Ezekieli 4

Paralajmërimi i pushtimit të Jerusalemit

«E ti, bir njeriu, merr një tullë, vëre para vetes dhe gdhend në të qytetin e Jerusalemit. Vër rrethimin kundër tij, ndërto një ledh kundër tij e ngri prita kundër tij. Rreshto fushimet kundër tij e vëri desh përreth. Pastaj merr një pllakë hekuri dhe vendose si mur hekuri ndërmjet teje dhe qytetit. Ktheje shikimin drejt tij e ai do të jetë i rrethuar. Vëri rrethimin e le të jetë kjo një shenjë për shtëpinë e Izraelit.

Pastaj shtrihu në brinjën e majtë dhe vendos mbi të ligësinë e shtëpisë së Izraelit. Për sa ditë të rrish shtrirë në të, do ta mbartësh ligësinë e tyre. Unë po të caktoj kohën e ligësisë së tyre: për treqind e nëntëdhjetë ditë do ta mbartësh ligësinë e shtëpisë së Izraelit. Pasi t’i kryesh këto, do të shtrihesh për së dyti në brinjën e djathë e do të mbartësh ligësinë e shtëpisë së Judës për dyzet ditë. Po të caktoj nga një ditë për çdo vit. Ktheje shikimin drejt rrethimit të Jerusalemit, mbaje krahun të përveshur e profetizo kundër tij. Dhe, ja, do të hedh mbi ty litarët, që të mos kthehesh as nga njëra anë, as nga tjetra, derisa t’i sosësh ditët e rrethimit tënd.

Merr grurë, elb, bathë, thjerrëza, mel e thekër, vëri në një enë, bëj bukë me to për vete dhe haje gjatë ditëve që do të rrish shtrirë në brinjë, treqind e nëntëdhjetë ditë. 10 Bukën që do të hash, do ta hash me masë, çdo ditë nga dyqind e tetëdhjetë gramë në ditë. 11 Edhe ujin do ta pish me masë. Do të pish çdo ditë nga një litër. 12 Bukën do ta hash si kulaç elbi, pasi ta kesh pjekur para tyre mbi grumbuj jashtëqitjesh njerëzore». 13 Pastaj Zoti më tha: «Ashtu do ta hanë bijtë e Izraelit bukën e tyre të papastër mes kombeve ku do t’i shpërndaj». 14 Atëherë unë i thashë: «Ah, Zoti im, o Zot, ja, unë nuk jam ndyrë kurrë dhe që nga rinia ime e deri më tani nuk kam ngrënë cofëtina, as kam vënë në gojë mish të papastër». 15 E ai më tha: «Shiko, në vend të jashtëqitjes njerëzore, po të jap bajga gjedhësh, që ta pjekësh mbi to bukën tënde». 16 Pastaj më tha: «Bir njeriu, ja, po ia thyej Jerusalemit enëna e bukës. Do të hanë bukë me masë e me ankth dhe do të pinë ujë me masë e me tmerr, 17 që, nga mungesa e bukës dhe ujit, të tmerrohen me njëri-tjetrin e të qelben në ligësinë e vet».


 a4.16 he.shkopin