Pushtimi i Ajit
1 Zoti i tha Jozuehut: «Mos ki frikë e mos u tremb. Merr me vete të gjithë luftëtarët e shko të sulmosh Ajin. Ja, mbretin e Ajit po ta dorëzoj ty, me gjithë popullin, qytetin e tokën e tij. 2 Vepro me Ajin e me mbretin e tij, siç veprove edhe me Jerikonë e me mbretin e saj, por prenë e luftës e bagëtitë merrini për vete. Ngrini pusi në anën e pasme qytetit».
3 Atëherë Jozuehu e gjithë luftëtarët u bënë gati për të sulmuar Ajin. Jozuehu zgjodhi tridhjetë mijë burra të fortë dhe i nisi natën. 4 U dha këtë urdhër: «Bëni kujdes e rrini në pusi në anën e pasme të qytetit, por mos u largoni shumë prej tij. Të jeni të gjithë gati. 5 Ndërsa unë do t’i afrohem qytetit me të gjithë ata që do të jenë me mua. Kur të dalin banorët për të na sulmuar si herën e parë, ne do të marrim arratinë para tyre. 6 Ata do të na ndjekin pas e kështu do të largohen nga qyteti, sepse do të mendojnë se po ia mbathim para tyre, ashtu si herën e parë. 7 Atëherë ju do të dilni nga pusia e do të pushtoni qytetin. Qytetin do t’jua dorëzojë Zoti, Perëndia juaj. 8 Kur ta pushtoni qytetin, do t’i vini flakën. Do të veproni sipas fjalës së Zotit. Ky është urdhri im». 9 Jozuehu i nisi dhe ata shkuan e zunë pusi midis Betelit e Ajit, në krahun perëndimor të Ajit. Jozuehu e kaloi atë natë me popullin.
10 Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe rreshtoi popullin. Ai dhe pleqtë e popullit dolën në krye. 11 Të gjithë luftëtarët që ishin me Jozuehun iu afruan qytetit nga përpara dhe e ngritën fushimin në krahun verior të Ajit. Midis tyre e Ajit shtrihej një luginë. 12 Pastaj Jozuehu zgjodhi rreth pesë mijë burra e i vuri në pusi midis Betelit e Ajit, në krahun perëndimor të qytetit. 13 Populli e ngriti fushimin në veri të qytetit dhe prapavija shkonte deri në perëndim të tij. Jozuehu e kaloi natën në mes të luginës. 14 Kur mbreti i Ajit pa izraelitët, u ngrit herët në mëngjes e doli me nxitim nga qyteti, bashkë me të gjithë burrat e qytetit, për të sulmuar Izraelin. Ata u vendosën përballë Arabahut, se mbreti nuk e dinte që i kishin ngritur pusi në anën e pasme të qytetit. 15 Jozuehu dhe i gjithë Izraeli bënë sikur ishin mposhtur dhe morën arratinë në drejtim të shkretëtirës. 16 Ishin thirrur të gjithë banorët e Ajit për t’i ndjekur nga pas. Kështu, ata ndoqën Jozuehun e u larguan nga qyteti. 17 Në Aj e në Betel nuk mbeti njeri pa shkuar në ndjekje të izraelitëve. Teksa ndiqnin izraelitët, i lanë hapur portat e qytetit.
18 Atëherë Zoti i tha Jozuehut: «Shtrije në drejtim të Ajit shtizën që ke në dorë, sepse po ta dorëzoj ty qytetin». Jozuehu e shtriu shtizën që kishte në dorë në drejtim të qytetit. 19 Me të shtrirë krahun Jozuehu, ata që kishin ngritur pusinë dolën shpejt nga vendi ku ishin, hynë në qytet, e pushtuan dhe i vunë flakën menjëherë. 20 Kur burrat e qytetit të Ajit, që po ndiqnin izraelitët, kthyen kokën pas dhe panë tymin e qytetit të ngjitej në qiell, mbetën pa fuqi e nuk iknin dot as këtej, as andej. Atëherë izraelitët, që kishin marrë arratinë në drejtim të shkretëtirës, u kthyen për të sulmuar ata që po i ndiqnin. 21 Kur Jozuehu e mbarë Izraeli panë se luftëtarët që kishin ngritur pusi e kishin marrë qytetin dhe se nga qyteti po dilte tym, u kthyen e sulmuan burrat e Ajit. 22 Dolën edhe luftëtarët e tjerë nga qyteti për t’i sulmuar dhe banorët e Ajit u gjendën të rrethuar nga të dyja anët. Izraelitët i goditën derisa nuk mbeti më njeri gjallë. Nuk shpëtoi askush. 23 Mbretin e Ajit e zunë të gjallë dhe ia sollën Jozuehut.
24 Pasi izraelitët vranë e shfarosën me shpata të gjithë banorët e Ajit, që kishin dalë në shkretëtirë për t’i ndjekur nga pas, iu vërsulën qytetit dhe e sulmuan me shpata. 25 Atë ditë u vranë të gjithë banorët e Ajit, dymbëdhjetë mijë burra e gra. 26 Jozuehu nuk e uli krahun, që mbante shtizën, derisa u vranë të gjithë banorët e Ajit. 27 Izraelitët morën për vete vetëm bagëtitë e plaçkën e qytetit, sipas urdhrit që i kishte dhënë Zoti Jozuehut. 28 Atëherë Jozuehu e dogji Ajin dhe e ktheu përgjithnjë në gërmadhë, në një vend të shkretë, siç është edhe sot. 29 Mbretin e Ajit e vari në një pemë dhe e la atje deri në mbrëmje. Kur po perëndonte dielli, Jozuehu dha urdhër ta zbrisnin kufomën prej pemës. Kufomën e hodhën në hyrje të portës së qytetit e mbi të lartuan një pirg të madh gurësh që gjendet aty edhe sot e kësaj dite.
Altari në malin Ebal
30 Jozuehu ndërtoi një altar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, në malin Ebal. 31 Altari u lartua me gurë të palatuar e të papunuar me vegla hekuri, siç i kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit, izraelitët dhe siç është shkruar në librin e ligjit të Moisiut. Mbi altar, izraelitët i kushtuan Zotit fli shkrumbimi e paqtimi. 32 Atje Jozuehu shkroi mbi gurë një kopje të ligjit të Moisiut në prani të izraelitëve. 33 Të gjithë izraelitët bashkë me pleqtë, me krerët e me gjykatësit e tyre, si dhe të huajt që jetonin me ta, qëndronin nga ana e arkës, ndërsa nga ana tjetër qëndronin priftërinjtë levitë që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit. Gjysma qëndronte përballë malit Gerizim, ndërsa gjysma tjetër përballë malit Ebal, ashtu siç kishte urdhëruar më parë Moisiu, shërbëtori i Zotit, të bekohej populli i Izraelit. 34 Pastaj Jozuehu lexoi gjithë fjalët e ligjit, bekimet e mallkimet e tij, ashtu siç ishin shkruar në librin e ligjit. 35 Jozuehu nuk la pa lexuar asgjë nga ato që kishte urdhëruar Moisiu, para bashkësisë së Izraelit, grave, fëmijëve e të huajve që jetonin mes izraelitëve.