1 Ju zotërinj, jepuni skllevërve atë që u takon me të drejtë, duke e ditur se edhe ju e keni një Zot në qiell!
Porosi
2 Këmbëngulni e rrini zgjuar në lutje, duke falënderuar Perëndinë. 3 Lutuni edhe për ne, që Perëndia të na japë mundësi të tjera për të predikuar të fshehtën për Krishtin, për të cilin jam në burg. 4 Lutuni që predikimi im të jetë ashtu siç duhet.
5 Silluni me urti ndaj atyre që nuk besojnë në Krishtin, duke përdorur mirë çdo mundësi që ju jepet. 6 Fjalët tuaja të jenë gjithnjë të hijshme e të regjuraë, që të dini si t’i përgjigjeni gjithkujt.
Përshëndetjet e fundit
7 Tikiku, vëllai ynë i dashur e ndihmësi besnik, që i shërben Zotit bashkë me mua, do t’ju tregojë gjithçka për mua. 8 Unë e dërgova te ju për të parë gjendjen tuaj dhe për t’ju ngushëlluar zemrat. 9 Po e dërgoj bashkë me Onesimin, vëllanë tonë besnik e të dashur, që është një nga ju. Ata do t’ju tregojnë gjithçka që ndodh këtu.
10 Ju përshëndet Aristarku, që është i burgosur bashkë me mua, dhe Marku, nipif i Barnabës, për të cilin ju kemi porositur që ta prisni mirë kur të vijë te ju. 11 Ju përshëndet edhe Jezui që e thërrasin Just. Këta janë të vetmit nga besimtarët e rrethprerë që bashkëpunojnë me mua për përhapjen e mbretërisë së Perëndisë dhe që më janë bërë ngushëllim.
12 Ju përshëndet Epafrai, që është një nga ju, dhe që është shërbëtor i Krishtit Jezu. Ai lutet gjithnjë për ju që të qëndroni të përsosur dhe të kryeni plotësisht vullnetin e Perëndisë. 13 Unë ju siguroj se ai mundohet shumë për ju dhe për ata në Laodice e në Hierapojë.
14 Ju përshëndesin Luka, mjeku i dashur, dhe Dema.
15 Përshëndetni vëllezërit në Laodice, Nimfën dhe kishën që mblidhet në shtëpinë e saj.
16 Kur ta keni lexuar këtë letër, dërgojuani edhe atyre të kishës në Laodice që ta lexojnë. Po ashtu edhe ju, merreni e lexojeni letrën që kam dërguar në Laodice.
17 I thoni Arkipit: «Kujdes dhe kryeje mirë shërbesën që more nga Zoti».
18 Përshëndetjen e kam shkruar vetë unë, Pali, me dorën time.
Kujtoni prangat e mia!
Hiri qoftë me ju!