Mëkati i Akanit
1 Izraelitët nuk e mbajtën besën për sendet e mallkuara. Akani, biri i Harmiut, të birit të Zabdiut, të birit të Zerahut, nga fisi i Judës, mori disa nga sendet e mallkuara dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër izraelitëve.
2 Jozuehu dërgoi disa burra nga Jerikoja për në Aj, që është afër Betavenit, në lindje të Betelit, e u tha: «Shkoni e përgjoni vendin». Ata shkuan dhe e përgjuan. 3 Pastaj u kthyen e i thanë Jozuehut: «Nuk është nevoja të shkojë i gjithë populli. Le të shkojnë vetëm dy mijë a tre mijë burra për të sulmuar Ajin. Mos e mundo gjithë popullin, se banorët e Ajit janë të paktë në numër». 4 Kështu, u nisën rreth tre mijë burra nga radhët e popullit, por morën arratinë para burrave të Ajit. 5 Burrat e Ajit vranë tridhjetë e gjashtë prej tyre. I ndoqën nga porta e qytetit deri në Shebarim e i goditën përgjatë tatëpjetës. Popullin e lëshoi zemra nga frika e iu bë gjaku ujë.
6 Atëherë Jozuehu shqeu rrobat e ra me fytyrë përdhe para arkës së Zotit deri në mbrëmje, bashkë me pleqtë e Izraelit. Të gjithë hodhën pluhur mbi kokë. 7 Dhe Jozuehu tha: «Mjerë ne, o Zot, Zoti im! Përse e bëre këtë popull të kalojë Jordanin? Për të na lënë në duart e amoritëve, që të na shfarosin? Ah, sikur të kishim zënë vend e të kishim qëndruar përtej Jordanit! 8 Të lutem, o Zot, por çfarë të them tani që Izraeli ka thyer qafën para armiqve të tij? 9 Kananitët do të dëgjojnë për ne dhe mbarë banorët e këtij vendi do të na rrethojnë e do ta zhbijnë emrin tonë nga faqja e dheut. Çfarë do të bësh ti atëherë për nder të emrin tënd të madh?».
10 Zoti i tha Jozuehut: «Ngrihu! Përse ke rënë me fytyrë përdhe? 11 Izraeli ka mëkatuar e ka shkelur besëlidhjen që i kisha urdhëruar. Kanë marrë nga sendet e mallkuara, kanë vjedhur, kanë mashtruar e i kanë fshehur mes plaçkave të tyre. 12 Izraelitët nuk do të mund t’u bëjnë ballë armiqve dhe kanë për të marrë arratinë para tyre, sepse ata vetë u bënë mallkim. Unë nuk do të jem më me ju, derisa të shfarosni mallkimin që është mes jush. 13 E tani, ngrihu, shenjtëro popullin e thuaji: “Shenjtërohuni për nesër, se kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: mallkimi është në gjirin tënd, o Izrael. Nuk do t’i bësh dot ballë armikut, derisa të shfarosësh mallkimin që është në gjirin tënd. 14 Nesër në mëngjes do të paraqiteni sipas fiseve. Fisi, që do të caktojë Zoti, të paraqitet sipas klaneve dhe klani, që do të caktojë Zoti, të paraqitet sipas shtëpive. Meshkujt e shtëpisë, që do të caktojë Zoti, të paraqiten një nga një. 15 Ai që ka marrë nga sendet e mallkuara, do të digjet në zjarr, bashkë me gjithçka i përket, se ka shkelur besëlidhjen e Zotit dhe ka bërë një gjë të turpshme në Izrael”».
16 Jozuehu u zgjua herët në mëngjes dhe i paraqiti izraelitët sipas fiseve. U përzgjodh fisi i Judës. 17 Pastaj paraqiti fisin e Judës dhe u përzgjodh klani i zerahitëve. Nga klani i zerahitëve u përzgjodh shtëpia e Zabdiut. 18 Kur u paraqitën burrat e shtëpisë së tij, u përzgjodh Akani, biri i Harmiut, të birit të Zabdiut, të birit të Zerahut, nga fisi i Judës. 19 Atëherë Jozuehu i tha Akanit: «Biri im, jepi lavdi Zotit, Perëndisë së Izraelit, e rrëfehu para tij. Tregomë çfarë ke bërë e mos më fshih gjë». 20 Akani iu përgjigj Jozuehut: «Është e vërtetë se jam unë që kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë së Izraelit. Ja çfarë kam bërë: 21 mes presë së luftës pashë një gunë shumë të bukur Shinari, dy kilogramë argjend dhe një shufër ari që peshon gjysmë kilogram. Më pëlqyen shumë, prandaj i mora e i fsheha nën dhe, në mes të tendës. Argjendin e kam fshehur poshtë tyre».
22 Jozuehu dërgoi disa njerëz të shkonin me nxitim te tenda e Akanit. Atje gjetën sendet e fshehura dhe argjendin, fshehur poshtë tyre. 23 I nxorën nga tenda, për t’ia sjellë Jozuehut e gjithë popullit të Izraelit e i vunë para Zotit. 24 Atëherë Jozuehu dhe i gjithë populli morën Akanin, birin e Zerahut, argjendin, gunën dhe shufrën e arit, bashkë me bijtë e bijat e tij, me qetë, gomarët e delet e tij, tendën e gjithçka i përkiste, e i çuan në luginën e Akorit. 25 Jozuehu u tha: «Përse na e solle këtë fatkeqësi? E pra, sot, Zoti po ta sjell ty fatkeqësinë». Pastaj i gjithë Izraeli e vrau Akanin me gurë. Si i vranë të gjithë me gurë, i dogjën në zjarr. 26 Mbi të hodhën një grumbull të madh gurësh, që është aty edhe sot e kësaj dite. Atëherë zemërimi i zjarrtë i Zotit u fashit, prandaj dhe ai vend quhet deri më sot lugina e Akorit.