Lufta kundër Midianit
1 Zoti foli me Moisiun e i tha: 2 «Merr hak prej midianitëve për hir të izraelitëve. Pastaj do të vdesësh e do të varrosesh bashkë me popullin tënd». 3 Moisiu i tha popullit: «Armatosni disa luftëtarë mes jush që t’i bien Midianit e të kryejnë hakmarrjen e Zotit kundër tij. 4 Çdo fis i Izraelit të dërgojë një mijë luftëtarë». 5 Kështu u mblodhën një mijë veta prej çdo fisi të Izraelit, gjithsej dymbëdhjetë mijë luftëtarë. 6 Moisiu i dërgoi këta bashkë me Finehasin, birin e priftit Eleazar. Atij i dorëzoi enët e shenjta dhe trumbetat e kushtrimit. 7 Luftuan kundër Midianit, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, dhe i vranë të gjithë meshkujt. 8 Ata vranë edhe pesë mbretërit e Midianit, Eviun, Rekemin, Curin, Hurin e Rebain. Vranë me shpatë edhe Balaamin, birin e Beorit. 9 Izraelitët morën rob gratë e Midianit dhe fëmijët e tyre. Plaçkitën edhe kafshët, bagëtitë e tërë pasurinë e tyre. 10 I dogjën të gjitha qytetet e banuara dhe fushimet e tyre, 11 por prenë që zunë, njerëz e kafshë, e morën me vete. 12 I sollën te Moisiu, te prifti Eleazar dhe te bashkësia e izraelitëve, te fushimi në stepën e Moabit që është pranë Jordanit, kundruall Jerikosë.
Robërit e luftës
13 Atëherë Moisiu, prifti Eleazar e tërë prijësit e bashkësisë u dolën përpara që t’i takonin përjashta fushimit. 14 Moisiu u zemërua me prijësit e ushtrisë, me komandantët e njësive njëmijëshe dhe njësive njëqindëshe që po ktheheshin nga beteja. 15 Ai u tha: «Pse i keni lënë gjallë të gjitha femrat? 16 Ishin ato që, të mësuara nga Balaami, i nxitën izraelitët të tradhtonin Zotin në rastin e Peorit dhe, prandaj, bashkësia e Zotit u godit me plagë. 17 Tani vritini të gjithë fëmijët meshkuj dhe të gjitha gratë që kanë fjetur me ndonjë burrë. 18 Vajzat e reja, që nuk kanë fjetur me ndonjë burrë, lërini gjallë. 19 Qëndroni jashtë fushimit për shtatë ditë. Kushdo që ka vrarë dikë apo ka prekur ndonjë kufomë, të pastrohet ditën e tretë. Pastroni veten, robërit tuaj, 20 të gjitha rrobat, të gjitha orenditë prej lëkure, çdo gjë të punuar me lesh dhie e të gjitha orenditë prej druri».
21 Atëherë prifti Eleazar u tha luftëtarëve që kishin shkuar në luftë: «Ky është rregulli ligjor që Zoti i ka urdhëruar Moisiut: 22 “Arin, argjendin, bronzin, hekurin, kallajin, 23 çdo gjë që e duron zjarrin, kalojini nëpër zjarr që të pastrohen. Të pastrohen edhe me ujin e pastrimit. Çdo gjë që nuk e duron zjarrin të lahet me ujë. 24 Ditën e shtatë lani rrobat tuaja, që të jeni të pastër. Atëherë mund të hyni në fushim”».
Ndarja e presë
25 Zoti i tha Moisiut: 26 «Ti, prifti Eleazar dhe krerët e fiseve të bashkësisë numëroni njerëzit dhe kafshët e zëna rob. 27 Ndajini midis luftëtarëve që shkuan në luftë dhe tërë bashkësisë. 28 Nga pjesa që u takon luftëtarëve që shkuan në luftë, merr si tagër për Zotin një kokë për çdo pesëqind njerëz, qe, gomarë e dhen. 29 Këtë merre nga gjysma e tyre dhe jepja priftit Eleazar si dhuratë për Zotin. 30 Nga gjysma tjetër, që u takon izraelitëve, merr një për çdo pesëdhjetë njerëz e kafshë, qofshin ato qe, gomarë apo dhen, e jepua levitëve që kujdesen për shërbesën e tendës së Zotit». 31 Moisiu e prifti Eleazar bënë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
32 Shuma përfundimtare e presë së zënë nga luftëtarët ishte gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë dhen, 33 shtatëdhjetë e dy mijë qe, 34 gjashtëdhjetë e një mijë gomarë dhe 35 tridhjetë e dy mijë femra që nuk kishin fjetur me mashkull. 36 Gjysma që u takoi atyre që shkuan në luftë ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dhen, 37 për të cilat tagri i Zotit ishte gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë krerë; 38 tridhjetë e gjashtë mijë qe, për të cilat tagri i Zotit ishte shtatëdhjtë e dy krerë; 39 tridhjetë mijë e pesëqind gomarë, për të cilat tagri i Zotit ishte gjashtëdhjetë e një krerë; 40 dhe gjashtëmbëdhjetë mijë veta, për të cilat tagri i Zotit ishte tridhjetë e dy vetë. 41 Tagrin e dhuratës së Zotit Moisiu ia dha priftit Eleazar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti.
42 Gjysma tjetër që Moisiu e ndau nga pjesa e luftëtarëve, 43 gjysma që i takoi bashkësisë, ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dhen, 44 tridhjetë e gjashtë mijë qe, 45 tridhjetë mijë e pesëqind gomarë 46 dhe gjashtëmbëdhjetë mijë veta. 47 Nga gjysma e pjesës së izraelitëve, Moisiu mori një kokë për çdo pesëdhjetë njerëz e kafshë. Këto ua dha levitëve që kujdesen për shërbesën e tendës së Zotit, siç e kishte urdhëruar Zoti.
Kushtime
48 Atëherë komandantët e njësive ushtarake njëmijëshe e njëqindëshe iu afruan Moisiut 49 e i thanë: «Ne, shërbëtorët e tu, i numëruan luftëtarët që komandojmë e nuk na mungon asnjëri. 50 Prandaj secili i ka paraqitur Zotit si dhuratë sendet që mblodhi, stoli ari, rrathë këmbësh e duarsh, unaza, vathë e varëse. Këto të shërbejnë para Zotit si shlyerje për jetën tonë». 51 Moisiu dhe prifti Eleazar morën prej tyre çdo lloj stolie të punuar me ar. 52 I gjithë ari që komandantët e njësive njëmijëshe e njëqindëshe i dhuruan Zotit peshonte dyqind kilogramë. 53 Luftëtarët e mbajtën për vete prenë që kishin zënë. 54 Moisiu e prifti Eleazar e morën arin nga komandantët e njësive njëmijëshe e njëqindëshe dhe e sollën te tenda e takimit, që të shërbejë para Zotit si përkujtimore për izraelitët.