Zanafilla 11

Kulla e Babelit

E gjithë toka fliste një gjuhë e të njëjtat fjalë. Kur udhëtuan nga lindjam, njerëzit gjetën një fushë në tokën e Shinarit dhe banuan atje. E i thanë njëri-tjetrit: «Ejani, le të bëjmë tulla e t’i pjekim në zjarr». Kështu, ata përdorën tulla në vend të gurit e zift në vend të baltës. E thanë: «Ejani, të ndërtojmë për vete një qytet e një kullë, maja e të cilës të prekë qiellin, që të bëjmë emër e të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut».

Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njeriut po ndërtonin. Zoti tha: «Ja, ata janë një popull e flasin të gjithë një gjuhë dhe ky është vetëm fillimi i veprave të tyre. Tani, asgjë nga çfarë kanë ndër mend të bëjnë nuk do të jetë e pamundur për ta. Ejani të zbresim e mu atje t’ua përziejmë gjuhën, që të mos e kuptojnë gjuhën e njëri-tjetrit».

Atëherë Zoti i shpërndau prej andej mbi faqen e tërë dheut dhe ata reshtën së ndërtuari qytetin. Prandaj edhe quhet Babel, se atje Zoti përzjeu gjuhën e gjithë tokës dhe prej andej Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut.

Pasardhësit e Semit

10 Këta janë pasardhësit e Semit: Semi ishte njëqind vjeç kur i lindi Arpahshadi, dy vjet pas përmbytjes. 11 Semi jetoi pesëqind vjet pasi i lindi Arpahshadi dhe pati bij e bija të tjera. 12 Arpahshadi ishte tridhjetë e pesë vjeç kur i lindi Shelahu. 13 Arpahshadi jetoi katërqind e tre vjet pasi i lindi Shelahu dhe pati bij e bija të tjera. 14 Shelahu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Eberi. 15 Shelahu jetoi katërqind e tre vjet pasi i lindi Eberi dhe pati bij e bija të tjera. 16 Eberi ishte tridhjetë e katër vjeç kur i lindi Pelegu. 17 Eberi jetoi katërqind e tridhjetë vjet pasi i lindi Pelegu dhe pati bij e bija të tjera. 18 Pelegu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Reui. 19 Pelegu jetoi dyqind e nëntë vjet pasi i lindi Reui dhe pati bij e bija të tjera. 20 Reui ishte tridhjetë e dy vjeç kur i lindi Serugu. 21 Reui jetoi dyqind e shtatë vjet pasi i lindi Serugu dhe pati bij e bija të tjera. 22 Serugu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Nahori. 23 Serugu jetoi dyqind vjet pasi i lindi Nahori dhe pati bij e bija të tjera. 24 Nahori ishte njëzet e nëntë vjeç kur i lindi Terahu. 25 Nahori jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet pasi i lindi Terahu dhe pati bij e bija të tjera. 26 Terahu ishte shtatëdhjetë vjeç kur i lindën Abrami, Nahori e Harani.

Pasardhësit e Terahut

27 Këta janë pasardhësit e Terahut: Terahut i lindën Abrami, Nahori e Harani. Haranit i lindi Loti. 28 Harani vdiq në tokën e vendlindjes, në Ur të kaldenjve, para Terahut, të atit. 29 Abrami e Nahori morën gra. Gruaja e Abramit quhej Sarajë, ndërsa gruaja e Nahorit quhej Milka, e bija e Haranit që është ati i Milkës e Iskës. 30 Saraja ishte beronjë e nuk kishte fëmijë.

31 Terahu mori me vete të birin, Abramin, të nipin, Lotin, që ishte biri i Haranit, e Sarajën, të renë, gruan e të birit, dhe dolën nga Uri i kaldenjve për të shkuar drejt tokës së Kanaanit. Arritën në Haran e banuan atje. 32 Terahu jetoi dyqind e pesë vjet e vdiq në Haran.


 m11.2 të tjerë: drejt lindjes