1 Samuelit 2

Lutja e Anës

Atëherë Ana u lut:

«Zemra ime ngazëllohet në Zotin,

Zoti ma ngriti ballinc lart.

Kam gojë të flas para armiqve të mi,

se në shpëtimin tënd gjej gëzim.

S’ka të shenjtë si Zoti,

përveç teje s’ka tjetër.

Nuk ka shkëmb

përveç Perëndisë tonë.

Mjaft me mburrjet

e me buzët krenare,

se Zoti është Perëndi i urtë,

çdo vepër ai e peshon.

Harku i trimave thyhet,

të këputurit ngjishen me fuqi.

Të ngopurit shesin veten për një copë bukë,

ndërsa skamnorët s’kanë më uri.

Lind beronja shtatë fëmijë,

por shuhet gruaja me shumë bij.

Zoti vret e sjell në jetë,

plandos në skëterrë e ngre që andej.

Zoti varfëron e pasuron,

përul e lartëson.

Ngre nga pluhuri të vobektin,

prej hedhurinave të varfrin,

që ta ulë me fisnikët

e t’i japë për trashëgimi fronin e nderit,

se Zotit i përkasin shtyllat e tokës,

mbi to botën e vendosi ai.

Ai ruan këmbët e besnikëve të tij,

të paudhët do të heshtin në terr,

se prej forcës s’do të ngadhënjejë njeri.

10 Kundërshtarët e Zotit do të dërrmohen,

kur prej qiellit ai të shkreptijë.

Do ta gjykojë Zoti çdo skaj të tokës

e fuqi do t’i japë mbretit të tij,

do t’ia ngrejë kokën lart të vajosurit të vet».

Bijtë e Eliut

11 Elkanahu u kthye në shtëpinë e vet në Ramah. Djaloshi ndenji për t’i shërbyer Zotit në prani të priftit Eli.

12 Bijtë e Eliut ishin fëmijë të pahijshëm. Ata nuk donin t’ia dinin për Zotin13 Kështu e kishin zakon priftërinjtë të silleshin me popullin. Kur ndokush flijonte fli, dilte djaliç i priftit me sfurk tredhëmbësh në dorë, ndërsa ziente mishi, 14 e zhyste në legen, në kazan, në tavë, apo në kusi dhe çfarëdo që kapte sfurku e merrte për priftin. Ata vepronin kështu me tërë izraelitët që vinin në Shiloh. 15 Madje ndodhte që para se të digjej dhjami, vinte djali i priftit e u thoshte atyre që kushtonin fli: «Më jepni mish që ta pjek për priftin, sepse ai do mish të gjallë e jo të zier». 16 Edhe pse njerëzit i përgjigjeshin: «Merr ç’të duash, por na lër të djegim dhjamin», ai u përgjigjej: «Jo, ma jepni tani, përndryshe do t’jua marr me forcë!». 17 Mëkati i djemve ishte shumë i rëndë para Zotit, sepse po përbuznin flinë e Zotit.

Samueli në Shiloh

18 Djaloshi Samuel shërbente në prani të Zotit veshur me efod prej liri. 19 E ëma i punonte një gunëz që ia sillte për vit sa herë që vinte bashkë me të shoqin për flinë vjetore. 20 Eliu bekonte Elkanahun e të shoqen: «Zoti të dhëntë trashëgimtarë të tjerë përmes kësaj gruaje, në vend të djalit që ajo ia fali Zotit». Atëherë ata ktheheshin në vendin e vet.

21 Zoti e pa me sy të mirë Anën, ajo mbeti shtatzënë dhe lindi tre djem e dy vajza. Ndërkohë djaloshi Samuel rritej në prani të Zotit.

Profecia kundër Eliut

22 Eliu, në moshë të thyer, mori vesh për gjithçka që bijtë e tij u bënin izraelitëve dhe se ata flinin me gratë që shërbenin në të hyrë të tendës së takimit. 23 Ai u tha: «Përse silleni kështu? Po dëgjoj fjalë të këqija prej gjithë popullit. 24 Mos, bijtë e mi! Nuk po dëgjoj fjalë të mirad nga populli i Zotit25 Nëse dikush mëkaton kundër njeriut, Perëndia është ai që ndërmjetëson, por nëse mëkaton kundër Zotit, kush do të ndërmjetësojë për të?». Megjithatë, ata nuk ia dëgjuan fjalën të atit, se Zoti kishte vendosur t’i vriste. 26 Ndërkohë djaloshi Samuel rritej në shtat. Njerëzit dhe Zoti e kishin për zemër.

27 Një njeri i Perëndisë erdhi tek Eliu e i tha se kështu thotë Zoti: «Unë iu dëftova shtëpisë së atit tënd kur ishte ende në Egjipt, nën shtëpinë e faraonit. 28 E zgjodha për prift nga tërë fiset e Izraelit që të dalë para altarit tim për të djegur temjan e për të veshur efodin në praninë time. Tërë flitë e zjarrit që kushtojnë izraelitët ia dhashë shtëpisë së atit tënd. 29 Përse, pra, lakmoni edhe flitë e kushtimet e mia që i urdhërova plot zell? Përse i nderon bijtë e tu më shumë se mua? U majmët duke ngrënë pjesët më të mira të çdo flije që kushton Izraeli, populli im, 30 prandaj, kumton Zoti, Perëndia i Izraelit: 31 ja, po vijnë ditët kur do të t’i pres krahët ty dhe shtëpisë së atit tënd, që askush prej shtëpisë sate të mos arrijë ditët e pleqërisë. 32 Do t’i shohësh me smirëdh të mirat e Izraelit, se askush prej shtëpisë sate nuk do t’i arrijë ditët e pleqërisë. 33 Vetëm njërin prej të tuve nuk do ta heq prej altarit tim, por edhe atij do t’i mpaken sytë e do t’i pikëllohet shpirti, ndërsa shumica e familjes tënde do të vdesë në moshën e burrërisë. 34 Kjo do të shërbejë si shenjë për ty: të dy bijtë e tu, Hofniu e Finehasi, do të vdesin në të njëjtën ditë. 35 Do të ngre për vete një prift besnik që do të bëjë ç’kam në zemër e në shpirt. Atij do t’i ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme dhe ai do të shërbejë gjatë gjithë jetës në prani të të vajosurit tim. 36 E, kush të mbetet prej familjes sate do t’i përgjërohet për një kacidhe argjendi apo për një fetë buke e do t’i thotë: “Më lejo, të lutem, të shërbej si prift që të kem një kafshatë bukë!”».


 c2.1 he. bririn

 ç2.13 ose: shërbëtori

 d2.24 të tjerë: Nuk është mirë të shkandulloni

 dh2.32 të tjerë: Do ta shohësh kundërshtarin në banesë; Ke për të parë mjerimin e banesës sime