Sofonia 2

Thirrje për pendesë

«Eja, mblidhu,

o popull i pacipë,

para se të merret vendimi

e dita të firojëb porsi byku,

para se t’ju përcëllojë zemërimi i Zotit,

para se të vijë dita e zemërimit të Zotit.

Kërkojeni Zotin, të gjithë ju të përvuajturit e tokës,

ju që mbani urdhërimet e tij.

Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë,

ndoshta do të gjeni strehë ku të fshiheni,

në ditën e zemërimit të Zotit.

Gaza do të jetë e shkretë,

Ashkeloni do të rrënohet,

Ashdodi do të zbohet në mes të ditës,

Ekroni do të çrrënjoset.

Mjerë banorët e bregdetit,

kombi i Keretit.

Fjala e Zotit është kundër teje,

o Kanaan, tokë filistine,

do të të zhbij e banorë s’do të kesh më.

Bregdeti do të bëhet kullotë,

livadh barinjsh, vathë dhensh.

Do t’i përkasë tepricës së shtëpisë së Judës,

që për kullota ta përdorin.

Në shtëpinë e Ashkelonit,

do të shtrihen në mbrëmje,

se Zoti, Perëndia i tyre, do të kujtohet për ta

e fatin do t’ua kthejë.

E dëgjova përbuzjen e Moabit,

përqeshjen e bijve të Amonit,

kur e fyen popullin tim

e ia kërcënuan kufijtë.

Ndaj, pasha jetën time,

kumton Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit,

Moabi do të bëhet si Sodoma,

bijtë e Amonit porsi Gomorra,

vend hithrash e gropë kripe,

shkreti e përhershme.

Tepricën e popullit tim do ta plaçkisin,

të mbeturit e kombit tim do t’i pushtojnë.

10 Ky do të jetë shpërblimi i krenarisë së tyre,

se e përbuzën popullin e Zotit të ushtrive

dhe u mburrën para tij.

11 I tmerrshëm do të jetë Zoti kundër tyre.

Ai do t’i mpakë gjithë perënditë e tokës.

Zotin do ta adhurojë

çdo komb e ishull,

secili në vendin e vet.

12 Edhe ti, o Kush,

prej shpatës sime do të theresh.

13 Ai do ta ngrejë dorën kundër veriut,

Asirinë do ta zhbijë.

Ninivën do ta bëjë djerrinë,

të thatë porsi shkretëtirë.

14 Kopetë e çdo lloji,

në mes të saj do të shtrihen.

Në krythat e saj do të zënë vend

huta dhe iriqi.

Do të kuisë bufi në dritare,

korbi në prag të derës,

se u hoq veshja prej cedri.

15 Ky është qyteti ngazëllues

që banonte i sigurt

e me vete thoshte:

“Unë, e tjetër s’ka!”.

Po si ndodhi që u shkretove

e strofull bishash u bëre?

Kushdo që kah ti kalon,

fërshëllen e bën gjeste me duar».


 b2.2 të tjerë: të shpërndaheni porsi byku