Miqësia me botën
1 Nga vijnë luftrat e grindjet mes jush? A nuk vijnë nga epshet që luftojnë në gjymtyrët tuaja? 2 Ju lakmoni, por nuk keni. Pastaj vrisni e keni smirë, por gjë nuk fitoni. Grindeni e luftoni, por nuk keni, se nuk kërkoni nga Perëndia. 3 Kërkoni e nuk merrni, sepse kërkoni me qëllim të keq, që t’i përdorni për epshet tuaja.
4 O njerëz të pafe! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai që dëshiron të jetë mik me botën, bëhet armik me Perëndinë. 5 Mos vallë pandehni se Shkrimi thotë më kot se shpirti i vendosur nga Perëndia brenda nesh, priret drejt smirësc? 6 Por, Perëndia na jep edhe më shumë hir, prandaj thuhet:
Perëndia u kundërvihet krenarëve,
ndërsa të përulurve u jep hir.
7 Nënshtrojuni Perëndisë, ndërsa djallin kundërshtojeni dhe ai do të largohet nga ju. 8 Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet. Pastroni duart, o mëkatarë, dhe pastroni zemrat, o njerëz me dy mendje! 9 Pikëllohuni, vajtoni e qani! E qeshura juaj të kthehet në vajtim dhe gëzimi në trishtim. 10 Përuluni para Zotit dhe ai do t’ju lartësojë.
Mos gjykoni
11 Mos flisni keq për njëri-tjetrin, o vëllezër! Ai që flet keq për vëllanë apo e gjykon atë, flet keq për ligjin dhe e gjykon atë ligj. Nëse gjykon ligjin, nuk je zbatues i këtij ligji, por gjykues i tij. 12 Vetëm njëri është ligjvënësi dhe gjykuesi, ai që mund të shpëtojë apo të çojë në humbje. Po ti, kush je që gjykon të afërtin?
Kujdes nga krenaria
13 Dhe tani më dëgjoni ju që thoni: «Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, do të rrimë atje një vit, do të bëjmë tregti e do të fitojmë». 14 Ju nuk e dini si do të jetë e nesërmja dhe se çfarë është jeta juaj. Ajo është si avulli që duket për pak kohë dhe pastaj zhduket. 15 Në vend që të thoni: «Në dashtë Zoti dhe në qofshim gjallë, do të bëjmë këtë apo atë gjë», 16 ju mburreni me krenari. Çdo mburrje e tillë është e ligë. 17 Ai që di të bëjë të mirën e nuk e bën, bën mëkat.
c4.5 ose: Perëndia e dëshiron me xhelozi shpirtin që vendosi brenda nesh