Numrat 12

Mirjama dhe Aroni kundër Moisiut

Mirjama e Aroni folën kundër Moisiut për shkak të gruas kushite që kishte marrë. Ata thanë: «A thua Zoti ka folur vetëm përmes Moisiut? A nuk ka folur edhe përmes nesh?». Zoti i dëgjoi. Moisiu ishte njeri shumë i përulur, më i përuluri ndër tërë njerëzit mbi faqen e dheut. Zoti foli menjëherë me Moisiun, Aronin e Mirjamën e u tha: «Ejani të tre në tendën e takimit». Ata shkuan të tre. Atëherë Zoti zbriti në shtyllën e resë dhe qëndroi në hyrje të tendës. Ai thirri Aronin e Mirjamën. Ata shkuan të dy. Zoti u tha:

«Dëgjoni fjalët e mia!

Profetit të Zotit mes jush

i dëftehem në vegim,

në ëndërr i flas.

Me Moisiun, shërbëtorin tim,

nuk sillem kështu.

Tërë shtëpia ime

i besohet atij.

Goja-gojës flas me të,

hapur e jo me gjëza.

Pamjen e Zotit ai vështron.

Frikë si nuk patët, pra,

kundër Moisiut, shërbëtorit tim, të flisnit?».

Zoti u zemërua me ta e u largua.

10 Kur reja u largua nga tenda, Mirjamën e zuri lebra. Lëkura e saj u bë e bardhë si bora. Aroni u kthye drejt Mirjamës dhe vuri re që e kishte zënë lebra. 11 Atëherë ai i tha Moisiut: «Imzot, të lutem mos na e ngarko fajin që me marrëzi bëmë e mëkatuam. 12 Mos e lër Mirjamën si një foshnjë të vdekur që në bark të nënës, me mishin gjysmë të kalbur». 13 Atëherë Moisiu i thirri Zotit: «O Perëndi, të lutem shëroje!». 14 Zoti iu përgjigj: «Po ta kishte pështyrë i ati në fytyrë, a nuk do të turpërohej për shtatë ditë? Largojeni pra, nga fushimi për shtatë ditë e pastaj të kthehet». 15 Kështu Mirjama u largua nga fushimi për shtatë ditë dhe populli nuk u nis prej andej derisa u kthye ajo. 16 Pastaj populli u nis nga Haceroti e fushoi në shkretëtirën e Paranit.