Ligji i Përtërirë 32

«Mba vesh, o qiell, se do të flas,

dëgjoji, o tokë, fjalët e gojës sime.

U derdhtë mësimi im si shiu,

pikoftë kumti im si vesa,

si pikëlimi mbi bar,

si rrebeshi mbi livadh.

Emrin e Zotit do ta shpall.

Madhërojeni Perëndinë tonë!.

Shkëmb ai, të përsosura veprat e tij,

të drejta të gjitha udhët e tij.

Perëndi besnik, në të nuk ka padrejtësi.

I drejtë e i vërtetë është ai.

Kjo brezni e shthurur dhe e mbrapshtë mëkatoi kundër tij

e për faj të vet bij të tij nuk janë.

A kështu ia shpërblen Zotit,

o popull i marrë e i pamend?

A s’është ati yt, që të krijoi,

ai që të bëri e të themeloi?

Kujto kohët e moçme,

shqyrto vitet e breznive të hershme,

pyet tët atë e ai do të të tregojë,

pyet pleqtë e ata do të të rrëfejnë.

Kur i Tejlarti u dha kombeve trashëgimi,

kur njerëzimin ai e ndau,

kufijtë e popujve i caktoi,

sipas numrit të bijve të Izraelit.

Pjesë e Zotit është populli i tij,

Jakobi, trashëgimia e tij.

10 E gjeti në një vend të shkretë,

në një djerrinë ku humbëtira jehon.

E përqafoi e për të u kujdes,

e ruajti si beben e syrit.

11 Porsi shqiponja që folenë vrojton,

e mbi zogjtë e saj flatron.

Zoti krahët i shtriu, e kapi,

e mbi vete e mbarti.

12 I vetëm Zoti e udhëhoqi,

asnjë perëndi i huaj nuk ishte me të.

13 E vuri të kalërojë mbi bjeshkët e dheut

e prodhime fushe ai hëngri.

E mëkoji me mjaltë prej shkëmbi,

me vaj prej shkrepit të strallit,

14 me gjalpë gjedhi e qumësht dhensh,

me dhjamë qengjash e deshësh,

me qe Bashani e cjep,

bashkë me drithë të përzgjedhur.

Gjak rrushi, ti porsi verë pive.

15 Por Jeshurunih u majm e hodhi vickla,

u majm, u dend e u trash,

harroi Perëndinë që e krijoi,

përçmoi shkëmbin që e shpëtoi.

16 E bënë xheloz, me hyjni të huaja,

me poshtërsi e ngucën.

17 U kushtuan fli djajve e jo Perëndisë,

perëndive që s’i njihnin,

perëndive të sapoardhur,

që as etërit tuaj nuk i kishin frikë.

18 Shkëmbin që të lindi e harrove,

e le mënjanë Perëndinë që të dha jetë.

19 Zoti e pa dhe i përbuzi,

se e ngucën bijtë e bijat e veta.

20 “Do ta fsheh fytyrën”, tha,

“Do të shoh ç’fund do të kenë,

se janë brezni e mbrapshtë,

fëmijë të pabesë.

21 Me perëndi të paqena më bënë xheloz,

me kotësi më ngucën.

Ndaj dhe unë, xhelozë do t’i bëj,

me një popull të paqenë,

e me një komb të pamend do t’i nguc.

22 Se flakë m’u ndez zemërimi,

flakë që djeg skëterrën thellë,

që përzhit tokë e fryt,

që me themel malet i shkrumbon.

23 Me ligësi do t’i kaploj,

shigjetat mbi ta do t’i shteroj.

24 Do të veniten nga uria,

do të sharrojnë nga murtaja

e nga i hidhuri shfarim.

Do të çoj bisha për t’i shqyer me dhëmbë,

bashkë me helmin e zvarritësit të pluhurit.

25 Do t’i grijë përjashta shpata

e brenda lemeria,

të riun, edhe vashën,

foshnjën bashkë me burrin plak.

26 Copë-copë, thashë t’i bëja,

fshirë nga kujtesa e njerëzve,

27 por druaj se armiqtë do të mburreshin,

do të gënjeheshin kundërshtarët e do të thoshin:

‘Dora jonë, ajo ngadhënjeu,

të gjitha këto nuk i bëri Zoti’”.

