Ligji i Përtërirë 30

Pendimi dhe falja

«Kur të bien mbi ty të gjitha këto bekime e mallkime, që po t’i parashtroj, kur të jesh mes kombeve, ku Zoti, Perëndia yt, do të të degdisë, dhe të bie në mend për to e kthehesh drejt Zotit, Perëndisë tënd, ti e fëmijët e tu, e dëgjon zërin e tij me gjithë zemër e shpirt në çdo gjë që unë po të urdhëroj sot, atëherë Zoti, Perëndia yt, do të ta ndryshojë fating e do të ketë mëshirë për ty. Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë nga të gjithë popujt mes të cilëve të shpërndau. Edhe po të jesh degdisur në fund të botës, Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë e do të të marrë prej andej. Zoti, Perëndia yt, do të të çojë te vendi që etërit e tu zotëronin e ti do ta pushtosh. Do të të bekojë me mirësi e begati më shumë se etërit e tu.

Zoti, Perëndia yt, do të ta rrethpresë zemrën ty e pasardhësve të tu, që ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt dhe kështu do të jetosh. Atëherë Zoti, Perëndia yt, do t’i hedhë këto mallkime mbi armiqtë e mbi kundërshtarët që të përndjekin. Ti do të kthehesh e do ta dëgjosh zërin e Zotit. Do t’i zbatosh të gjitha urdhërimet e tij, që unë po të urdhëroj sot. Zoti, Perëndia yt, do ta begatojë çdo punë tënden, frytin e barkut, të kafshëve e të dheut, sepse Zoti do të ngazëllehet sërish me ty, siç ngazëllehej me etërit e tu, 10 ngaqë e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd, i mbajte urdhërimet dhe rregullat e tij, të shkruara në këtë libër të ligjit, e u ktheve me gjithë zemër e shpirt drejt Zotit, Perëndisë tënd.

Vendimi

11 Ky urdhër që po të jap sot nuk është as i pakuptueshëm e as i pakapshëm. 12 Nuk është në qiell, që të thuhet: “Kush do të ngjitet në qiell, që të na e sjellë e të na e shpallë për ta zbatuar?”. 13 Nuk është përtej detit, që të thuhet: “Kush do të shkojë përtej detit, që të na e sjellë e të na e shpallë për ta zbatuar?”. 14 Ja, fjala është fare pranë teje. Është në gojën tënde e në zemrën tënde, që ta zbatosh.

15 Shiko, sot po të parashtroj jetën e të mirën, vdekjen e të keqen. 16 Nëse u bindesh urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tëndgj, të cilat t’i urdhërova sot, që ta duash Zotin, Perëndinë tënd, ta ndjekësh udhën e tij e t’i mbash urdhërimet, rregullat dhe vendimet e tij, atëherë do të rrosh dhe Zoti, Perëndia yt, do të të shtojë e do të të bekojë në tokën ku po hyn për ta pushtuar. 17 Nëse nuk bindesh e nuk dëgjon, joshesh, adhuron perëndi të tjerë e u shërben atyre, 18 atëherë sot po të shpall se do të marrësh fund krejt. Nuk do të jetosh gjatë në tokën që po hyn për të pushtuar përtej Jordanit. 19 Qielli e toka qofshin sot dëshmitarë se po ju parashtroj jetën e vdekjen, bekimin e mallkimin. Zgjidh, pra, jetën, që të jetosh ti e pasardhësit e tu. 20 Duaje Zotin, Perëndinë tënd, dëgjoje zërin e tij e mbahu fort pas tij, sepse ai është jeta dhe mbushullia e ditëve të tua. Kështu do të banosh në vendin, për të cilin Zoti iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut e Jakobit, se do të ta jepte ty».


 g30.3 të tjerë: do të të kthejë nga skllavëria

 gj30.16 ose: Unë të urdhëroj sot që ta duash Zotin, Perëndinë tënd