Gurët e ligjit
1 Moisiu dhe pleqtë e Izraelit e urdhëruan popullin: «Mbaji të gjitha urdhërimet që të urdhërova sot. 2 Ditën kur të kalosh përtej Jordanit, në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, vër dy gurë të mëdhenj e zbardhi me gëlqere. 3 Shkruaj mbi to çdo fjalë të këtij ligji kur të kalosh përtej e të hysh në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë, siç të premtoi Zoti, Perëndia i etërve të tu. 4 Kur të kaloni përtej Jordanit, vërini këto gurë siç po ju urdhëroj sot, në malin Ebal dhe zbardhini me gëlqere. 5 Atje ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd. Altari të jetë prej guri e të mos punohet me vegël hekuri. 6 Gurët e altarit të Zotit, Perëndisë tënd, të jenë të palatuar. Kushto mbi to fli shkrumbimi për Zotin, Perëndinë tënd. 7 Kushto edhe fli paqtimi, haji aty e festo para Zotit, Perëndisë tënd. 8 Shkruaj mirë e qartë mbi gurë çdo fjalë të këtij ligji».
9 Pastaj Moisiu e priftërinjtë levitë i thanë mbarë Izraelit: «Hesht e dëgjo, o Izrael. Sot u bëre populli i Zotit, Perëndisë tënd. 10 Dëgjoje zërin e Zotit, Perëndisë tënd. Mbaji urdhërimet e rregullat e tij që unë po të urdhëroj sot».
Mallkimet
11 Atë ditë Moisiu e urdhëroi popullin e i tha: 12 «Kur të kaloni përtej Jordanit, këto janë fiset që do të qëndrojnë në malin Gerizim për të bekuar popullin: Simeoni, Levi, Juda, Isahari, Jozefi e Benjamini. 13 Këto janë fiset që do të qëndrojnë në malin Ebal për të mallkuar: Rubeni, Gadi, Asheri, Zabuloni, Dani e Neftaliu. 14 Levitët do t’u shpallin me zë të lart mbarë burrave të Izraelit:
15 “Mallkuar qoftë ai që bën fshehurazi idhuj të gdhendur apo të metaltë. Kjo vepër e duarve të mjeshtrit i neveritet Zotit”. Atëherë tërë populli të përgjigjet e të thotë: “Amen!”.
16 “Mallkuar qoftë ai që e përbuz të atin e të ëmën”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
17 “Mallkuar qoftë ai që lëviz kufijtë e të afërtit”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
18 “Mallkuar qoftë ai që e çon të verbrin në rrugë të gabuar”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
19 “Mallkuar qoftë ai që shkel të drejtën e të ardhurit, të jetimit e të vesë”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
20 “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me gruan e të atit dhe kështu e turpëron të atin”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
21 “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me ndonjë kafshë”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
22 “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me të motrën, nga i ati apo nga e ëma”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
23 “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me të vjehrrën”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
24 “Mallkuar qoftë ai që godet fshehurazi të afërtin”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
25 “Mallkuar qoftë ai që merr mitë, për të derdhur gjak të pafajshëm”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
26 “Mallkuar qoftë ai që nuk i mban e nuk zbaton fjalët e këtij ligji”. Tërë populli të thotë: “Amen!”».