Udhëzime për lebrën
1 Zoti i tha Moisiut e Aronit: 2 «Nëse ndokujt i del në lëkurë një ënjtje, kore apo njollë e shndritshme, që duket si plagë lebre, ai të çohet te prifti Aron apo te cilido prift prej bijve të tij. 3 Prifti ta shqyrtojë plagën e lëkurës dhe, nëse qimja në vendin e plagës është zbardhur e plaga duket më e thellë se lëkura, plaga është lebër. Pasi ta ketë shqyrtuar, prifti ta shpallë të papastër. 4 Nëse njolla e shndritshme në lëkurë nuk duket të jetë futur thellë në mish dhe nëse qimja nuk është zbardhur, prifti ta veçojë për shtatë ditë atë që ka plagën. 5 Ditën e shtatë prifti ta shqyrtojë sërish dhe, nëse shikon se plaga nuk ka ndryshuar e nuk është përhapur në lëkurë, ta veçojë edhe për shtatë ditë të tjera. 6 Pas shtatë ditësh ta shqyrtojë sërish dhe, nëse shikon se plaga është zbehur e nuk është përhapur në lëkurë, ta shpallë të pastër, sepse është vetëm puçërr. Ai njeri të lajë rrobat dhe do të jetë i pastër. 7 Nëse e ka parë prifti dhe e ka shpallur të pastër, por njolla përhapet në lëkurë, ai duhet të paraqitet sërish te prifti. 8 Prifti ta shqyrtojë sërish dhe, nëse njolla është përhapur në lëkurë, prifti ta shpallë të papastër, sepse është lebër.
9 Nëse ndokujt i shfaqet plaga e lebrës, të çohet te prifti. 10 Prifti ta shqyrtojë dhe, nëse ka ndonjë të ënjtur të bardhë mbi lëkurë, nëse qimja i është zbardhur dhe në ënjtje ka mish të gjallë, 11 atëherë ai ka lebër të përhershme mbi lëkurë. Prifti ta shpallë të papastër, por mos ta veçojë si të papastër. 12 Nëse lebra i përhapet mbi lëkurë dhe ia mbulon tërë lëkurën e trupit nga koka te këmbët, aq sa mund t’ia kapë syri priftit, 13 prifti ta shqyrtojë dhe, nëse lebra i ka mbuluar tërë trupin, ta shpallë të pastër. Ai njeri është i pastër, sepse është zbardhur i tëri. 14 Kur të shfaqet mbi të mish i gjallë, atëherë të shpallet i papastër. 15 Prifti, pasi ta ketë parë mishin e gjallë, ta shpallë të papastër, sepse mishi i gjallë është i papastër, është lebër. 16 Nëse mishi i gjallë i zbardhet sërish, le të paraqitet te prifti, 17 i cili, pasi të ketë shqyrtuar se plaga i është zbardhur, ta shpallë të pastër atë që ka plagën, sepse është i pastër.
18 Nëse ndokush ka pasur mbi lëkurë ndonjë çiban, që i është shëruar, 19 dhe në vendin e çibanit i del ndonjë ënjtje e bardhë apo ndonjë njollë e bardhë, le të paraqitet te prifti. 20 Prifti ta shqyrtojë dhe, nëse njolla duket më e thellë së lëkura dhe qimja i është zbardhur, ta shpallë të papastër, sepse është plagë lebre, që ka shpërthyer në çiban. 21 Nëse prifti shikon se qimja nuk është zbardhur dhe se çibani nuk është më thellë se lëkura dhe është zbehur, ta veçojë për shtatë ditë. 22 Nëse përhapet, le ta shpallë të papastër, sepse është lebër. 23 Nëse njolla e shndritshme rri në vend e nuk përhapet, është vurratë çibani. Atëherë prifti ta shpallë të pastër.
24 Nëse dikush pëson një djegie të lëkurës nga zjarri dhe vendi i djegies bëhet njollë e shndritshme, e murrme ose e bardhë, 25 prifti ta shqyrtojë dhe, nëse qimja te njolla është zbardhur e njolla duket më e thellë së lëkura, është lebër që ka shpërthyer te vendi i djegies. Prifti ta shpallë të papastër, sepse është plagë lebre. 26 Nëse prifti shikon se qimja në njollë nuk është zbardhur dhe se njolla nuk është më e thellë se lëkura dhe është zbehur, ta veçojë për shtatë ditë. 27 Pas shtatë ditësh, prifti ta shqyrtojë sërish dhe, nëse njolla është përhapur në lëkurë, ta shpallë të papastër, sepse është plagë lebre. 28 Nëse njolla ka mbetur në vend dhe nuk është përhapur në lëkurë, por është e zbehtë, atëherë është fryrje nga djegia. Prifti ta shpallë të pastër, sepse është vurratë prej djegies.
