Perëndia
1 «Në vrojtore do të qëndroj,
mbi kullë do të zë vend,
që të shoh se ç’do të më thotë Perëndia,
ç’përgjigje do t’i japë ankesës sime.
2 Zoti më tha e m’u përgjigj:
“Shkruaje vegimin,
bëje të qartë në rrasa,
që rrjedhshëm të lexohet.
3 Vegimi ka kohën e vet,
nxiton drejt përmbushjes e s’gënjen.
Edhe në u vonoftë, prite,
se vjen, vjen e nuk vonon.
4 Ja, i padrejti në shpirt, do të meketc,
por i drejti do të jetojë
prej besimit të vet”.
5 Vërtet, pasuriaç është mashtruese,
krenarin e bën të mos reshtë.
Grykës është ai porsi skëterra,
s’ngihet si mortja vetë.
Për vete mbledh tërë kombet,
grumbullon popujt krejt.
6 Por, tërë këta,
do të hedhin thumba ndaj tij,
me gjëegjëza në lojë do ta vënë
e do të thonë:
“Mjerë ai që shton çka s’është e tija,
që pasurohet me pengjet që merr!
Por, për sa kohë?”.
7 A s’do të ngrihen befas,
ata që kamatë të paguajnë?
A s’do të zgjohen,
ata që të kallin datën?
Preja e tyre do të bëhesh.
8 Shumë kombe bastise,
ndaj, gjithë sa mbetën, ty do të të plaçkisin,
për shkak të gjakderdhjes e dhunës në vend,
të qyteteve e banorëve të tyre.
9 Mjerë ai që sjell fitime të mbrapshta në shtëpi
e folenë e vet e ngre lart,
që kthetrave të fatkeqësisë t’u shpëtojë!
10 Shtëpinë me turp e mbulove,
vetë e pësove,
se shumë popuj there.
11 Prej murit gurët do të thërrasin,
e trarët do të përgjigjen prej pullazit.
12 Mjerë ai që me gjak ndërton qytete
e me padrejtësi ngre vendbanime!
13 Ja, prej Zotit të ushtrive,
a nuk shkojnë në zjarr mundimet e popujve
e robtohen më kot kombet?
14 Plot do të jetë toka
me njohurinë e lavdisë së Zotit,
siç mbushin ujërat detin.
15 Mjerë ai që të afërtit i jep të pijë,
e zbraz vrerin e vet
dhe madje e deh,
që ta shohë lakuriq!
16 U dende
me turp e jo me nder.
Pi edhe ti,
parrethprerjen trego.
Kupa e të djathtës së Zotit po të vërtitet,
turpi nderin do të ta mbulojë.
17 Do të të kaplojë dhuna që hoqi Libani,
kërdia e kafshëve do të të tmerrojë.
Për shkak të gjakderdhjes e dhunës në vend,
të qyteteve e banorëve të tyre.
18 Ç’dobi ka idhulli,
kur trajtën ia jep gdhendësi,
copa e metalit që mashtrim përhap?
Ç’dobi ka idhulli,
kur përfytyrimit të vet mjeshtri i beson?
Idhujt që bëri janë memecë!
19 Mjerë kush i thotë drurit: “Zgjohu!”,
gurit të pagojë: “Ngrihu!”.
Pse, idhulli do të të mësojë?!
Ja, i veshur është me ar e argjend,
por nuk ka frymë jete në të.
20 Por, Zoti është në tempullin e tij të shenjtë,
mbarë toka para tij të heshtë».