Jonai largohet nga prania e Zotit
1 Zoti i foli Jonait, birit të Amitait, e i tha: 2 «Ngrihu e shko në qytetin e madh të Ninivës e fol kundër tij, sepse ligësia e banorëve të tij ka mbërritur deri tek unë». 3 Atëherë Jonai u ngrit e mori arratinë për në Tarshish, larg pranisë së Zotit. Zbriti në Jafë e gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Pagoi për udhëtimin dhe hipi në anije për të shkuar bashkë me të tjerë në Tarshish, larg pranisë së Zotit.
4 Por Zoti kishte dërguar në det një erë të fortë. Stuhia në det qe aq e furishme, saqë anija rrezikonte të copëtohej. 5 Atëherë detarët i zuri frika dhe secili i thirri perëndisë së vet për ndihmë. Për të lehtësuar anijen, hodhën në det edhe ngarkesën e saj. Ndërkaq, Jonai kishte zbritur poshtë, brenda anijes, ishte shtrirë dhe kishte rënë në gjumë të thellë. 6 Kapiteni i anijes iu afrua e i tha: «Çfarë? Po fle? Ngrihu e thirri perëndisë tënd për ndihmë! Ndoshta ky perëndi kujtohet për ne e kështu nuk marrim fund».
7 Detarët i thanë njëri-tjetrit: «Ejani të hedhim short që të dimë për shkak të kujt na ra kjo fatkeqësi». Hodhën short e i ra Jonait. 8 Atëherë ata e pyetën: «Ja na thuaj, për shkak të kujt na ra kjo fatkeqësi? Me çfarë merresh e nga vjen? Nga ç’vend e nga ç’popull je?». 9 Jonai u përgjigj: «Hebre jam dhe Zotin, Perëndinë e qiellit, druaj. Ai krijoi detin e dheun». 10 Atëherë ata burra i kapi një frikë e madhe, prandaj i thanë: «Si e bëre këtë gjë!». Ata e dinin se Jonai kishte marrë arratinë nga prania e Zotit, se ua kishte thënë vetë.
11 Ngaqë deti po bëhej gjithnjë e më i egër, ata e pyetën: «Çfarë të bëjmë me ty që të na qetësohet deti?». 12 Ai u tha: «Më kapni e më hidhni në det, që deti të qetësohet, sepse unë e di se kjo stuhi ju ra për shkakun tim». 13 Detarët u dhanë rremave për ta kthyer anijen në breg, por nuk mundën, sepse deti po bëhej gjithnjë e më i egër. 14 Atëherë i thirrën Zotit e thanë: «O Zot, mos na e merr jetën për shkak të këtij njeriu e mos na fajëso për gjak të pafajshëm, se ti, o Zot, ke bërë sikurse ke dashur». 15 Kështu, e morën Jonain dhe e hodhën në det. Deti u qetësua nga tërbimi. 16 Atëherë ata burra i pushtoi një frikë e madhe ndaj Zotit. I kushtuan Zotit një flijim e u betuan para tij.