pasha Zotin nuk do të dënohesh për këtë». 11 Ajo i tha: «Kë dëshiron të thërras?». Ai i tha: «Më thirr Samuelin». 12 Kur gruaja pa Samuelin, bërtiti me të madhe e i tha Saulit: «Pse më mashtrove? Ti qenke Sauli!». 13 Por mbreti i tha: «Mos ki frikë! Çfarë pe?». Gruaja i tha Saulit: «Shoh një hyjni që po ngrihet prej tokës». 14 Ai e pyeti: «Ç’pamje ka?». Ajo tha: «Po ngrihet një plak, mbështjellë me gunë». Atëherë Sauli e kuptoi që ishte Samueli, prandaj ra me fytyrë përdhe dhe e nderoi.
15 Samueli i tha Saulit: «Përse më trazove e më ngrite?». Sauli i tha: «Gjendem shumë ngushtë. Filistinët po më sulmojnë dhe Perëndia është larguar prej meje. Nuk më përgjigjet as përmes profetëve e as në ëndrra. Të kam thirrur të më tregosh çfarë të bëj». 16 Samueli iu përgjigj: «Pse më pyet mua? Zoti është larguar prej teje dhe e ke kundër. 17 Zoti ka vepruar siç kishte thënë përmes meje. Ai ta ka hequr mbretërinë prej dorës e ia ka dhënë të afërtit tënd, Davidit. 18 Ti nuk e dëgjove zërin e Zotit e nuk e zbatove dënimin e tij kundër amalekitëve, prandaj Zoti ta bëri sot këtë gjë. 19 Zoti do të dorëzojë edhe Izraelin në duart e filistinëve bashkë me ty. Nesër ti e bijtë e tu do të vini këtu ku jam unë, se Zoti do t’ua dorëzojë filistinëve fushimin e Izraelit».
20 Sauli u shemb i tëri përdhe nga tmerri i fjalëve të Samuelit. E lanë edhe fuqitë, se nuk kishte ngrënë gjithë ditën e gjithë natën. 21 Gruaja iu afrua Saulit, e pa të tmerruar e i tha: «Ja, shërbëtorja jote ta dëgjoi zërin. E vura jetën në rrezik e i dëgjova fjalët që më the. 22 Dëgjoja fjalën shërbëtores sate e më lër të të nxjerr pak bukë. Ha që të kesh fuqi për udhë». 23 Ai nuk pranoi të hante, por shërbëtorët e gruaja ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi. Pastaj u ngrit nga toka e u ul në shtrat. 24 Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë. E theri me të shpejtë, pastaj mori miell e poqi bukë të ndorme. 25 Ua shtroi para Saulit e shërbëtorëve të tij e ata hëngrën. Pastaj u ngritën e shkuan po atë natë.