Rënia e Jerusalemit
1 «E ti, bir njeriu, merr një shpatë të mprehtë, përdore si brisk rroje dhe rruaj flokët e mjekrën. Pastaj merr një peshore dhe ndaji në disa pjesë. 2 Një të tretën digje në zjarr, në mes të qytetit, si të kenë kaluar ditët e rrethimit. Një të tretën tjetër merre e prite me shpatë rreth qytetit. Një të tretën tjetër përhape në erë e unë do të zhvesh shpatën kundër tyre. 3 Por ti merr një numër të vogël prej tyre dhe lidhi në kindat e tua. 4 Merr edhe pak përsëri, hidhi në mes të zjarrit e digji me zjarr. Prej aty do të dalë zjarr kundër tërë shtëpisë së Izraelit.
5 Kështu thotë Zoti im, Zoti: ky është Jerusalemi. Unë e kisha vendosur në mes të kombeve, rrethuar me vende të tjera. 6 Ai ngriti krye kundër vendimeve të mia më keq se kombet dhe kundër rregullave të mia më shumë se vendet që e rrethonin, se i hodhën tej vendimet e mia dhe nuk ecën sipas rregullave të mia. 7 Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: kundërshtimi juaj ishte më i fortë se ai i kombeve përreth jush dhe, pasi nuk ecët sipas rregullave të mia e nuk i zbatuat vendimet e mia, as vepruat sipas vendimeve të kombeve përreth jush, 8 kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, edhe unë jam kundër teje e do të bëj gjyq mes teje faqe kombeve. 9 Për shkak të të gjitha pështirësive të tua do të bëj në ty çka nuk kisha bërë më parë e çka nuk do të bëj më. 10 Prandaj etërit do të hanë bijtë në mesin tënd dhe bijtë do të hanë etërit e vet. Do t’i zbatoj gjykimet e mia kundër teje dhe do t’i shpërndaj tepricat e tua në të katër erërat. 11 Prandaj, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, meqë e përdhose shenjtëroren time me të gjitha fëlliqësitë e tua e me të gjitha pështirësitë e tua, edhe unë do të të rruajb. Syri im nuk do të ketë mëshirë e unë nuk do të kem dhembshuri. 12 Një e treta e jote do të vdesë prej murtajës e do të marrë fund prej urisë në mesin tënd. Një e treta do të bjerë prej shpatës rreth teje dhe një e treta do të shpërndahet në të katër erërat e unë do të zhvesh shpatën kundër tyre.
13 Do ta zbraz fare zemërimin tim, do ta shuaj hidhërimin tim mbi ta e do të qetësohem. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, se për shkak të zellit fola dhe e zbraza gjer në fund hidhërimin tim kundër tyre. 14 Do të të kthej në shkretim dhe në tallje në mes të kombeve përreth, në sytë e të gjithë kalimtarëve. 15 Do të jesh shpoti, qesëndi e tmerr për kombet që të rrethojnë, kur të zbatoj në ty gjykimet me zemërim, me hidhërim e me qortime të tërbuara. Unë, Zoti, kam folur. 16 Kur të gjuaj kundër tyre shigjetat e liga të zisë së bukës, të cilat do të jenë shkatërrim e që do t’i çoj për t’ju shkatërruar, do ta shtoj zinë e bukës kundër jush e do t’jua thyej enën e bukës. 17 Do të dërgoj kundër jush zinë e bukës dhe shtazët e egra që do të të lënë pa fëmijë. Murtaja e gjaku do të kalojnë mbi ty dhe do ta vringëlloj shpatën kundër teje. Unë, Zoti, kam folur».