Filemonit 1

Përshëndetje

Unë, Pali, i burgosur për Krishtin Jezu dhe vëlla Timoteu, po i shkruajmë Filemonit të dashur e bashkëpunëtorit tonë, Apfisë, motrës sonë, Arkipit, bashkëluftëtarit tonë dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde: hiri dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht, qofshin me ju.

Dashuria dhe besimi i Filemonit

E falënderoj Perëndinë tim gjithmonë kur të kujtoj në lutjet e mia, sepse po dëgjoj për dashurinë tënde për të gjithë të shenjtët dhe për besimin që ke në Zotin Jezu Krisht. I lutem Perëndisë që besimi që na bashkon të jetë i gjallë në ty, për të njohur çdo gjë të mirë që kemi e që na çon drejt Krishtit. Dashuria jote, o vëlla, më ka gëzuar shumë e më ka ngushëlluar, sepse zemrat e të shenjtëve janë përtërirë përmes teje.

Përgjërim për Onesimin

Prandaj, edhe pse për shkak të Krishtit kam liri të plotë të të urdhëroj ç’duhet të bësh, parapëlqej të të kërkoj diçka në emër të dashurisë. Unë Pali, i plakur, por tani edhe i burgosur për Krishtin Jezu, 10 të lutem për Onesimin, birin tim në Jezu Krishtin, që e ktheva në besimin tonëa kur isha në pranga. 11 Onesimi, që dikur ishte i padobishëm për ty, tani është i dobishëm edhe për ty, edhe për mua.

12 Dhe ja ku po ta kthej atë që është vetë zemra imeb13 Unë doja ta mbaja atë pranë vetes, që të më shërbente në vendin tënd ndërsa jam në pranga për shkak të ungjillit. 14 Por nuk desha të bëja asgjë pa dijeninë tënde, që vepra jote e mirë të mos bëhet si me detyrim, por të jetë e vullnetshme.

15 Ai ndoshta u nda nga ti për pak kohë, që ta kesh atë përjetësisht, 16 jo më si skllav, por më tepër se skllav: ta kesh si vëlla të dashur. Ai është shumë i dashur për mua, por aq më tepër duhet të jetë për ty, qoftë si njeri, qoftë si vëlla në Zotin.

17 Prandaj, nëse më ke mik, pranoje atë siç do të më prisje mua. 18 Nëse të ka bërë ndonjë dëm, apo nëse të detyrohet për ndonjë gjë, m’i ngarko mua. 19 Unë, Pali, po të shkruaj me dorën time se do të ta shlyej unë vetë detyrimin; për të mos thënë se ti më detyrohesh vetë jetën tënde. 20 Po vëlla, për hir të Zotit, ma bëj këtë nder! Ma përtëri zemrën për hir të Krishtit!

21 Të shkrova se kam besim se do të më dëgjosh dhe e di se do të bësh edhe më shumë se këto që po të them. 22 Në të njëjtën kohë përgatit edhe një dhomë për mua, pasi shpresoj se përmes lutjeve tuaja do të kthehem te ju.

Përshëndetjet e fundit

23 Të përshëndet Epafrai, i burgosur bashkë me mua për Krishtin Jezu. 24 Të përshëndesin edhe Marku, Aristarku, Dema e Luka, bashkëpunëtorët e mi.

25 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj!


 a1.10 ose: e linda

 b1.12 dorëshk. të tjera edhe: pranoje atë