Ligji i Përtërirë 33

Bekimi përfundimtar

Moisiu, njeriu i Perëndisë, i bekoi kështu izraelitët para se të vdiste:

«Zoti erdhi prej Sinait,

prej Seirit rrezatoi mbi ta,

vezulloi prej malit Paran,

bashkë me mijëra të shenjtë.

Zjarr flakërues,

lëshonte dora e tij e djathtëj.

Ti që popujt i do,

në dorë i ke gjithë të shenjtët.

Nën këmbët e tua, ata përulen,

e fjalën tënde zbatojnë,

ligjin, që na dha Moisiu,

si trashëgimi për bashkësinë e Jakobit.

Mbret i Jeshurunit u bë Zoti,

kur u mblodhën krerët e popullit,

të gjitha fiset e Izraelit.

Rroftë Rubeni e mos u shoftë,

edhe pse i vogël në numër».

Këtë i tha Judës:

«Dëgjoje, o Zot, zërin e Judës,

ktheje te populli i vet.

Duart i pastë gati për luftë,

prej kundërshtarëve shpëtoje».

Levit i tha:

«Tumimi e Urimi yt,

qoftë me besëtarin.

Atë e sprovove në Masë,

në ujërat e Meribës me të u grinde.

Për nënën e atin e vet tha:

“Nuk i këqyr!”,

vëllanë nuk e pranoi,

bijtë e vet nuk i njohu,

për të mbajtur fjalën tënde,

besëlidhjen tënde për të ruajtur.

10 Do t’ia mësojë Jakobit vendimet e tua,

Izraelit, ligjin tënd.

Temjan do të djegin para teje,

fli shkrumbimi mbi altarin tënd.

11 Bekoje, o Zot, fuqinë e tij,

pranoji veprat e duarve të tij.

Kundërshtarët e tij këputi në mes,

mos ngritshin më krye armiqtë e tij».

12 Benjaminit i tha:

«I dashuri i Zotit jeton i sigurt pranë tij,

gjithë ditën nën mbrojtjen e tij.

Në kraharorin e Zotit banon ai».

13 Jozefit i tha:

«Toka e tij, bekim prej Zotit,

prej stolive të vesës së qiellit,

të ujërave që shtrihen nën dhe,

14 prej dhuratave që prodhon dielli,

që sjell çdo hënë e re,

15 prej të përzgjedhurave të bjeshkëve të moçme,

prej begatisë së kodrave të amshuara,

16 prej të mirave e plotësisë së dheut,

dhe përkrahjes së atij që në shkurre u duk.

Ia mbulofshin kryet Jozefit,

ballin e të shuguruarit mes vëllezërve.

17 Madhështor si i parëlinduri i mëzatit,

e me bri si ato të kaut,

që me to shpon popujt

e tokën anekënd.

E tillë është moria e Efraimit

e mijërat e Manaseut».

18 Zabulonit i tha:

«Gëzohu, o Zabulon, në rrugëtimet e tua

e ti Isahar në tendat e tua.

19 Do të thërrasin popujt në mal,

për të kushtuar fli drejtësie.

Do të gëzojnë pasuritë e detit

e thesaret e fshehta të rërës».

20 Gadit i tha:

«Bekuar qofshin hapësiratk e Gadit,

si luan ai shtrihet

e shqyen fund e krye.

21 Zgjodhi për vete më të mirën,

se kur krerët e popullit u mblodhën,

hise prijësish ai mori.

Drejtësinë e Zotit, ai zbatoi,

vendimet e tij bashkë me Izraelin».

22 Danit i tha:

«Dani është pjellë luani

që kërcen prej Bashanit».

23 Neftaliut i tha:

«Neftaliu u kënaq me hir,

përplot me bekimet e Zotit.

Zotëron perëndimin e jugun».

24 Asherit i tha:

«Qoftë Asheri ndër më të bekuarit e fëmijëve,

i pëlqyeshëm ndër vëllezërit e tij.

Këmbët i laftë me vaj.

25 Shulat i pastë prej hekuri e bronzi

e fuqia i qoftë përjetë».

26 «Nuk ka si Perëndia, o Jeshurun.

Kalëron qiej e re me madhështi,

që në ndihmë të të vijë.

27 Strehë është Perëndia i amshuar,

përkrahje krahët e tij të përjetshëm.

Armiqtë i zbon para teje,

“Shkatërrojini”, ai urdhëron.

28 Izraeli banon i sigurt,

rrjedhal e Jakobit e qetë,

në tokën e drithit e të verës,

ku vesa e qiellit rigon.

29 Lum ti, o Izrael.

Cilin popull shpëtoi Zoti si ti?

Ai është mburoja që të mbron,

shpata që lavdi të sjell.

Armiqtë do të të lëpihen,

e ti do t’i shtypësh me këmbë».


 j33.2 ose: Erdhi prej Meribë Kadeshit, prej jugut të Eshdatit

 k33.20 ose: ai që zgjeron Gadin

 l33.28 ose: banesa