Qortime për të pasurit
1 Dhe tani, ju, o të pasur! Qani e vajtoni për mundimet që ju presin. 2 Pasuria juaj u kalb e rrobat tuaja i brejti tenja. 3 Ari e argjendi juaj u ndryshkën. Ndryshku i tyre do të jetë dëshmi kundër jush e do të përpijë trupat tuaj si zjarri. Ju u pasuruat në ditët e fundit. 4 Ja, paga që u keni ngrënë punëtorëve që korrën arat tuaja po këlthet e klithmat e korrësve arritën në vesh të Zotit të ushtrive qiellore.
5 Këtu në tokë jetuat në qejfe dhe bëtë shpenzime të kota. U majmët si kafshët për therje, 6 dënuat e vratë të drejtin dhe ai nuk ju kundërshtoi.
Durimi e lutja
7 Vëllezër, bëni durim derisa të vijë Zoti. Edhe bujku e pret me durim frytin e çmuar të tokës derisa të bien shirat e vjeshtës e të pranverës. 8 Kini edhe ju durim e forcojini zemrat, se dita e ardhjes së Zotit është afër. 9 Vëllezër, mos u ankoni për njëri-tjetrin, që të mos gjykoheni. Ja, gjykatësi është te dera! 10 Shembull të vuajtjes e të durimit kini profetët që folën në emër të Zotit. 11 Ne i quajmë të lumë ata që duruan. Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit dhe e patë çfarë fundi i ruajti Zoti, sepse Zoti është mëshirëplotë e i dhembshur.
12 Para së gjithash, vëllezërit e mi, mos bëni be: as për qiellin, as për tokën e as ndonjë betim tjetër. Le të jetë «po-ja» juaj «po» dhe «jo-ja» juaj «jo», që të mos gjykoheni nga Perëndia.
13 A vuan ndonjë prej jush? Le të lutet! A është ndonjë i gëzuar? Le të këndojë psalme! 14 A është ndonjë nga ju i sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kishës që të luten për të e ta lyejnë me vaj në emër të Zotit. 15 Lutja me besim do ta shërojë atë që lëngon dhe Zoti do ta mëkëmbë. Nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen.
16 Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Lutja e të drejtit ka fuqi të madhe! 17 Elia ishte njeri si ne. Ai u lut me gjithë shpirt që të mos binte shi dhe nuk ra shi mbi tokë për tre vjet e gjashtë muaj. 18 Pastaj u lut përsëri dhe qielli dha shi e toka dha frytet e saj.
19 Vëllezërit e mi, nëse ndonjë prej jush largohet nga e vërteta dhe një tjetër e kthen përsëri në besim, 20 duhet ta dini se ai që kthen një mëkatar nga udha e mashtrimit, ia shpëton shpirtin nga vdekja dhe atij vetë do t’i falen shumë mëkate.