Amosi 1

Fjalët e Amosit që ishte një blegtor nga Tekoaja; vegimi që pati për Izraelin në ditët e Uziahut, mbretit të Judës, në ditët e Jeroboamit, mbretit të Izraelit, dy vjet para tërmetit.

Gjykimi

Ai tha:

«Zoti prej Sionit ulërin,

nga Jerusalemi jep kushtrimin.

Vajtojnë kullotat e bjeshkëve,

kreshtat e Karmelit fishken.

Kështu thotë Zoti:

“Për tri shkeljet e Damaskut,

madje për katër,

s’do ta kthej ndëshkimin.

E shinë Gileadin

me shufra hekuri.

Zjarr do të dërgoj kundër shtëpisë së Hazaelit,

që fortesat e Ben Hadadit t’i përpijë.

Do t’i thyej shulat e Damaskut,

do t’i zhbij banorët e luginës së Avenit,

edhe mbajtësin e skeptrit të Bet Edenit.

Në Kir do të shpërngulet populli i Aramit,

thotë Zoti”.

Kështu thotë Zoti:

“Për tri shkeljet e Gazës,

madje për katër,

s’do ta kthej ndëshkimin.

E shpërnguli popullin krejt,

e degdisi në Edom.

Zjarr do të dërgoj kundër mureve të Gazës,

që fortesat t’ia përpijë.

Do t’i zhbij banorët prej Ashdodit,

edhe mbajtësin e skeptrit të Ashkelonit.

Do ta kthej dorën kundër Ekronit,

teprica e Filistesë do të marrë fund,

thotë Zoti, Zoti im”.

Kështu thotë Zoti:

“Për tri shkeljet e Tirit,

madje për katër,

s’do ta kthej ndëshkimin.

Ia dorëzuan Edomit popullin krejt,

besën e dhënë mes vëllezërve nuk e kujtuan.

10 Zjarr do të dërgoj kundër mureve të Tirit,

që fortesat t’ia përpijë”.

11 Kështu thotë Zoti:

“Për tri shkeljet e Edomit,

madje për katër,

s’do ta kthej ndëshkimin.

Të vëllanë e ndoqi me shpatë,

mëshirën e hodhi tej,

shqyen gjithmonë me furi,

zemërimin e mban përherë.

12 Zjarr do të dërgoj kundër Temanit,

që fortesat e Bocrahut të përpijë”.

13 Kështu thotë Zoti:

“Për tri shkeljet e bijve të Amonit,

madje për katër,

s’do ta kthej ndëshkimin.

Barkun e grave shtatzëna çanë në Gilead,

që të zgjeronin kufijtë e tyre.

14 Zjarr do të ndez në muret e Rabahut,

që fortesat t’ia përpijë.

Ulërima në ditën e betejës,

furtunë në ditën e stuhisë.

15 Mbreti i saj do të shpërngulet,

ai bashkë me princat e tij,

thotë Zoti”».