Danieli në gropën e luanëve
1 c Mbretërinë e mori Dari, medi, në moshën gjashtëdhjetë e dy vjeçare. 2 Dari vendosi të caktonte njëqind e njëzet satrapë, të cilët do të sundonin mbi të gjithë mbretërinë. 3 Mbi ta ai caktoi tre mbikëqyrës, njëri prej të cilëve ishte Danieli. Satrapët duhej t’u jepnin llogari mbikëqyrësve, që të mos i bëhej asnjë dëm mbretit. 4 Danieli shquhej ndër mbikëqyrës e satrapë për shkak të shpirtit të jashtëzakonshëm dhe mbreti po mendonte ta caktonte mbi gjithë mbretërinë. 5 Atëherë mbikëqyrësit dhe satrapët kërkonin të gjenin ndonjë rast kundër Danielit për mënyrën e qeverisjes së mbretërisë, por nuk gjetën asnjë shkak apo gabim, sepse Danieli ishte besnik dhe tek ai nuk gjeje asnjë mefshtësi apo faj.
6 Atëherë thanë: «Nuk kemi për të gjetur asnjë shkak kundër Danielit, përveç ndonjë gjëje që ka lidhje me ligjin e Perëndisë së tij». 7 Kështu, mbikëqyrësit dhe satrapët u paraqitën të gjithë bashkë te mbreti e i thanë: «Rrofsh përgjithmonë, o mbreti Dar! 8 Të gjithë mbikëqyrësit e mbretërisë, qeveritarët e krahinave, satrapët, këshilltarët e të gjithë zyrtarët janë të mendimit që të shpallet një vendim mbretëror, sipas të cilit kushdo që i drejton ndonjë kërkesë për tridhjetë ditë ndonjë perëndie apo njeriu, përveç teje, o mbret, të hidhet në gropën e luanëve. 9 Prandaj, o mbret, miratoje këtë vendim dhe nënshkruaje, që të mos e ndryshojë kush, në përputhje me ligjin e medëve e persëve, i cili është i pakthyeshëm». 10 Atëherë, mbreti Dar nënshkroi vendimin.
11 Danieli e mori vesh nënshkrimin e vendimit dhe shkoi në shtëpinë e tij e u ngjit në dhomën e sipërme, ku kishte hapur dritare që shikonin në drejtim të Jerusalemit. Lutej tri herë në ditë, binte në gjunjë dhe përlëvdonte Perëndinë, ashtu siç kishte bërë përherë. 12 Atëherë ata burra shkuan të gjithë bashkë dhe e gjetën Danielin duke iu lutur e duke iu përgjëruar Perëndisë së tij. 13 Mandej shkuan te mbreti e i thanë për vendimin e tij: «O mbret, a nuk e nënshkrove ti vendimin se kush i drejton ndonjë kërkesë për tridhjetë ditë ndonjë perëndie apo njeriu, përveç teje, o mbret, do të hidhet në gropën e luanëve?». Mbreti u përgjigj e tha: «Më se e vërtetë! Kështu e kërkon ligji i medëve e i persëve, i cili është i pakthyeshëm». 14 Atëherë ata i thanë mbretit: «Danieli, një nga bijtë e të shpërngulurve të Judës, nuk tregon as njëfarë nderimi për ty, o mbret, dhe as që do t’ia dijë për vendimin që nënshkrove, por i lutet Perëndisë së tij tri herë në ditë». 15 Kur dëgjoi këtë, mbreti u mërzit shumë dhe po mendonte sesi ta shpëtonte Danielin. Deri në perëndim të diellit u përpoq si e si ta shpëtonte.
16 Atëherë ata burra u paraqitën sërish të gjithë bashkë para mbretit e i thanë: «Dije, o mbret, se, sipas ligjit të medëve e të persëve, asnjë ndalesë apo vendim që ka caktuar mbreti, nuk mund të ndryshojë». 17 Kështu, mbreti urdhëroi të sillnin Danielin e ta hidhnin në gropën e luanëve. 18 Mandej sollën një gur, e vunë mbi grykën e gropës, mbreti e vulosi me unazën e vet dhe me unazat e fisnikëve të tij, që të mos ndryshonte asgjë lidhur me dënimin e Danielit.
19 Pastaj mbreti shkoi në pallatin e tij dhe e kaloi natën pa ngrënë. Nuk u argëtua dhe nuk e zuri gjumi. 20 Në mëngjes u ngrit herët e shkoi me nxitim te gropa e luanëve. 21 Kur iu afrua gropës, i thirri Danielit me zë të përvajshëm e i tha: «O Daniel, shërbëtor i Perëndisë së gjallë! Perëndia yt, që ti e adhuron përherë, a të ka shpëtuar dot prej luanëve?». 22 Atëherë Danieli iu përgjigj: «Rroftë përgjithmonë mbreti! 23 Perëndia im dërgoi engjëllin e vet dhe ia mbylli gojën luanëve. Luanët nuk më lënduan, se jam i pafajshëm para Perëndisë, por edhe para teje, o mbret, e nuk kam bërë asnjë të keqe». 24 Mbreti u gëzua shumë dhe urdhëroi ta nxirrnin Danielin prej gropës. Ata e nxorën Danielin prej gropës dhe ai nuk kishte pësuar asgjë, sepse kishte pasur besim te Perëndia i vet.
25 Pastaj, me urdhër të mbretit, i morën ata që kishin shpifur kundër Danielit dhe i hodhën në gropën e luanëve, bashkë me fëmijët e me gratë e tyre. Luanët iu vërsulën pa e arritur mirë fundin e gropës dhe ua bënë kockat copë e çikë. 26 Mbreti Dar u shkroi të gjithë popujve, kombeve e gjuhëve, që banonin në mbarë tokën: «E madhe qoftë paqja me ju! 27 Kam nxjerrë një vendim, sipas të cilit të gjithë sa banojnë në mbretërinë ku sundoj unë, ta druajnë Perëndinë e Danielit e të dridhen para tij.
Ai, pra, është Perëndia i gjallë,
ai është përjetë e në amshim.
Mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet kurrë,
sundimi i tij do të mbetet përjetë.
28 Ai shpëton e çliron,
ai bën shenja e mrekulli
në qiej e mbi tokë.
Ai e shpëtoi Danielin
prej kthetrave të luanëve».
29 Kështu, Danieli pati mbarësi gjatë sundimit të Darit dhe gjatë mbretërimit të Kirit, persit.