Martesa e Samsonit
1 Samsoni shkoi në Timnah dhe atje pa një grua filistine. 2 Kur u kthye i tha të atit e të ëmës: «Kam parë një grua filistine në Timnah. Ma merrni për grua». 3 I ati dhe e ëma i thanë: «Nuk paska gra mes bijave të vëllezërve të tu dhe të popullit tonë, që të shkosh e të marrësh grua nga filistinët e parrethprerë?». Por Samsoni iu përgjigj: «Atë më merrni, se më pëlqen». 4 I ati dhe e ëma nuk e dinin se kjo vinte nga Zoti, që kërkonte një rast kundër filistinëve. Në atë kohë filistinët sundonin mbi Izraelin.
5 Samsoni shkoi në Timnah bashkë me të atin dhe të ëmën. Kur mbërritën te vreshtat e Timnahut, një këlysh luani iu vërsul Samsonit duke ulërirë. 6 Atëherë shpirti i Zotit e mbuloi Samsonin dhe ai e shqeu luanin më dysh si të ishte kec, pa pasur gjë në dorë. Nuk i tregoi as të atit e as të ëmës çfarë bëri. 7 Pastaj shkoi në Timnah dhe foli me atë grua. Ajo i pëlqeu shumë. 8 Pas disa ditësh u kthye për ta marrë dhe doli nga rruga për të parë kufomën e luanit. Brenda kufomës kishte një luzmë bletësh dhe mjaltë. 9 Mori ca mjaltë në dorë dhe po e hante rrugës. Kur mbërriti tek i ati dhe e ëma, u dha edhe atyre të hanin, por nuk u tregoi se mjaltin e kishte marrë nga kufoma e luanit.
10 I ati i Samsonit shkoi te gruaja dhe aty Samsoni shtroi një gosti, siç e kishin zakon të rinjtë. 11 Kur e panë banorët e qytetit, i caktuan tridhjetë shokë, që të rrinin me të. 12 Samsoni u tha: «Do t’ju tregoj një gjëegjëzë. Po ta gjeni gjatë shtatë ditëve të festës, do t’ju jap tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba, 13 por, po të mos e gjeni, do të më jepni ju tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba». Ata i thanë: «Tregoje gjëegjëzën, që ta dëgjojmë». 14 Samsoni u tha:
«Prej gllabëruesit doli ushqim,
prej të fortit ëmbëlsirë».
Për tri ditë nuk ia dolën ta gjenin gjëegjëzën.
15 Ditën e shtatë i thanë gruas së Samsonit: «Mbushja mendjen tët shoqi të na e tregojë gjëegjëzën, në mos do të të djegim ty dhe shtëpinë e tët eti. Për çfarë na ftuat, që të na lini lakuriq?». 16 Atëherë gruaja e Samsonit qau para tij e i tha: «Ti më urren e nuk më do. U the një gjëegjëzë bijve të popullit tim, por mua nuk ma tregove përgjigjen». Samsoni i tha: «Nuk ia kam treguar as atit tim, as nënës sime. Mos vallë do të ta tregoj ty?». 17 Ajo qau para tij gjatë shtatë ditëve të festës dhe ditën e shtatë Samsoni ia tregoi përgjigjen e gjëegjëzës, ngaqë ajo e mërziti shumë. Ajo ua tregoi përgjigjen bijve të popullit të saj. 18 Ditën e shtatë, para perëndimit të diellit, ata i thanë:
«Ç’është më i ëmbël se mjalti?
Ç’është më i fortë se luani?».
Atëherë Samsoni u tha:
«Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time,
gjëegjëzën s’kishit për ta gjetur».
19 Shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin e ai zbriti në Ashkelon. Atje vrau tridhjetë nga burrat e qytetit dhe rrobatç e tyre ua dha atyre që kishin gjetur gjëegjëzën. Pastaj, i ndezur nga zemërimi, u kthye në shtëpinë e të atit.
20 Gruan e Samsonit ia dhanë shoqëruesit të tij, shokut të tij të ngushtë.