Sofonia 1

Fjala e Zotit që iu drejtua Sofonisë, birit të Kushit, të birit të Gedaliahut, të birit të Amarjahut, të birit të Ezekisë, në ditët e Josisë, birit të Amonit, mbretit të Judës.

Gjykimi

«Do ta shuaj fare çdo gjë prej faqes së dheut,

kumton Zoti.

Do t’i shuaj njerëzit e kafshët,

shpendët e qiellit e peshqit e detit,

ngasësita e të paudhët.

Do ta zhbij njerëzimin prej faqes së dheut,

kumton Zoti.

Do ta ngre dorën kundër Judës,

kundër mbarë banorëve të Jerusalemit.

Do t’i zhbij prej këtij vendi mbetjet e Baalit,

emrat e ithtarëve bashkë me priftërinjtë e tij,

ata që, mbi çati, adhurojnë ushtritë e qiellit,

që adhurojnë e zotohen për Zotin,

por që i zotohen edhe Malkamit.

Do t’i zhbij ata që i kthyen shpinën Zotit,

ata që nuk e kërkojnë Zotin

dhe që prej tij nuk marrin këshillë.

Hesht para Zotit, Zotit tim,

se po afron dita e Zotit.

Zoti ka përgatitur fli,

të ftuarit i ka shenjtëruar.

Në ditën e flisë së Zotit,

do t’i ndëshkoj princat e bijtë e mbretit,

tërë ata që vishen me petka të huaja.

Atë ditë do të ndëshkoj

tërë ata që kërcejnë nëpër pragje,

që shtëpinë e zotërisë së vet

e mbushin me dhunë e mashtrime.

10 Atë ditë, kumton Zoti,

do të dëgjohen klithma nga Porta e Peshqve,

vaje nga Lagjja e Re,

dhe një potere e madhe prej kodrave.

11 Vini kujën, o banorë të Thukut,

se u shkatërrua tërë populli i Kanaanit,

se morën fund tregtarët e argjendit.

12 Atë ditë, do ta zhbiroj me kandil Jerusalemin,

do t’i ndëshkoj ata që u dendën mirë në llumin e tyre

e që me vete thonë:

Zoti nuk bën as mirë, as keq!”.

13 Pasuria e tyre do të plaçkitet,

shtëpitë e tyre do të rrënohen.

Do të ndërtojnë shtëpi,

por s’do të banojnë në to.

Do të mbjellin vreshta,

por s’do t’ia pinë verën.

14 Po afron dita e madhe e Zotit,

është afër e shumë po nxiton.

Ushtima e ditës së Zotit është e hidhur

dhe trimi klith atje.

15 Ditë e furishme është ajo,

ditë kobi e mundimesh,

ditë shkatërrimi e rrënimi,

ditë errësire e terri,

ditë e vrenjtur sterrë,

16 ditë trumbetash e kushtrimi,

për qytetet e fortifikuara

e për kullat e ngritura në çdo kënd.

17 Do t’i mundoj njerëzit

e si të verbër do të enden,

se mëkatuan kundër Zotit.

Do t’u derdhet gjaku si rëra,

të përbrendshmet porsi jashtëqitjet.

18 As argjendi, as ari,

nuk do t’i shpëtojë dot.

Mbarë toka do të përpihet,

në ditën e furishme të Zotit,

në zjarrin e zellit të tij.

Befas do t’u japë fund,

mbarë banorëve të tokës».


 a1.3 ose: do t’i pengoj të paudhët