28 Popuj ku arsyeja ka marrë fund,

ku gjykimi s’ka më vend.

29 Në ishin të urtë, do ta kuptonin,

do ta merrnin vesh fundin që i pret.

30 Si mundet njëri të ndjekë një mijë

e dy të zmbrapsin mijëra,

po mos qe Shkëmbi që i shiti,

Zoti që i dorëzoi?

31 Se shkëmbi i tyre s’është si i yni,

kështu mendojnë edhe armiqtë tanë.

32 Hardhia e tyre, hardhi Sodome,

prej vreshtave të Gomorrës.

Rrushi i tyre, rrush helmi,

vilet të hidhura i kanë.

33 Vera e tyre, vrer gjarpërinjsh,

helm i tmerrshëm shlligash.

34 A nuk i kam ruajtur këto pranë vetes,

a nuk i kam kyçur në visaret e mia?

35 Derisa të vijë ditai e hakmarrjes dhe e shpagimit,

derisa këmba t’u rrëshqasë,

se afër është dita e shkatërrimit,

fati i tyre shpejt nxiton.

36 Zoti do të bëjë drejtësi për popullin e tij,

do të ketë dhembshuri për shërbëtorët e tij,

kur të shohë se e lanë fuqitë

e se s’ka më rob e të lirë.

37 Veçse ai do të thotë:

“Ku janë perënditë e tyre,

shkëmbi ku kërkonin strehë,

38 ata që hëngrën dhjamin e flijuar

dhe pinë verën e blatuar?

Të ngrihen, pra, e t’ju shpëtojnë,

ata t’ju strehojnë”.

39 Shikoni, pra, se unë

e vetëm unë jam Perëndi,

e krah meje s’ka tjetër.

Unë vras e kthej në jetë,

unë gjymtoj e shëroj.

Prej meje s’ka kush të të shpëtojë.

40 Dorën ngre drejt qiellit e betohem:

“Pasha jetën time të amshuar,

41 do ta mpreh shpatën që vezullon,

do ta rrokë dora ime gjykimin,

do t’u hakmerrem armiqve,

e hasmit do t’ia shpërblej.

42 Me gjak do t’i deh shigjetat e mia,

me mish shpatën do ta ngop,

me gjakun e të vrarëve e të robërve,

me kokat e prijësve armiq”.

43 Ngazëlloni, o kombe, me popullin e tij,

se e shpagoi gjakun e shërbëtorëve të tij,

kundërshtarëve ua shpërbleu,

e shleu tokën e popullit të tij».

44 Atëherë Moisiu shkoi bashkë me Hosenë, birin e Nunit dhe këndoi të gjithë këtë këngë, që populli ta dëgjonte. 45 Kur e mbaroi këngën para gjithë Izraelit, 46 Moisiu u tha: «Thadrojini në zemër të gjitha këto fjalë që unë po i dëshmoj sot kundër jush. Urdhërojini fëmijët, që t’i mbajnë e zbatojnë të gjitha fjalët e këtij ligji, 47 sepse nuk janë të kota. Falë kësaj fjale do të jetoni e do të rroni gjatë në tokën që do të trashëgoni përtej Jordanit».

Vdekja e Moisiut

48 Po atë ditë Zoti i tha Moisiut: 49 «Ngjitu në malin Abarim, në malin Nebo që është në tokën e Moabit, përballë Jerikosë e shikoje tokën e Kanaanit që po u jap izraelitëve për ta pushtuar. 50 Do të vdesësh në malin ku do të ngjitesh. Atje do të bashkohesh me të parët e tu, siç vdiq Aroni në malin Hor e u bashkua me të parët e vet. 51 Ju u treguat të pabesë ndaj meje, në mes të izraelitëve, tek ujërat e Meribë Kadeshit, në shkretëtirën e Cinit, se nuk më shenjtëruat në mes të izraelitëve. 52 Do ta shohësh tokën nga larg, por nuk do të hysh në të, në vendin që unë po u jap izraelitëve».


 h32.15 të tjerë: Jakobi u ngop, Jeshuruni u majm

 i32.35 të tjerë: Mua më përket hakmarrja dhe shpërblimi

 j33.2 ose: Erdhi prej Meribë Kadeshit, prej jugut të Eshdatit