Arka
1 Becaleli e bëri arkën me dru akacieje. Ajo ishte dy kute e gjysmë e gjatë, një kut e gjysmë e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë. 2 E praroi me ar të pastër si brenda, edhe jashtë dhe i punoi një kornizë të artë përreth. 3 Shkriu katër rrathë të artë për të katër këmbët, dy në njërin krah e dy në krahun tjetër. 4 Pastaj punoi shufra me dru akacieje e i praroi. 5 Shufrat i kaloi nëpër rrathë, në krahë të arkës për ta mbartur. 6 Bëri edhe një kapak me ar të pastër. Kjo është pajtimorja. E bëri dy kute e gjysmë të gjatë dhe një kut e gjysmë të gjerë. 7 Punoi dy kerubë të artë dhe i farkëtoi në të dyja anët e pajtimores. 8 Njëri ishte në njërin skaj e tjetri në skajin tjetër. Kerubët ishin një me pajtimoren, në të dyja skajet e saj. 9 Krahët i kishin të shtrirë lart e me to mbulonin pajtimoren. Ishin përballë njëri-tjetrit dhe me fytyrë nga pajtimorja.
Tryeza
10 Pastaj bëri tryezën me dru akacieje, dy kute të gjatë, një kut të gjerë dhe një kut e gjysmë të lartë. 11 E praroi me ar të pastër dhe i bëri një kornizë të artë përreth. 12 Vuri përreth tryezës një buzë një pëllëmbë të gjerë dhe përreth buzës bëri një kornizë të artë. 13 Pastaj shkriu katër rrathë të artë dhe i vendosi në të katër këndet e tryezës, nga një për çdo këmbë. 14 Ato ishin pranë buzës së tryezës që shufrat të kalonin për të mbartur tryezën. 15 Shufrat i punoi me dru akacieje dhe i praroi që, me to, të mbartet tryeza. 16 Enët e tryezës, tasat, kupat, brokat e kanat që përdoren për fli stërpikjeje i bëri prej ari të pastër.
Shandani
17 Pastaj bëri shandanin me ar të pastër. Bazën dhe trungun e shandanit e farkëtoi. Kupat, sythat dhe fletët ishin një me shandanin. 18 Nga trungu i shandanit dilnin gjashtë degë: tre nga një anë dhe tre nga ana tjetër. 19 Dega e parë kishte tri kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë, sikurse edhe dega e dytë e kështu me radhë të gjashtë degët që dilnin nga shandani. 20 Trungu i shandanit kishte katër kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë. 21 Pastaj punoi një syth poshtë dy degëve të para që dilnin nga trungu, një syth tjetër poshtë dy degëve të dyta dhe kështu me radhë për gjashtë degët që dilnin nga shandani. 22 Sythat dhe degët ishin një me shandanin. I tëri u farkëtua si një trup i vetëm prej ari të pastër. 23 Shtatë llambat, mashat dhe kacitë i bëri me ar të pastër. 24 Për të punuar shandanin dhe tërë enët e tij u përdorën tridhjetë e pesë kilogramë ar i pastër.
Altari i temjanit
25 Pastaj bëri altarin për të djegur temjan. E punoi me dru akacieje dhe e bëri katror, një kut të gjatë, një kut të gjerë dhe dy kute të lartë. Brirët ishin një me altarin. 26 Praroi me ar të pastër pjesën e sipërme, anët përqark dhe brirët. Pastaj punoi një kornizë të artë përreth 27 dhe poshtë saj bëri nga dy rrathë të artë në të dyja anët. I vendosi në të dy krahët e altarit që shufrat të shkohen për ta mbartur. 28 Shufrat i punoi me dru akacieje dhe i praroi.
29 Pastaj përgatiti vajin e shenjtë të vajosjes dhe temjanin e pastër erëkëndshëm, një parfum i përzier me mjeshtëri.