Ujërat e Meribës
1 Në muajin e parë, tërë bashkësia izraelite mbërriti në shkretëtirën e Cinit e populli qëndroi në Kadesh. Atje vdiq e u varros Mirjama.
2 Atje nuk kishte ujë për bashkësinë, prandaj u mblodhën kundër Moisiut e Aronit. 3 Populli u grind me Moisiun e i tha: «Ah, sikur të kishim vdekur edhe ne kur na vdiqën vëllezërit para Zotit. 4 Përse e sollët bashkësinë e Zotit në këtë shkretëtirë, që të vdesim këtu ne dhe bagëtitë tona? 5 Përse na nxorët nga Egjipti e na sollët në këtë vend të keq? Ky s’është vend ku mund të mbillet. Nuk ka as fiq, as vreshta, as shegë e as ujë për të pirë». 6 Atëherë Moisiu e Aroni u larguan nga bashkësia e shkuan në hyrje të tendës së takimit. Ata ranë me fytyrë përdhe e iu shfaq lavdia e Zotit. 7 Zoti i tha Moisiut: 8 «Merre shkopin e bashkë me Aronin, vëllanë tënd, mblidhe bashkësinë. Flitini shkëmbit në sy të të gjithëve, që të nxjerrë ujë. Kështu do t’u nxjerrësh ujë nga shkëmbi e do t’i japësh për të pirë bashkësisë e bagëtive».
9 Moisiu e mori shkopin prej pranisë së Zotit siç e kishte urdhëruar Zoti. 10 Ai bashkë me Aronin e mblodhi bashkësinë para shkëmbit e u tha: «Dëgjoni, o kryengritës! Doni t’ju nxjerrim ujë nga ky shkëmb?». 11 Atëherë Moisiu e ngriti dorën, i ra shkëmbit dy herë me shkop e prej tij doli shumë ujë. Kështu, pinë bashkësia e bagëtia. 12 Por, Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Nuk do ta çoni këtë bashkësi në tokën që u kam dhënë, sepse nuk më besuat për të më shenjtëruar para izraelitëve». 13 Këto janë ujërat e Meribës, ku izraelitët u grindën me Zotin dhe ku ai u tregua i shenjtë mes tyre.
Kalimi përmes Edomit
14 Moisiu dërgoi nga Kadeshi disa lajmëtarë te mbreti i Edomit e i tha: «Kështu thotë Izraeli, vëllai yt: ti i di të gjitha vështirësitë që kemi hasur, 15 sesi etërit tanë shkuan në Egjipt, sesi banuam atje për një kohë të gjatë e sesi egjiptianët na keqtrajtuan ne dhe etërit tanë. 16 Ne i thirrëm Zotit. Ai na dëgjoi, dërgoi një engjëll e na nxori nga Egjipti. Tani jemi në Kadesh, qytet në kufi me vendin tënd. 17 Na lër pra, të kalojmë përmes tokës tënde. Nuk do të kalojmë nëpër ara e nëpër vreshta e nuk do të pimë ujë nga burimet. Do të ecim rrugës mbretërore, nuk do shmangemi as majtas, as djathtas derisa të kalojmë përtej kufijve të tu».
18 Por Edomi iu përgjigj: «Nuk do të kaloni. Përndryshe do të dal t’ju pres me shpatë». 19 Izraelitët i thanë: «Do të shkojmë rrugës kryesore. Nëse unë e kafshët e mia pimë ujin tënd, do ta paguaj. Nuk po të kërkojmë shumë, na lër vetëm të kalojmë më këmbë». 20 Edomi u tha: «Nuk do të kaloni!» dhe u doli përpara me një ushtri të madhe e të fuqishme. 21 Kështu Edomi nuk e lejoi Izraelin të kalojë përmes kufijve të tij dhe Izraeli u largua.
Vdekja e Aronit
22 Atëherë tërë bashkësia izraelite u nis nga Kadeshi dhe mbërriti në malin Hor. 23 Kur ishin në Hor, që është në kufi me tokën e Edomit, Zoti i tha Moisiut e Aronit: 24 «Aroni do të bashkohet me të parët. Ai nuk do të hyjë në tokën që u kam dhënë izraelitëve, sepse ngritët krye kundër meje tek ujërat e Meribës. 25 Merr me vete Aronin e birin e tij, Eleazarin, dhe ngjiti në malin Hor. 26 Zhvishja rrobat Aronit e vishja Eleazarit, birit të tij. Aroni do të bashkohet me të parët. Ai do të vdesë atje». 27 Moisiu bëri siç i urdhëroi Zoti. Ata u ngjitën në malin Hor para tërë bashkësisë. 28 Moisiu ia zhveshi rrobat Aronit e ia veshi Eleazarit, birit të tij. Aroni vdiq në majë të malit. Pastaj Moisiu dhe Eleazari zbritën nga mali 29 dhe mbarë bashkësia e pa që Aroni kishte vdekur. Atëherë tërë shtëpia e Izraelit e vajtoi për tridhjetë ditë.