Përtëritja e Judës dhe Izraelit
1 «Zotit kërkojani shiun në kohën e shirave të vona,
se Zoti është ai që bën të gjëmojë.
Shiun e begatë ai do t’jua japë
dhe arat e secilit do të blerojnë.
2 Por idhujt flasin ligësi,
shortarët mashtrojnë me vegime,
ëndërrimtarët flasin kotësi,
të rreme ngushëllimet e tyre.
Ndaj dhe populli endet si bagëtia,
vuajnë se s’kanë bari.
3 Kundër barinjve ndizet zemërimi im,
prijësit e kopesë gjykimi im do t’i zërë,
se Zoti i ushtrive kujdeset për kopenë e tij, shtëpinë e Judës,
e si kalin e vet të lavdishëm lufte do ta bëjë.
4 Prej Judës do të dalë guri i këndit,
prej tij, kunji e tendës,
prej tij, harku i luftës,
prej tij, të gjithë prijësit.
5 Së bashku ata do të jenë si trima
që baltën me këmbë në luftë shkelin.
Do të luftojnë, se Zoti do të jetë me ta,
kalorësit ata do t’i turpërojnë.
6 Ngadhënjim do t’i jap shtëpisë së Judës,
shtëpinë e Jozefit do ta shpëtoj.
Do t’i përtërij, se do të kem mëshirë për ta,
do të jenë si të mos i kisha mohuar kurrë,
se unë jam Zoti, Perëndia i tyre,
e atyre do t’u përgjigjem.
7 Efraimët do të jenë si luftëtarë,
zemra do t’u gëzohet si prej verës.
Fëmijët do t’i shohin e do të ngazëllehen,
në Zotin do të galdojë zemra e tyre.
8 Do të fërshëllej e do t’i mbledh, se i shpagova,
do të bëhen të shumtë si më parë.
9 I shpërndava nëpër popuj,
por prej vendeve të largëta do të më kujtojnë.
Bashkë me fëmijët do të rrojnë e do të kthehen.
10 Do t’i kthej prej tokës së Egjiptit,
nga Asiria do t’i mbledh
e do t’i sjell në tokën e Gileadit e të Libanit,
sa s’do të kenë më vend.
11 Do të kalojë Zoti përmes detit të trazuar,
dallgët do t’i godasë e thellësinë e ujërave ai do ta thajë.
Do të përulet krenaria e Asirisë,
skeptri i Egjiptit do të hidhet tej.
12 Do t’i bëjë të fortë në Zotin,
në emrin e tij ata do të ecin para,
kumton Zoti».