1 Pastaj më tha: «Bir njeriu, ha çfarë të gjesh, haje këtë rrotull dhe shko e foli shtëpisë së Izraelit». 2 Atëherë hapa gojën e ai më dha të haja atë rrotull. 3 Pastaj më tha: «Bir njeriu, ushqeje barkun me këtë rrotull që unë po të jap e mbushi zorrët». Unë e hëngra dhe në gojë m’u bë e ëmbël porsi mjalti. 4 Pastaj më tha: «Bir njeriu, shko te shtëpia e Izraelit e folu me fjalët e mia, 5 se nuk u dërgove te një popull fjalëhollë e gjuhërëndë, por te shtëpia e Izraelit 6 e jo te popujt e shumtë fjalëhollë e gjuhërëndë, fjalët e të cilëve nuk mund t’i kuptosh. Po të të kisha dërguar tek ata, do të të kishin dëgjuar, 7 por shtëpia e Izraelit nuk dëshiron të të dëgjojë, se ata nuk dëshirojnë të më dëgjojnë mua, sepse mbarë shtëpia e Izraelit e ka ballin të ashpër e zemrën të ngurtë. 8 Ja, unë po ta bëj fytyrën të ashpër, si fytyrat e tyre, dhe ballin të ashpër, si ballin e tyre. 9 Si diamantin, më të fortë se strallin e bëra ballin tënd. Mos ki frikë prej tyre e mos u tremb prej tyre, se janë fis kryeneç». 10 Pastaj më tha: «Bir njeriu, të gjitha fjalët që po t’i them, merri për zemër e vëru vesh. 11 Shko te të shpërngulurit, te bijtë e popullit tënd, e folu. Thuaju: “Kështu thotë Zoti im, Zoti”, si në të dëgjofshin, si në mos të dëgjofshin».
12 Atëherë një shpirt më ngriti dhe dëgjova mbrapa meje ushtimën e një dridhjeje të fortë: «Bekuar qoftë lavdia e Zotit atje ku e ka vendin!». 13 Ishte ushtima e krahëve të gjallesave që përplaseshin me njëri-tjetrin, ushtima e rrotave pranë tyre dhe ushtima e dridhjes së madhe. 14 Një shpirt më ngriti e më rrëmbeu. Unë shkova i hidhëruar e me shpirt të zemëruar, se dora e Zotit u bë e ashpër mbi mua. 15 Mbërrita te të shpërngulurit e Telavivit që banojnë pranë lumit Kebar, ku janë ngulur, dhe ndenja aty shtatë ditë i trullosur mes tyre.
Rojtari i Izraelit
16 Pas shtatë ditësh, fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 17 «Bir i njeriut, të kam caktuar rojtar për shtëpinë e Izraelit. Sapo të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, do t’i paralajmërosh nga ana ime. 18 Nëse i them të paudhit: “Do të vdesësh”, por ti nuk e paralajmëron e nuk flet, që ta paralajmërosh të paudhin e ai të heqë dorë prej sjelljeve të veta të paudha e të jetojë, ai, i paudhi, do të vdesë për shkak të ligësisë së vet, por gjakun e tij do të ta kërkoj ty. 19 Por, nëse ti e paralajmëron të paudhin e ai nuk kthehet prej paudhësisë së vet e prej sjelljeve të veta të paudha, ai do të vdesë për shkak të ligësisë së vet e ti do të shpëtosh veten. 20 Nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, unë do t’i vë para një pengesë e ai do të vdesë. Nëse ti nuk e ke lajmëruar, ai do të vdesë për shkak të mëkatit të vet e nuk do të kujtohen veprat e drejta që pati bërë, por gjakun e tij do të ta kërkoj ty. 21 Por, nëse ti e paralajmëron të drejtin, që të mos mëkatojë, e ai nuk mëkaton, ai do të jetojë, se ishte paralajmëruar, e ti do të shpëtosh veten».
22 Atje dora e Zotit ishte mbi mua e ai më tha: «Çohu e dil në luginë, se atje do të të flas». 23 U çova e dola në luginë dhe, ja, aty qëndronte lavdia e Zotit, si lavdia që kisha parë buzë lumit Kebar, e rashë me fytyrë përtokë. 24 Atëherë hyri në mua një shpirt e më ngriti më këmbë. Pastaj më foli e më tha: «Shko e mbyllu brenda në shtëpi. 25 E ty, o bir i njeriut, ja, do të të hedhin përsipër litarët e do të të lidhin me to, që të mos dalësh mes tyre. 26 Do të ta ngjis gjuhën për qiellzë e do të mbetesh memec dhe nuk do të jesh më për ta ai që i qorton, se janë fis kryeneç. 27 Por, kur do të flas me ty, do të ta hap gojën e ti do t’u thuash: “Kështu thotë Zoti im, Zoti”. Kush do të dëgjojë, të dëgjojë, kush nuk do, të mos dojë, sepse janë fis kryeneç».