Shërbëtori i pandershëm
1 Pastaj Jezui u tha dishepujve të vet: «Një i kamur kishte për kujdestar të pasurisë një njeri, të cilin e paditi se i shpërdoronte pasurinë. 2 Atëherë ai e thirri e i tha: “Ç’është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për punën tënde, se nuk mund të jesh më kujdestar i pasurisë”. 3 Kujdestari tha me vete: “Zotëria im do të ma heqë kujdestarinë. Ç’të bëj? Të gërmoj nuk kam fuqi, të lyp kam turp. 4 E di se çfarë do të bëj që kur të më heqin si kujdestar, njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre”. 5 Kështu i thirri një nga një huamarrësit e zotërisë së vet e i tha të parit: “Sa i detyrohesh zotërisë tim?”. 6 Ai i tha: “Njëqind masa vaj”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën, ulu menjëherë e shkruaj pesëdhjetë”. 7 Pastaj pyeti një tjetër: “Po ti, sa i detyrohesh?”. Ai u përgjigj: “Njëqind masa drithë”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën e shkruaj tetëdhjetë”. 8 Dhe zotëria i tij e lavdëroi kujdestarin e pandershëm, se kishte vepruar me zgjuarsi.
Bijtë e kësaj bote janë më të zgjuar se bijtë e dritës në marrëdhënie me njëri-tjetrin.
9 Dhe unë po ju them: bëni miq me anë të pasurive të padrejta, që pasi të mbarojë pasuria, t’ju pranojnë në banesat e tyre të amshuara. 10 Kush është besnik në pak, është besnik edhe në shumë e kush është i pandershëm në pak, është i pandershëm edhe në shumë. 11 Nëse nuk keni qenë besnikë në pasuritë e pandershme, kush do t’jua besojë pasuritë e vërteta? 12 Dhe nëse nuk keni qenë besnikë në atë që i përket dikujt tjetër, kush do t’jua japë atë që është juaja?
13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».
Ligji dhe mbretëria
(Mt 11.12-13)
14 Farisenjtë, që janë lakmitarë parash, dëgjonin gjithçka dhe e përqeshnin Jezuin. 15 Atëherë ai u tha: «Ju jeni ata që para njerëzve shfaqeni si të drejtë, por Perëndia i njeh zemrat tuaja. Megjithatë, ajo që është e madhërishme për njerëzit, për Perëndinë është fundërrinë.
16 Ligji e profetët ishin deri te Gjoni. Pastaj u shpall ungjilli i mbretërisë së Perëndisë dhe të gjithë mundohen ta fitojnë atë me përpjekje të mëdhan. 17 Megjithatë, është më e lehtë që të kalojnë qielli e toka, sesa t’i hiqet ligjit qoftë edhe një pikë.
18 Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».
Lazari dhe pasaniku
19 «Ishte një njeri i pasur që vishej me rroba purpuri e liri të çmueshëm e jetonte çdo ditë në kamje. 20 Te dera e tij rrinte një i varfër me emrin Lazar. Ai ishte i mbuluar me plagë 21 dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut. Edhe qentë vinin e i lëpinin plagët. 22 I varfri vdiq dhe engjëjt e çuan të rrinte me Abrahamin. Edhe pasaniku vdiq e u varros. 23 Në skëterrë, ku po vuante torturat, ngriti sytë e pa diku larg Abrahamin me Lazarin përbri. 24 Atëherë tha me zë të lartë: “Atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazarin ta ngjyejë gishtin në ujë e të më freskojë gjuhën, se këto flakë po më mundojnë”. 25 Por Abrahami i tha: “Biri im, kujtohu se ti i more të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazari mori të këqijat. Tani ky gëzon këtu, ndërsa ti vuan. 26 Pastaj, midis jush e nesh është caktuar një hendek i madh, në mënyrë që ata që do të donin të kalonin që këndej te ju, të mos munden dhe askush nuk mund të kalojë që andej te ne”. 27 Pasaniku i tha: “Atëherë, o atë, po të lutem ta dërgosh te shtëpia e tim eti, 28 se kam pesë vëllezër. Le t’i paralajmërojë që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh”. 29 Abrahami u përgjigj: “Kanë Moisiun e profetët. Ata duhet të dëgjojnë”. 30 Ai tha: “Jo, atë Abraham, por nëse shkon dikush nga të vdekurit, do të pendohen”. 31 Abrahami i tha: “Nëse nuk dëgjojnë Moisiun e profetët, atëherë nuk do të binden edhe sikur dikush të ngjallet prej të vdekurve”».