1 Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, gratë erdhën te varri me vajrat erëmirë që kishin përgatitur. 2 Ato e gjetën gurin të rrokullisur nga varri, 3 u futën brenda, por nuk e gjetën trupin e Zotit Jezu. 4 Ndërsa ishin të hutuara nga kjo gjë, papritur u shfaqën përbri tyre dy burra me rroba vezulluese. 5 Gratë i zuri frika e ranë me fytyrë përdhe, por burrat u thanë: «Përse e kërkoni të gjallin ndër të vdekurit? Ai nuk është këtu. Është ngjallur. 6 Kujtohuni se çfarë ju tha kur ishte në Galile, 7 sesi Biri i njeriut duhej t’u dorëzohej mëkatarëve, të kryqëzohej e të tretën ditë të ngjallej». 8 Ato kujtuan fjalët e tij 9 dhe kur u kthyen nga varri, u treguan gjithçka të njëmbëdhjetëve e të gjithë të tjerëve. 10 Ishin Maria Magdalena, Joana, Maria nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që rrinin me to. Ato ua treguan këto gjëra apostujve, 11 por atyre iu dukën të pakuptimta këto fjalë e nuk u besuan.
12 Megjithatë Pjetri u ngrit e vrapoi te varri. U përkul e shikoi brenda. Ai pa vetëm pëlhurat e u kthye në shtëpi i mrekulluar për çfarë kishte ndodhur.
Rrugës për Emaus
(Mk 16.12-13)
13 Në të njëjtën ditë, dy prej tyre po shkonin në një fshat me emrin Emaus që është rreth njëmbëdhjetë kilometra nga Jerusalemi. 14 Ata po flisnin me njëri-tjetrin rreth të gjitha gjërave që kishin ndodhur. 15 Ndërsa flisnin e bisedonin, Jezui iu afrua dhe eci bashkë me ta, 16 por diçka i pengonte ta njihnin. 17 Ai u tha: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin duke ecur?». Ata u ndalën të trishtuar. 18 Atëherë njëri prej tyre, që quhej Kleopa, iu përgjigj: «A je ti i vetmi i huaj në Jerusalem që nuk e di çfarë ka ndodhur aty këto ditë?». 19 Ai i pyeti: «Çfarë?». Ata i thanë: «Gjërat rreth Jezuit të Nazaretit që ishte profet i fuqishëm me vepra e me fjalë para Perëndisë e para gjithë njerëzve 20 dhe sesi kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan që të dënohej me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta shpengonte Izraelin, por u bënë tri ditë që kur kanë ndodhur këto gjëra. 22 Disa gra nga grupi ynë na kanë çuditur. Ato ishin sot në mëngjes herët te varri 23 dhe, pasi nuk e gjetën aty trupin e tij, erdhën e na thanë se u janë shfaqur engjëj që u kanë thënë se ai është gjallë. 24 Disa nga ata që ishin me ne shkuan te varri dhe e gjetën ashtu siç u kishin thënë gratë, por atë nuk e panë».
25 Atëherë ai u tha: «O të pamend e të ngadaltë për të besuar çfarë kanë thënë të gjithë profetët! 26 A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra e pastaj të hynte në lavdinë e tij?». 27 Pastaj ai u shtjelloi të gjitha Shkrimet që flisnin për të, duke filluar nga Moisiu deri te të gjithë profetët.
28 Kur iu afruan fshatit ku po shkonin, Jezui eci përpara, sikur donte të vazhdonte, 29 por ata iu lutën shumë e i thanë: «Rri me ne, se po vjen mbrëmja e dita gati mbaroi». Atëherë ai shkoi e ndenji me ta. 30 Kur ishte në tryezë me ta, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu e ua dha atyre. 31 Atëherë atyre iu hapën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej tyre. 32 Ata i thanë njëri-tjetrit: «A nuk na digjte zemra kur na fliste gjatë udhës e kur na çelte Shkrimet?». 33 Në atë çast u ngritën e shkuan në Jerusalem, ku gjetën të njëmbëdhjetët e të tjerët që ishin me ta e që po rrinin së bashku. 34 Ata thoshin: «Zoti është ngjallur me të vërtetë dhe i është shfaqur Simonit». 35 Atëherë dy dishepujt u treguan çfarë kishte ndodhur gjatë udhës dhe sesi u ishte bërë i njohur në thyerjen e bukës.
Jezui u shfaqet dishepujve
(Mt 28.16-20; Mk 16.14-18; Gjn 20.19-23; Vp 1.6-8)
36 Ndërsa po flisnin për këto gjëra, Jezui qëndroi mes tyre e u tha: «Paqja me ju!». 37 Ata u trembën e i zuri frika duke menduar se po shihnin një shpirt. 38 Por ai u tha: «Përse keni frikë e përse lindin dyshime në zemrat tuaja? 39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia. Jam unë. Prekmëni e shikoni. Shpirti nuk ka mish e kocka siç shihni se kam unë». 40 Dhe, pasi tha këto, u tregoi duart e këmbët. 41 Ndërsa ata ende nuk po besonin nga gëzimi dhe çuditeshin, Jezui u tha: «A keni ndonjë gjë për të ngrënë?». 42 Ata i dhanë një copë peshk të pjekurth. 43 Ai e mori dhe e hëngri në praninë e tyre.
44 Atëherë u tha: «Këto fjalë jua thashë kur isha ende me ju: gjithçka që është shkruar për mua në ligjin e Moisiut, te Profetët e te Psalmet, duhet të përmbushet». 45 Pastaj ua hapi mendjet që të kuptonin Shkrimet 46 e u tha: «Është shkruar se Krishti duhet të vuajë e të ngjallet prej të vdekurve të tretën ditë 47 dhe të gjitha kombeve do t’u shpallet pendimi e falja e mëkateve, duke filluar nga Jerusalemi. 48 Ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. 49 Ja, unë po ju dërgoj premtimin e Atit tim, prandaj rrini këtu në qytet derisa të visheni me pushtet nga lart».
Ngritja në qiell
(Mk 16.19-20; Vp 1.9-11)
50 Pastaj u priu deri në Betani, ngriti duart e i bekoi. 51 Ndërsa po i bekonte, u largua prej tyre e u mor në qiell. 52 Ata e adhuruan e u kthyen me gëzim të madh në Jerusalem 53 ku rrinin pareshtur në tempull dhe bekonin Perëndinë.