Bindja ndaj pushteteve
1 Çdo njeri t’u nënshtrohet pushteteve që ka mbi vete. Sepse nuk ka pushtet që nuk është nga Perëndia. Të gjitha pushtetet janë caktuar nga Perëndia. 2 Pra, kush kundërshton pushtetin, i kundërvihet Perëndisë që e ka caktuar atë. Ata që e kundërshtojnë, i pret gjykimi. 3 Nuk ka pse ta ketë frikë eprorin ai që bën të mirën, por ai që bën të keqen. A dëshiron të mos kesh frikë nga pushteti? Bëj të mirën dhe do të marrësh lavdërime prej tij. 4 Sepse ai është shërbëtor i Perëndisë për të mirën.
Por nëse ti bën të keqen, duhet të kesh frikë, se ai nuk e mban më kot shpatën. Ai është shërbëtor i Perëndisë dhe hakmerret e ndëshkon keqbërësit. 5 Kështu duhet të nënshtroheni jo vetëm për shkak të ndëshkimit, por edhe për shkak të ndërgjegjes.
6 Prandaj i paguani edhe taksat, sepse pushtetet që merren me këtë punë janë shërbëtorë të Perëndisë. 7 Jepuni të gjithëve çfarë u takon: taksën atij që i takon taksa, taksën e doganës atij që i takon taksa e doganës, frikën atij që i takon t’i frikësoheni, nderimin atij që i takon nderimi.
Dashuria vëllazërore
8 Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç detyrimit për të dashur njëri-tjetrin. Kush e do tjetrin, e ka përmbushur ligjin. 9 Urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidhg, mos lakmo, dhe urdhërimet e tjera përmblidhen në këtë fjalë: duaje të afërtin si veten. 10 Kush e do të afërtin, nuk i bën keq. Prandaj dashuria është përmbushja e ligjit.
Afrimi i ditës së Krishtit
11 Bëjeni këtë, sepse ju e dini se në ç’kohëra jetojmë. Tashmë ka ardhur ora për t’u zgjuar nga gjumi. Shpëtimi ynë është më afër tani sesa kur besuam. 12 Nata kaloi e dita po afron. Prandaj të hedhim tej veprat e errësirës e të ngjeshim armët e dritës. 13 Të jetojmë me ndershmëri si ditën, jo në shthurje e dehje, jo në kurvëri e fëlligështi, jo në grindje e smirë. 14 Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos u përpiqni të kënaqni epshet e dobësisë njerëzore.