Fitorja mbi amonitët
1 Atëherë Nahash Amoniti u ngrit, fushoi kundër Jabesh Gileadit e ata i thanë: «Eja të lidhim besën e ne do të të shërbejmë». 2 Nahash Amoniti u përgjigj: «Vetëm nëse nxirrni syrin e djathtë do të bëj besëlidhje me ju, që ta turpëroj gjithë Izraelin». 3 Pleqësia e Jabeshit i tha: «Na prit për shtatë ditë, që të dërgojmë lajmëtarë nëpër gjithë vendin e Izraelit. Nëse nuk ka kush të na shpëtojë, do të dorëzohemi». 4 Lajmëtarët mbërritën në Gibeahun e Saulit dhe e njoftuan popullin për gjithçka. Atëherë mbarë populli vuri kujën e vajtoi.
5 Ndërkohë Sauli po kthehej prej kullotës duke ecur pas qeve. Atëherë pyeti: «Çfarë ka populli që po vajton?». Ata i treguan lajmin që kishin sjellë burrat e Jabeshit. 6 Kur i dëgjoi këto fjalë, shpirti i Perëndisë vërshoi mbi të dhe ai u zemërua fort. 7 Mori një pendë qe dhe i bëri copa-copa, të cilat i dërgoi përmes lajmëtarëve në çdo vend të Izraelit duke thënë: «Kështu do të përfundojnë qetë e kujtdo që nuk i shkon pas Saulit e Samuelit». Tmerri i Zotit e kaploi popullin e ata dolën si një trup i vetëm. 8 Sauli mblodhi në Bezek treqind mijë izraelitë, prej të cilëve tridhjetë mijë ishin prej Judës. 9 Ai u tha lajmëtarëve që kishin ardhur: «Thuajuni njerëzve të Jabesh Gileadit se nesër në mesditë do të çlirohen». Lajmëtarët i njoftuan njerëzit e Jabeshit dhe ata u gëzuan. 10 Atëherë njerëzit e Jabeshit i thanë Nahashit: «Nesër do të dorëzohemi. Bëj me ne si të duash». 11 Të nesërmen Sauli e ndau popullin në tre njësi. Mbërriti në fushim që në orët e para të mëngjesit e i sulmoi amonitët deri në mesditë. Ata që mbetën u shpërndanë e nuk u gjetën as dy vetë bashkë.
12 Atëherë populli i tha Samuelit: «Kush janë ata që thanë: “Pse Sauli do të mbretëruaka mbi ne?”. Sillini këtu që t’i vrasim». 13 Por Sauli tha: «Mos vritni njeri sot, se në këtë ditë Zoti i dha fitoren Izraelit».
14 Pastaj Samueli i tha popullit: «Ejani të shkojmë në Gilgal që të përtërijmë mbretërinë». 15 Mbarë populli shkoi në Gilgal e po atje e bënë Saulin mbret para Zotit. I kushtuan Zotit fli paqtimi dhe Sauli e të gjithë izraelitët u gëzuan pa masë.