29 Nëse një burrë ose një grua ka një plagë në kokë ose në mjekër, 30 prifti ta shqyrtojë plagën dhe, nëse plaga është më e thellë së lëkura dhe qimja është zverdhur e holluar, ta shpallë të papastër, sepse është qere, lebër e kokës ose e mjekrës. 31 Nëse prifti e shqyrton plagën e qeres dhe nuk duket më e thellë se lëkura e nuk ka qime të zeza, ta veçojë për shtatë ditë atë që ka plagën. 32 Pas shtatë ditësh, prifti ta shqyrtojë sërish plagën dhe nëse qerja nuk është përhapur, nëse në të nuk ka qime të verdha dhe nëse nuk duket më e thellë se lëkura, 33 ai që ka plagën të rruhet, përveçse në vendin e qeres. Mandej, prifti ta veçojë edhe shtatë ditë. 34 Pas shtatë ditësh, prifti ta shqyrtojë sërish qeren dhe nëse qerja nuk është përhapur në lëkurë e nuk duket më e thellë se lëkura, ta shpallë të pastër. Ai njeri të lajë rrobat dhe do të jetë i pastër. 35 Nëse është shpallur i pastër, por i përhapet qerja, 36 prifti ta shqyrtojë sërish. Nëse qerja është përhapur në lëkurë, prifti të mos shqyrtojë a ka qime të verdha, sepse ai njeri është i papastër. 37 Nëse sheh se qerja është ndalur dhe se në të kanë dalë qime të zeza, qerja është shëruar dhe ai njeri është i pastër. Prifti ta shpallë të pastër.
38 Nëse një burri ose një gruaje u shfaqen njolla të shndritshme mbi lëkurë, njolla të bardha, 39 le t’i shqyrtojë prifti. Nëse njolla e shndritshme mbi lëkurë është në të bardhë të zbehtë, është kurtesh i lëkurës. Ai njeri është i pastër.
40 Nëse dikujt i bien flokët e kokës, ai njeri është i shogët dhe është i pastër. 41 Nëse flokët i kanë rënë në pjesën e përparme, është i shogët mbi ballë dhe është i pastër. 42 Por, nëse në pjesën qerose apo mbi ballin qeros del një plagë e bardhë në të kuqërreme, është lebër që ka shpërthyer mbi kokë ose mbi ballë. 43 Prifti ta shqyrtojë dhe, nëse ënjtja e plagës është e bardhë në të kuqërreme mbi pjesën qerose ose mbi ballin qeros dhe ngjan me lebrën e lëkurës, 44 ai njeri ka lebër dhe është i papastër. Prifti ta shpallë të papastër, sepse ka lebër në kokë.
45 I lebrosuri, që e ka kapur kjo sëmundje, t’i mbajë rrobat të shqyera, flokët të shprishur, mjekrën të mbuluar e të thërrasë: “I papastër! I papastër!”. 46 Për sa kohë të ketë plagën është i papastër. Ai është i papastër dhe duhet të jetojë vetëm, jashtë fushimit.
47 Nëse lebra shfaqet në veshje të leshta apo të linjta, 48 mbi stof leshi apo liri, të endur ose të thurur, mbi lëkurë apo mbi rroba lëkure, 49 dhe nëse njolla mbi rrobë apo mbi lëkurë, mbi stofin e endur apo të thurur ose mbi rrobën e lëkurës është në të gjelbër apo në të kuqërreme, është plagë lebre dhe duhet t’i tregohet priftit. 50 Prifti ta shqyrtojë njollën e plagës e ta veçojë për shtatë ditë. 51 Ditën e shtatë ta shqyrtojë sërish njollën dhe, nëse sheh se është përhapur mbi rrobën, mbi stofin e endur apo të thurur ose mbi lëkurën e rrobave të lëkurës, është plagë e keqe dhe rroba është e papastër. 52 Prifti ta djegë rrobën, stofin e endur apo të thurur dhe rrobat prej lëkure mbi të cilat gjendet njolla, sepse është plagë e keqe dhe duhet djegur në zjarr. 53 Nëse prifti sheh se njolla nuk është përhapur mbi rrobë, mbi stofin e endur apo të thurur ose mbi rrobën e lëkurës, 54 të urdhërojë që rroba me plagën e lebrës të lahet e ta veçojë edhe për shtatë ditë. 55 Nëse prifti sheh se pas larjes njolla nuk ka ndryshuar, edhe pse nuk është përhapur, ajo është e papastër dhe duhet të digjet në zjarr. Të digjet në zjarr, sepse njolla po e ha nga brenda e nga jashtë. 56 Nëse prifti sheh se pas larjes njolla është zvogëluar, ta presë prej rrobës, prej lëkurës ose prej stofit të endur apo të thurur. 57 Por, nëse njolla shfaqet sërish mbi rrobën, mbi stofin e endur apo të thurur ose mbi rrobën e lëkurës, e ka kapur plaga, prandaj duhet ta djegësh në zjarr. 58 Ndërsa rrobat, stofet e endura apo të thurura dhe rrobat prej lëkure që, pasi të jenë larë, nuk kanë më njollë plage, të lahen sërish dhe mandej do të jenë të pastra. 59 Ky është udhëzimi për rrobat, për stofet e endura apo të thurura e për çdo rrobë lëkure, kur i zë sëmundja e lebrës dhe sesi shpallen të pastra».