1 Pali, Silvani e Timoteu, i shkruajmë kishës së selanikasve që i përket Perëndisë Atë e Zotit Jezu Krisht: paçi hir dhe paqea!
Shembulli i selanikasve
2 E falënderojmë gjithmonë Perëndinë për ju të gjithë dhe ju përmendim pa pushim në lutjet tona. 3 Ne kujtojmë para Perëndisë dhe Atit tonë besimin tuaj të gjallë, dashurinë tuaj vepruese dhe shpresën tuaj të palëkundur, që e keni në Zotin tonë Jezu Krisht.
4 O vëllezër, ne e dimë se Perëndia ju do dhe se ju ka zgjedhur, 5 sepse ungjilli që ju predikuam nuk erdhi te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi, edhe me anë të Shpirtit të shenjtë, edhe me sigurinë e plotë se ai është i vërtetë. Ju e dini se kur ishim mes jush, çdo gjë që bëmë, e bëmë për të mirën tuaj. 6 Ju u bëtë shkërbimi ynë e i Zotit dhe megjithëse vuajtët shumë, i pranuat fjalët e ungjillit me gëzimin që vjen nga Shpirti i shenjtë.
7 Kështu, ju u bëtë shembull për të gjithë besimtarët në Maqedoni dhe në Akai. 8 Fjala e Zotit jehoi prej jush jo vetëm në Maqedoni e në Akai, por edhe në çdo vend ku u përhap besimi juaj në Perëndinë. Kështu, ne nuk kemi nevojë të themi ndonjë gjë. 9 Ata vetë tregojnë sesi na pritët kur erdhëm te ju e sesi ju hoqët dorë prej idhujve e u kthyet për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë. 10 Tani ju prisni Birin e tij, Jezuin, të vijë prej qiejve, të cilin ai e ngjalli prej të vdekurve dhe që na shpëton nga zemërimi që po vjen.