Kolosianëve 3

Përderisa u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni gjërat që janë lart në qiej, atje ku ai rri ulur në të djathtën e Perëndisë. Mendoni për gjërat që janë lart në qiej dhe jo për ato që janë këtu poshtë në tokë. Sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj qëndron e fshehur me Krishtin te Perëndia. Kur të shfaqet Krishti, jeta juajd, atëherë do të shfaqeni edhe ju bashkë me të në lavdi.

Bëjini të vdesin gjërat tuaja tokësore: kurvërinë, ndyrësinë, epshet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari. Për shkak të këtyre gjërave do të vijë zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. Dikur edhe ju ecnit kësaj udhe, kur jetonit me këto gjëra. Por tani, hidhini tej të gjitha: zemërimin, mërinë, ligësinë, sharjet dhe fjalët e ndyra që nxirrni nga goja. Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse e keni zhveshur njeriun e vjetër, bashkë me sjelljet e tij, 10 dhe keni veshur njeriun e ri, që përtërihet vazhdimisht, sipas shëmbëllimit të Perëndisë që e krijoi, që ta njihni plotësisht Perëndinë. 11 Prandaj, nuk ka më helenë e judenj, të rrethprerë dhe të parrethprerë, barbarë, skitas, shërbëtorë e të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në çdo gjë.

12 Perëndia ju ka thirrur, ju ka bërë të shenjtë dhe ju ka dashur, prandaj, vishuni me dhembshuri, me mirësi, me përulësi, me zemërbutësi dhe me zemërgjerësi. 13 Durojeni dhe faleni njëri-tjetrin sa herë që dikush të ketë ankesë kundër ndonjë tjetri. Falni ashtu si edhe Zoti ju ka falur. 14 Mbi të gjitha, kini dashuri, sepse dashuria do t’ju bashkojë në mënyrë të përsosur.

15 Paqja e Krishtitdh, në të cilën Perëndia ju ka thirrur të jeni të bashkuar si një trup i vetëm, mbretëroftë në zemrat tuaja. Jini mirënjohës! 16 Fjala e Krishtit banoftë në ju me gjithë begatinë e saj. Mësoni e këshilloni njëri-tjetrin me urti! Këndojini me gjithë zemër Perëndisë psalme, himne e këngë shpirtërore! 17 Gjithçka që thoni e gjithçka që bëni, ta bëni në emër të Zotit Jezu, duke falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë.

Detyrimet shoqërore

18 Ju gra, nënshtrojuni burrave, siç ka hije në sytë e Zotit!

19 Ju burra, duajini gratë tuaja dhe mos jini të ashpër me to!

20 Ju bij, bindjuni prindërve në gjithçka, sepse kjo gjë i pëlqen Zotit!

21 Ju etër, mos i zemëroni bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra!

22 Ju skllevër, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj tokësorë, jo sa për sy e faqe për t’u pëlqyer njerëzve, por me thjeshtësi zemre dhe duke iu druajtur Zotite23 Gjithçka që bëni, bëjeni me shpirt si ta bënit për Zotin e jo për njerëzit, 24 sepse ju e dini se prej Zotit do të merrni si shpërblim trashëgimin e mbretërisë së tij. Në të vërtetë ju i shërbeni Zotit Krisht. 25 Ai që bën padrejtësi do të shpaguhet për padrejtësinë që bëri. Perëndia nuk mban anë.


 d3.4 dorëshk. të tjera: jonë

 dh3.15 dorëshk. të tjera: e Perëndisë

 e3.22 dorëshk. të tjera: Perëndisë