Vdekja e Lazarit
1 Në atë kohë dergjej i sëmurë Lazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i motrës së saj, Martës. 2 Maria, motra e Lazarit të sëmurë, ishte ajo që leu Zotin me mirrë e ia fshiu këmbët me flokët e saj. 3 Atëherë motrat i çuan fjalë Jezuit: «Zot, miku yt i dashur është sëmurë». 4 Kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdinë e Perëndisë dhe që të përlëvdohet nëpërmjet saj Biri i Perëndisë».
5 Jezui i donte shumë Martën, motrën e saj Marinë e Lazarin. 6 Kur dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, qëndroi edhe dy ditë atje ku ishte 7 e pastaj u tha dishepujve: «Le të kthehemi përsëri në Jude!». 8 Dishepujt i thanë: «Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë e ti do që të shkosh përsëri atje?». 9 Jezui u përgjigj: «A nuk ka dita dymbëdhjetë orë? Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. 10 Por nëse dikush ecën natën, pengohet, se në të nuk ka dritë». 11 Pasi u tha këto, shtoi: «Lazari, miku ynë, ka fjetur, por po shkoj ta zgjoj». 12 Dishepujt i thanë: «Zot, nëse ka fjetur do të shpëtojë». 13 Por Jezui u kishte folur për vdekjen e Lazarit, ndërsa ata pandehën se ai u kishte folur për gjumin e zakonshëm. 14 Atëherë Jezui u tha hapur: «Lazari ka vdekur. 15 Gëzohem që nuk ndodhesha atje, në mënyrë që ju të besoni. Le të shkojmë tek ai!». 16 Thomai, i quajtur Binjak, u tha dishepujve të tjerë: «Të shkojmë edhe ne të vdesim me të!».
Ngjallja dhe jeta
17 Kur erdhi Jezui, Lazari kishte katër ditë në varr. 18 Betania ndodhej rreth tri kilometra larg Jerusalemit 19 dhe shumë judenj kishin shkuar te Marta e Maria, që t’i ngushëllonin për vdekjen e vëllait. 20 Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta shkoi për ta takuar, ndërsa Maria qëndroi në shtëpi. 21 Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. 22 Por e di se, edhe tani, Perëndia do të të japë gjithçka që do t’i kërkosh». 23 Jezui i tha: «Yt vëlla do të ngjallet». 24 Marta i tha: «E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën e fundit». 25 Jezui i tha: «Unë jam ngjallja dhe jeta. Kush beson në mua do të jetojë, edhe nëse vdes. 26 Kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson këtë?». 27 Ajo i tha: «Po, Zot. Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që vjen në botë».
Jezui qan
28 Pasi tha këto, ajo shkoi, thirri mënjanë Marinë, motrën e saj, e i tha: «Mësuesi është këtu e të kërkon». 29 Maria, sapo e dëgjoi, u ngrit me nxitim e shkoi tek ai, 30 sepse Jezui nuk kishte arritur ende në fshat, por po rrinte atje ku e kishte takuar Marta. 31 Judenjtë që ishin me Marinë në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se ajo u ngrit me nxitim e doli, i shkuan pas duke menduar se po shkonte te varri për të qarë atje.
32 Maria shkoi atje ku ishte Jezui dhe kur e pa, i ra ndër këmbë e i tha: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur».
33 Jezui, kur e pa se ajo dhe judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u prek në shpirt, u turbullua 34 e tha: «Ku e keni vënë?». Ata i thanë: «Zot, eja e shih!». 35 Jezui u përlot. 36 Atëherë judenjtë thanë: «Shih sa e donte!». 37 Por disa nga ata thoshin: «Ky që i hapi sytë të verbrit, a nuk mund të bënte që edhe Lazari të mos vdiste?».
Ngjallja e Lazarit
38 Jezui u prek përsëri në shpirt e shkoi te varri që ishte një shpellë me një gur në hyrje. 39 Jezui tha: «Hiqeni gurin!». Marta, motra e të vdekurit, i tha: «Zot, ai qelbet tashmë, se ka katër ditë në varr». 40 Jezui i tha: «A nuk të thashë se po të besosh do të shohësh lavdinë e Perëndisë?».
41 Atëherë ata ngritën gurin, ndërsa Jezui ngriti sytë lart e tha: «Të falënderoj, o Atë, që më dëgjove. 42 Unë e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por e thashë për turmën përreth, që të besojnë se ti më dërgove». 43 Pasi tha këto, thirri me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!». 44 I vdekuri doli me këmbë e duar të lidhura me rripa pëlhure, ndërsa fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezui u tha: «Zgjidheni e lëreni të shkojë!».
Kërkojnë ta vrasin
(Mt 26.1-5; Mk 14.1-2; Lk 22.1-2)
45 Shumë nga judenjtë që kishin ardhur te Maria, kur panë ato që bëri Jezui, besuan në të, 46 por disa prej tyre shkuan te farisenjtë e u treguan çfarë kishte bërë Jezui. 47 Atëherë kryepriftërinjtë e farisenjtë mblodhën këshillin e thanë: «Çfarë të bëjmë? Ky njeri po bën kaq shumë shenja! 48 Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të dhe atëherë do të vijnë romakët e do të rrënojnë tempullin e kombin tonë».
49 Njëri prej tyre, Kajafa, që ishte kryeprifti atë vit, u tha: «Ju nuk kuptoni asgjë. 50 A nuk e kuptoni se për ju është më mirë të vdesë një njeri për popullin, sesa të shkatërrohet gjithë kombi?». 51 Këtë nuk e tha nga vetja, por, meqenëse ishte kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezui do të vdiste për kombin. 52 Dhe jo vetëm për kombin, por edhe për të mbledhur e për t’i bërë një bijtë e shpërndarë të Perëndisë. 53 Që nga ajo ditë ata vendosën ta vrasin. 54 Prandaj Jezui nuk ecte më haptas mes judenjve, por shkoi në një vend pranë shkretëtirës, në një qytet të quajtur Efraim e ndenji atje me dishepujt.
55 Po afrohej Pashka e judenjve dhe shumë njerëz nga i gjithë vendi shkuan në Jerusalem, përpara Pashkës, për ritin e pastrimit. 56 Ata e kërkonin Jezuin dhe, kur ishin në tempull, pyesnin njëri-tjetrin: «Si mendoni? A do të vijë në festë?». 57 Kryepriftërinjtë e farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ndodhej Jezui, të lajmëronte, që ta kapnin.