Numrat 11

Populli murmurit

Populli murmuriti ligësisht kundër Zotit. Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër tyre dhe zjarri i zemërimit të tij përpiu skajet e fushimit. Populli i thirri Moisiut. Ai iu lut Zotit e zjarri u shua. Kështu, ai vend u quajt Taberah, sepse atje zjarri i Zotit u ndez kundër tyre.

Gjindjen e huaj që ishte me popullin e Izraelit e kapi grykësia. Atyre iu bashkuan edhe izraelitët e filluan të qahen sërish: «Kush do të na japë mish për të ngrënë? Ende na kujtohet peshku që hanim falas në Egjipt, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët e hudhrat. Por tani, na është tharë barku e s’na shohin sytë gjë tjetër veç manës!».

Mana ishte si fara e koriandrës, nga ngjyra i ngjante bdelit. Populli dilte anembanë, e mblidhte, e bluante në mokër ose e shtypte në havan. Pastaj e ziente në kusi dhe e bënte kulaç. Shijen e kishte si kulaçi me vaj. Kur binte vesa e natës në fushim, binte edhe mana.

10 Moisiu dëgjoi si qahej populli, çdo familje e çdo njeri, në tendën e vet. Zoti u zemërua shumë dhe Moisiu u mërzit. 11 Atëherë Moisiu i tha Zotit: «Përse e mundon shërbëtorin tënd? Përse nuk gjeta hir para teje, që ma ngarkove si barrë tërë këtë popull? 12 Mos e ngjiza dhe e polla unë tërë këtë popull që të më thuash mbaje në gji ashtu siç e mban mëndesha foshnjën, deri sa të arrijë në vendin që iu premtove etërve të tij? 13 Ku ta gjej mishin për tërë këtë popull që më qahet e më thotë: “Na jep mish për të ngrënë!”? 14 Unë s’e mbaj dot vetëm barrën e tërë këtij populli, sepse është tepër e rëndë për mua. 15 Po u solle kështu me mua, vritmë një herë e mirë në më do, që të mos e shoh më mjerimin tim».

Shtatëdhjetë pleqtë

16 Zoti i tha Moisiut: «Më mblidh shtatëdhjetë burra nga pleqtë e Izraelit që i njeh si të tillë dhe silli te tenda e takimit. Të paraqiten atje bashkë me ty. 17 Atje do të zbres edhe unë e do të flas me ty. Do t’u jap shpirtin që është në ty edhe të shtatëdhjetë burrave, që të mbajnë barrën e popullit bashkë me ty. Kështu, nuk do ta mbash barrën vetëm. 18 Popullit thuaji: “Nesër shenjtërohuni, se do të hani mish. Zoti do t’ju japë mish për të ngrënë, sepse u qatë para tij e thatë: ‘Kush do të na japë mish për të ngrënë? Ishim mirë në Egjipt!’. 19 Do të hani mish jo vetëm për një, dy, pesë, dhjetë apo njëzet ditë, 20 por për tërë muajin derisa t’ju vijë në majë të hundës e t’ju neveritet, sepse e përbuzët Zotin që është mes jush kur iu qatë e i thatë: ‘Përse dolëm nga Egjipti?’”». 21 Por Moisiu i tha: «Populli që është me mua ka gjashtëqind mijë këmbësorë e ti thua se do t’u japësh për të ngrënë mish për një muaj?! 22 A thua qetë e dhentë apo tërë peshqit e detit do të mjaftojnë për ta?». 23 Zoti i tha Moisiut: «Mos i është tharë dora Zotit?! Tani do të shohësh nëse fjala ime do të plotësohet apo jo».

24 Moisiu doli dhe i tregoi popullit fjalët e Zotit. Pastaj mblodhi shtatëdhjetë burra nga pleqtë e popullit dhe i vendosi përreth tendës. 25 Atëherë Zoti zbriti në re, foli me Moisiun dhe u dha shtatëdhjetë pleqve shpirtin që ishte në Moisiun. Kur shpirti u preh mbi ta, ata filluan të profetizojnë, por kjo nuk u përsërit më.

26 Dy nga pleqtë qëndruan në fushim. Njëri quhej Eldad e tjetri Medad. Ata ishin përzgjedhur, por nuk kishin shkuar te tenda. Megjithatë, shpirti u preh edhe mbi ta e ata filluan të profetizojnë në fushim. 27 Një djalosh vrapoi dhe i tregoi Moisiut: «Eldadi e Medadi po profetizojnë në fushim». 28 Atëherë, Jozuehu, biri i Nunit, shërbëtori i Moisiut që në rini, i tha Moisiut: «Imzot, ndaloji!». 29 Moisiu iu përgjigj: «Pse ke smirë? Ah, sikur tërë populli i Zotit të profetizonte dhe Zoti t’u jepte shpirtin e tij!». 30 Pastaj Moisiu dhe pleqtë e Izraelit u kthyen në fushim.

Shkurtat

31 Atëherë me urdhër të Zotit u ngrit një erë që mbarti shkurta nga deti dhe i solli në fushim. Shkurtat mbuluan një sipërfaqe sa dy kute mbi tokë dhe sa një dite udhë, anembanë fushimit. 32 Populli u çua dhe tërë ditën e tërë natën, madje edhe të nesërmen, mblodhi shkurta. Ai që mblodhi më pak kishte një mijë kilogramë. Pastaj i shtrinë përreth fushimit. 33 Pa e përtypur mirë mishin, u ndez zemërimi i Zotit kundër popullit dhe i goditi shumë rëndë. 34 Prandaj dhe vendi u quajt Kibrot Hatavah, sepse atje u varrosën grykësit. 35 Populli u nis nga Kibrot Hatavahu e mbërriti në Hacerot.