1 «Tani, ky është urdhri për ju, o priftërinj! 2 Nëse nuk dëgjoni e nuk tregoni kujdes, për t’i dhënë lavdi emrit tim, thotë Zoti i ushtrive, do të çoj mallkim mes jush. Do t’i mallkoj bekimet tuaja! Po, do t’i mallkoj, se nuk treguat kujdes. 3 Ja, për faj tuaj do t’i qortoj pasardhësit tuaj. Do t’jua hedh në fytyrë jashtëqitjen, rropullitë e flive të festave tuaja dhe do të hiqeni tej bashkë me to.
4 Pranojeni, pra, këtë urdhër, që besëlidhja ime me Levin të mbetet, thotë Zoti i ushtrive. 5 Besëlidhja ime me të ishte për paqe e jetë, të cilat unë ia dhashë. Ishte besëlidhje për të më druajtur e ai pati drojë. Ai e nderoi emrin tim. 6 Mësimi i vërtetë ishte në gojën e tij, nuk gjendej padrejtësi në buzët e tij. Eci me mua në paqe e drejtësi dhe ktheu shumë vetë prej paudhësisë. 7 Buzët e priftit duhet ta ruajnë njohurinë, njerëzit mësojnë udhëzime prej gojës së tij, sepse ai është lajmëtari i Zotit të ushtrive. 8 Por, ju e latë udhën dhe penguat shumë vetë me mësimet që dhatë. E shkelët besëlidhjen e Levit, thotë Zoti i ushtrive, 9 prandaj unë do t’ju përbuz e do t’ju përul para tërë popujve, sepse nuk i ndoqët udhët e mia, por u treguat të njëanshëm në çështjet e ligjit.
Pabesia e Judës
10 A nuk kemi të njëjtin atë të gjithë ne? A nuk na krijoi i njëjti Perëndi? Përse pra, jemi të pabesë me njëri-tjetrin duke e përdhosur besëlidhjen e etërve tanë? 11 Juda është i pabesë. Një mëkat i neveritshëm u krye në Izrael e në Jerusalem, se Juda e përdhosi shenjtëroren që Zoti do dhe u martua me bijën e zotit të huaj. 12 E zhbiftë Zoti prej tendave të Jakobit këdo që bën këtë, atë që jep kushtrimin e atë që përgjigjet, edhe atë që kushton flijime para Zotit të ushtrive.
13 Për më tepër, ju e mbuloni me lot altarin e Zotit duke vajtuar e rënkuar, sepse ai nuk e sheh dhe nuk e pranon me kënaqësi flinë prej dorës suaj. 14 E ju thoni: “Përse?”. Sepse Zoti është dëshmitar mes teje e gruas së rinisë sate, me të cilën u tregove i pabesë, ndonëse është bashkëshortja dhe gruaja e besëlidhjes sate. 15 A nuk ju bëri Perëndia një në shpirt? Përse një? Sepse kërkon pasardhës të përkushtuar ndaj Perëndisë, prandaj ruajeni shpirtin tuaj. Mos u tregoni të pabesë me gruan e rinisë. 16 Ai që e urrena dhe e ndan të shoqen, thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, e mbulon veten me dhunë, thotë Zoti i ushtrive. Ruajeni shpirtin tuaj e mos u tregoni të pabesë.
17 E mërzitët Zotin me fjalët tuaja, por ju thoni: “Si e mërzitëm?”. Kur thoni: “Kushdo që bën paudhësi është i mirë para Zotit dhe ai kënaqet me ta” ose: “Ku është Perëndia i drejtësisë?!”».